Haki Abazi: Pal Lekaj i është bashkuar standardit të ministrave të PRONTO-s

Politika

Haki Abazi: Pal Lekaj i është bashkuar standardit të ministrave të PRONTO-s

Nga: M.H Më: 8 korrik 2019 Në ora: 14:40
Haki Abazi

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa dhe ministri Pal Lekaj, së fundi kanë pasur debat virtual përmes rrjetit social Facebook, duke hedhur akuza ndaj njëri tjetrit.

Ishte 5 korrik, data kur Policia e Kosovës ka arrestuar 23 persona të dyshuar për dallavere me patentë shoferë. Arrestimi i këtyre zyrtarëve të Ministrisë se Infrastrukturës që udhëhiqet nga Pal Lekaj i AAK-së ka shkaktuar reagime të shumta nga zyrtarët e LDK-së.

Ishte Ish kryeministri Isa Mustafa ai i cili shkroi një status duke thënë: “Ministri Lekaj, derisa po gjykohen rreth 20 zyrtarë të tij për korrupsion, e ka gjetur të merret me opozitën. Vërtetë, dikush po tallet me qytetarët! Veç jo opozita.

Ministri do të ishte më mire të mendojë, si prind që është, se sa janë nga shoferët me leje të blear nga zyrtarët e tij, që po vrasin fëmijët tanë nëpër rrugë. Dhe të ndjej përgjegjësi. E jo të tregojë se si duhet të mbetet në pushtet”.

Kurse Ministri Pal Lekaj, ia ktheu gjithashtu përmes rrjetit social Facebook duke i thënë Mustafës se Facebooku e ka lënë në shtëpi dhe nga ky rrjet nuk rregullohen gjërat. “Ish Kryeministër, e dimë të dytë që po bëhen gjëra të mëdha, por nuk jam “zoti” siç po më drejtoheni.

Aktivisti i shoqërisë civile, Haki Abazi, për “Bota sot” tha që kjo përplasje është mungesë e debatit për çështje përmbajtjesore:

“Ashpërsimi i gjuhës dhe përplasja ndërmjet partive politike tregon mungesën e debatit për çështje përmbajtjesore. Në rastin e përplasjes së Ministrit Lekaj me Isa Mustafën tregohet edhe mungesa e kulturës se trajtimit me korrektësi dhe respekt. Mendoj qe Ministri Lekaj është zënë ngushtë me skandalet për patentat dhe tani në taktikat e vjetra me gjuhë të papranueshme po mundohet të zhvendosë vëmendjen.”, tha Abazi.

Më tej, Abazi u shpreh se beson që një ditë të ketë drejtësi të pavarur, mirëpo Abazi thekson që nuk të befasohesha që këto Ministri të tentojnë të fshehin dëshmitë se si janë trajtuar institucionet:

“Në fakt është kotë keqpërdorimet që janë bërë në atë ministri janë të pakalueshme, besoj një ditë do të ketë drejtësi të pavarur dhe do të kontrollohen të gjitha kontratat dhe shmangiet e procedurave, nuk e besoj që Ministrit Pal Lekaj mund të kalojë pavarësisht që ajo që po ndodhë në ministrinë tij mund të jetë edhe një përplasje e anëtarëve të koalicionit sepse e dimë, që drejtësia është politike dhe shume selektive në Kosovë.

Nuk do të befasohesha sikur të ndodhte ndonjë zjarr i madh në këto Ministri për të tentuar që të fshehen dëshmitë, por vërtet është gërditshme se si janë duke u trajtuar institucionet. Pal Lekaj iu është bashkuar standardit të ministrave të PRONTOs”, përfundon Abazi, për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat