Profesori ndërkombëtar pret koalicion LDK-LVV-AAK

Politika

Profesori ndërkombëtar pret koalicion LDK-LVV-AAK

Nga: D. B Më: 23 korrik 2019 Në ora: 12:40
Ilustrim

Dorëheqja e Ramush Haradinaj pritej të pasonte me zgjedhje të reja ose me krijimin e një mazhorance të re. Mazhoranca e re, e cila do të sillte edhe një qeveri tjetër duket se nuk mund të krijohet, pavarësisht dëshirës dhe përpjekjeve të Presidentit Thaçi për këtë variant.

Kështu ka vlerësuar profesori ndërkombëtar Enver Bytyçi i cili në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se Thaçi do të donte vazhdimin e qeverisjes nga ana e PDK-së me synim rikthimin në bisedimet me Serbinë sipas projektit për ndarjen e Kosovës.

Por sipas tij, duket se dorëheqja e kryeministrit në largim i ka vënë gafil.

Image
Prof. dr. Enver Bytyçi

“Partitë opozitare nuk pranuan të veprojnë sipas oreksit të presidentit të vendit. Ato do të humbasin elektorat nëse do të merrnin pjesë në një koalicion të ri me Partinë Demokratike të Kosovës. Kjo sepse askush nuk dëshiron t’i afrohet asaj pas dëmit që i është shkaktuar Kosovës me projektin e themeluesit të aj për ndarje territoriale. Mesa shihet mbeten si opsion vetëm zgjedhjet e parakohshme, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditëve nga dita e sotme, kur kryeministri i paraqiti dorëheqjen presidentit. Thuhet se 8 shtatori do të jetë ditë zgjedhjesh. Ka shumë mundësi që të ndodh kësisoj. AAK ka deklaruar se nuk bën koalicion parazgjedhor me PDK-në dhe as me LDK-në e Vetëvendosjen. Edhe Lidhja Demokratike zotohet që të mos ketë një bashkëpunim parazgjedhor me PDK-në. Ndërsa Vetëvendosja ende nuk është deklaruar qartë, megjithatë nuk besoj se Albin Kurti i afrohet PDK-së, së paku para zgjedhjeve”, ka thënë profesor Enver Bytyçi.

Sipas tij, Kadri Veselit dhe Hashim Thaçit i mbetet të kërkojë partnerë të vegjël e shumë të vegjël, përveçse Listës Srpska.

“Kjo do të thotë se partitë politike të Kosovës do të shkojnë në zgjedhje të ndara, veçmas. Ndoshta Lidhja Demokratike dhe Vetëvendosja do të dalin me lista të përbashkëta, por kjo do të ishte një ngjarje e pazakontë, sepse i vetmi lider që konteston rolin e Ibrahim Rugovës është Albin Kurti, ndonëse Thaçi de facto i ka shpallë luftë edhe pas vdekjes presidentit historik të Kosovës. Por nëse do të shkohet veçmas në zgjedhje, kjo do ta bënte më të bukur fushatën elektorale dhe koalicioni pas zgjedhor për krijimin e qeverisë së re do të ishte më i qëndrueshëm. Dhe nëse ndodh kjo pres një koalicion qeverisës midis Lidhjes Demokratike, Vetëvendosjes dhe AAK-së. Besoj se këto tri parti do të jenë në tri vendet e para me numër deputetësh të përafërt”, ka thënë profesor Enver Bytyçi.

Ai konsideron se qytetarët e Kosovës do ta çojnë në opozitë Partinë Demokratike, sepse ajo është identifikuar me autorin e shkatërrimit të shtetësisë dhe territorit të Kosovës, Thaçi.

“Nëse VV, LDK dhe AAK formojnë qeverinë, Lista Srpska nuk do të ketë rol bllokues, edhe nëse ajo merr pjesë në qeveri. Është e sigurt se këto tri çarti politike do të kenë ndoshta dy të tretat e numrit të deputetëve të Kosovës. Pa qenë optimist euforik, pres që zgjedhjet e reja në Kosovë më 8 shtator apo në një datë tjetër të sjellin fundin e politikave servile dhe të dëmshme për Kosovën të Hashim Thaçit. Madje pres që Kosova të hyjë në një etapë të re të ndërtimit të plotë të shtetësisë së saj. Megjithatë kjo varet edhe nga ajo se kush do të jetë lideri i ri i Lidhjes Demokratike. Nëse do të vijë në krye të saj ndonjë ‘thaçist’, atëherë do të prishen ekuilibrat politik dhe rezultatet e zgjedhjeve mund të vihen në pikëpyetje sa i përket ndikimit për ndryshim rrënjësor të qeverisjes në Kosovë”, është shprehur profesori ndërkombëtar Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat