Bashkëpunimi me VV-në konsiderohet i dëmshëm për LDK-në, kjo është arsyeja

Politika

Bashkëpunimi me VV-në konsiderohet i dëmshëm për LDK-në, kjo është arsyeja

Nga: G.B Më: 24 korrik 2019 Në ora: 15:23
LDK-VV

Partitë politike po presin që presidenti të shpallë zgjedhjet e parakohshme, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj nga posti i tij.

Ato janë shprehura të gatshme për zgjedhje, derisa LDK dhe VV janë përmendur si parti që mund të shkojnë në zgjedhje si koalicion zgjedhor.

Analisti politik, Leon Duhanaj, mendon se pas dorëheqjes së Haradinajt, ose duhet të bëhet një qeveri teknike ose të shkohet në zgjedhje, por që presidenti sipas tij, nuk do të thërriste zgjedhje por do të bënte ndonjë qeveri vasale.

Image
Leon Duhanaj

“Pas dorëheqjes së Kryeministrit Haradinaj, Kosova gjendet para situatës e cila ose duhet të sjellë një Kryeministër të ri, e i cili mund të vie vetëm me një marrëveshje me opozitën, që do të thotë qeveri teknike, ose zgjedhje të parakohshme. Për mendimin tim nëse do të varej nga Presidenti, nuk do t'i thërriste zgjedhjet, por do ta kamuflonte ndonjë qeveri vasale, e cila do t'i mundësonte të vazhdojë agjendën në të cilën ka punuar tash dy vjet”, është shprehur ai.

Sipas Duhanajt, zgjedhjet duhet të mbahen dhe secila parti duhet të garojë e vetme dhe të paraqes qëndrimin për zgjidhjen e çështjes së dialogut me Serbinë.

“Për mendimin tim, çdo vonesë në çarrësimin e situatës, mund të jetë e dëmshme për Kosovën, këndej sa me parë duhet të merren hapa drejtë caktimit të zgjedhjeve. Bazuar në zhvillimet e viteve të fundit dhe, situatën aktuale. Më së miri kishte me qenë që secila parti të garojë e vetme në zgjedhje dhe të paraqesë qartë qëndrimin partiak rreth zgjidhjes së çështjes së dialogut me Serbinë. Ne jemi dëshmitar që parti të ndryshme e sidomos LVV-je çdoherë të thirret në emër të popullit përderisa as nuk ka mandat të qeverisë e vetme e as nuk kooperon me subjekte tjera. E gjithë puna që bëjnë në kuazi bashkëpunim, është për qëllime meskine të dëmtimit të kundërshtarit me të cilin janë në bashkëpunim”, ka vlerësuar Duhanaj.

Ai e sheh të pamundshëm bashkëpunimin LDK-VV, pasi për LDK kjo do të ishte e dëmshme, sepse është partia më e madhe dhe më mirë të mbetet e tillë në opozitë, se sa të hyjë në një listë me VV-në.

“Bashkëpunimi me LDK-në, konsideroj që është i pamundshëm dhe shkuarja në zgjedhje me listë të përbashkët, për LDK-në shumë i dëmshëm. Është 100% me mirë të mbetet në opozitë si partia më e madhe se sa të hyjë në një listë me LVV-je. Kosova, përkatësisht subjektet politike, duhet të largohen nga praktika e kalkulimeve dhe t'i kthehen detyrave parësore në shërbim të vendit”, ka deklaruar Leon Duhanaj për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat