Shkëmbimi i territoreve është çështje mjaft aktuale dhe e kundërshtuar, pasi u paraqit nga presidenti Hashim Thaçi.
E së fundmi kryeministri maqedonas, Zoran Zaev zbuloi planin për ndarjen e Kosovës, derisa ishte viktimë e dy komedianëve rusë, të cilat iu prezantuan si Pornoshenko.
Zaev zbuloi se plani është bërë nga Thaçi, Rama, Vuçiq, Putin dhe Erodogan.
Lidhur me këtë, deputeti nga radhët e LDK-së, Naser Rugova, ka thënë për gazetën “Bota sot” se kjo është ide e vjetër, që pamundësohet nga populli i Kosovës, si dhe rendi kushtetues dhe juridik i vendit.
“Kjo ide nuk është e re, është e gatuar nga anti Kosova. Populli i Kosovës si dhe rendi kushtetues dhe juridik i vendit tonë e pamundësojnë një gjë të tillë”, është shprehur ai.
Sipas Rugovës, është fat që partnerët strategjik në krye me SHBA-të janë kundër kësaj ideje ruso-serbe, duke shtuar se LDK është shumë e vendosur për sovranitetin, integritetin dhe rendin kushtetues të vendit tonë.
“Është fat i madh që partnerët tanë strategjik në krye me SHBA-të, janë kundër këtij opsioni ruso-serb. Spektri politik i Kosovës është kundër një ideje të tillë dhe kjo nuk do të jetësohet kurrë. LDK është shumë e vendosur për sovranitetin, integritetin dhe rendin kushtetues të vendit tonë”, ka deklaruar deputeti Rugova për “Bota sot”.