Populli refuzoi Edi Ramën në votime, Shqipëria i ka keq punët me demokracinë

Politika

Populli refuzoi Edi Ramën në votime, Shqipëria i ka keq punët me demokracinë

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 3 korrik 2019 Në ora: 10:40
Edi Rama në konferencën pas zgjedhjeve

Zgjedhjet lokale në Shqipëri jo vetëm që përkujtuan, por edhe “rikthyen” qytetarët në periudhën diktatoriale moniste të Enver Hoxhës e Titos, kur pa dëshirë ishin të detyruar të votonin për personat që s'i donin.

Kështu kanë vlerësuar njohësit e çështjeve politike në vend, ku sipas tyre, zgjedhjet lokale në Shqipëri ishin në stilin e partive komuniste e kurrsesi demokratike.

Makolli: Edi Rama është i vetëdijshëm se ka korrë një "fitore si të Pirros"

Image
Vesel Makolli

Sekretari i Përgjithshëm në AKR, Vesel Makolli, ka thënë për “Bota sot” se ky mos unitet apo më mirë të them kjo kakofoni politike tek liderët politik në Kosovë mbase edhe mund të justifikohen disi, por tek shteti shqiptar që ka traditë mbi një shekullore të shtetësisë është shumë e pa kuptimtë dhe non-sens.

“Pluraluzmi politik në Shqipëri daton qysh nga vitet e 20 të shekullit të kaluar, gjegjësisht pas Kongresit të Lushnjës kur ju vunë themelet e Shtetit modern Shqiptar. Prandaj kjo do të thotë qe ne kemi një traditë të mirëfilltë demokratike e cila është ndërprerë nga ideologjia e sistemit komuniste që shkatërrojë çdo gjë dhe la pasoja të cilat ne po i ndiejmë edhe sot. Rasti i zgjedhjeve në Shqipëri, nuk mund të bëhet fjalë, e as të frikohemi për kthimin e një lloji sistemi monist, jo veç që populli nuk e dëshiron po kjo nuk ka shanse të ndodh, pasi që kemi të bëjmë me një vend anëtar të NATO-s, dhe në qendër të civilizimit e të kulturës - në Evropë. Rrota historike nuk sillet mbrapa, andaj këtu më shumë kemi të bëjmë në një kryeneçësi alla-shqiptare e cila na ka përcjell gjatë gjithë historisë dhe e cila ka sjellë dëme gjithmonë”, ka thënë Makolli.

Sipas tij, këtu janë bërë dy gabime, si nga opozita me dorëzimin e mandateve të deputetëve, ashtu edhe nga pozita e cila me kryeneçësi ka shkuar në zgjedhje duke atakua demokracinë dhe rrezikuar stabilitetin e shtetit dhe duke dëmtuar progresin e arritur drejt integrimit Evropian të Shqipërisë.

“Faktori relevant ndërkombëtar nuk ka qenë i prerë në qëndrimet e tyre, por ka lënë të kuptohet se Gjykata Kushtetuese duhet të jap verdiktin final, i cili duhet të jetë një vendim i bazuar në rregullat e demokracisë gjegjësisht përsëritja e këtyre zgjedhjeve. Edi Rama është i vetëdijshëm se ka korrë një "fitore si të Pirros" e cila pak apo hiç nuk dallon nga humbja, andaj për të mirën e shtetit dhe popullit shqiptar, duhet gjetur daljen nga kjo rrugë qorre, e kjo mund të bëhet me konsolidimin e shpejtë të Gjykatës Kushtetuese dhe respektimin e verdiktit të saj”, ka thënë Vesel Makolli.

Mehazi: Tek politikanët shqiptarë kanë dominuar inatet e mëdha

Image
Sulejman Mehazi

Njohësi i çështjeve politike profesor, Sulejman Mehazi, ka thënë për “ Bota sot” se dhe vetë krerët brenda PS-së e shohin dhe e pranojnë se këto zgjedhje ishin zgjedhje mono partiake.

Sipas tij, edhe po ta pyesim njeriun e parë të spektakleve të Partisë Socialiste, Edi Ramën, se a me të vërtetë këto zgjedhje ishin demokratike, jam i bindur se edhe ai vet po t‘ishte i sinqertë, do ta pranonte, por inati politik se lejon ta thotë të vërtetën.

“Zgjedhjet Lokale një partiake ua bënë me dije evropianëve se në çfarë niveli demokratik është Shqipëria”, ka thënë profesor Mehazi. Fitorja e Edi Ramës në këto zgjedhje është e hidhur karshi humbjes së ëmbël të demokratëve. Zgjedhjet Lokale na bëjnë me dije se tek politikanët shqiptarë përherë e çdoherë kanë dominuar inatet e mëdha, e kurrsesi marrëveshjet e dobishme për të mirën e kombit e shtetit. Shkurt e qartë, gjenetikisht e historikisht politika shqiptare ka qenë, është përçarja, hakmarrja, inatet, interesat vetjake kanë qenë më të mëdha sesa ato shtetërore. PS e Ramës është në gjendje ta shkatërronte shtetin për të mos humbur vetë. Këto mund t'i quajmë si zgjedhje mono partiake Demokratike të Edi Ramës, për të qeshur e qarë”, ka thënë njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi.

Roshi: Ajo që prodhon kriza periodike, para çdo palë zgjedhjesh është mungesa e institucionalizimit të votës së lirë

Image
Artur Roshi

Kurse, njohësi i çështjeve politike Artur Roshi, mohon se Shqipëria po shkon në diktaturë me vëmendje të shtuar të Amerikanëve.

“Unë nuk jam dakord se ne po shkojmë në diktaturë me vëmendjen e shtuar të Amerikanëve në këtë situatë. Kjo mund të jetë pika e infeksionit ku kurba e demokracisë ndryshon parametrat drejt përmirësimit. Ajo që prodhon kriza periodike para çdo palë zgjedhjesh në këto 27 vite është mungesa e institucionalizimit të votës së lirë. Këtej duhet të fillojë puna nga të gjitha palët. Kjo ishte një taktikë e jona si “Opozitë e Bashkuar” për të rritur në kulm efektin opozitar sepse askush nuk mund të dojë kthim mbrapa sado i majtë qoftë”, ka thënë Roshi.

Sipas tij, këtu u dha rezolutat dhe njëkohësisht krijoi për të ardhmen një kthesë pushteti të sigurt.

“Ne si Opozitë nuk duhet të emocionohemi nga efekti pozitiv në favor të ndryshimit të pushtetit, që jep negativiteti i zgjedhjeve pa garë, në qoftë se nuk fiksojmë votën e lirë në kodin zgjedhor nëpërmjet votimit dhe numërimit elektronik-biometrik. Kjo krizë do na shtyjë drejt zgjidhjes së çështjes së votës së lirë, mbas saj çdo gjë futet në ullinjtë moralë dhe parimorë”, është shprehur njohësi i çështjeve politike Artur Roshi.

Shahu: Në Shqipëri nuk pati zgjedhje, por votime

Image
Rexhep Shahu

Ndërsa, analisti politik Rexhep Shahu, ka thënë se Edi Rama e ka kthyer Shqipërinë në një lloj diktature, pasi në vend nuk ka Gjykatë Kushtetuese.

“Rama e ka kthyer Shqipërinë në këtë lloj diktature, pikërisht pse nuk kemi Gjykatë të lartë, nuk kemi media të lira, madje nuk zbatohet as ligji e as Kushtetuta nga kryeministri. Edi Rama ka marrë nën vartësi prokurorinë, zhvilloi votime një partiake, jo pluraliste pa opozitën e djathtë. Shqipëria i ka keq punët me demokracinë dhe liritë themelore, si zgjedhjet e liria e fjalës, por populli e refuzoi Ramën në votime. Në çdo 10 votues, 2 dolën në votime, sepse ata refuzuan zgjedhjet moniste. Komisioni qendror i zgjedhjeve shton vota më shumë se votues, por sërish edhe sipas komisionit qendror 21 për qind të votuesve, kanë dalë në votime. Në Shqipëri nuk pati zgjedhje, por votime sepse nuk pati kandidatë rival”, ka thënë analisti politik Rexhep Shahu.

Mehmeti: Humbi ajo më kryesorja Shqipëria

Image
Faton Mehmeti

Kurse, analistin politik Faton Mehmeti, ka pohuar se zgjedhjet pa opozitën nuk janë demokratike dhe kjo është parim i demokracisë.

Sipas tij, opozita ka gabimet e saja, për faktin se në njërën anë nuk duhet të lejohet që të bëhet si rregull që çdo herë opozita të parashtrojë kushte të paplotësuara për të hyr në zgjedhje, por në anën tjetër edhe pushteti duhet të jetë më i arsyeshëm me opozitën.

“Më 30 qershor Shqipëria bëri hapa mbrapa duke dëshmuar se ende është infantile në demokraci. Kjo madje edhe do ndikojë që të shtyhet edhe hapja e bisedimeve për në BE, pasi Shqipëria do të konsiderohet ende e papjekur për të qenë pjesë e BE-së. Si opozita ashtu edhe pozita kanë gabimet e saja, të cilat po i kushtojnë shumë Shqipërisë. E cilësoj gabim fatal që Lulzim Basha i dorëzoi Edi Rames të 61 Bashkitë në tavolinë, duke i dhënë pushtet absolut, në vend, që të ishte e kundërta”, ka thënë analisti Mehmeti

Ai konsideron se fitoi kush fitoi më 30 qershor, megjithatë humbi Shqipëria, e që është më kryesore.

“Faktikisht Shqipëria është vendi i vetëm në Ballkan që ka ende probleme me legjitimitetin e zgjedhjeve, 30 vjet pas rënies së komunizmit dhe kjo është e pa falshme. Interesi i shteti duhet të jetë mbi të gjitha, e që fatkeqësisht ka rënë si nocion i të duhurës, se çdo partie në vendin e shqiponjave. Shqipëria humbi shansin për ti dëshmuar botës se jemi të pjekur, dhe se pavarësisht dallimeve partiake, interesi i atdheut është mbi çdo gjë”, ka thënë analisti politik Fation Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat