“Deputetët robotë që po komandohen me teledirigjues nga shefat e partive”

Politika

“Deputetët robotë që po komandohen me teledirigjues nga shefat e partive”

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 26 korrik 2019 Në ora: 21:18
Kuvendi i Kosovës

Shumë projektligje po mbesin peng si shkak i mungesës së deputetëve në seance të Kuvendit. Disa herë janë kritikuar deputetët për mos punë, megjithatë askush nuk po merr përgjegjësinë për këtë.

E kur ishte fjala nëse duhet të hiqen mëditjet e deputetëve që mungojnë nëpër seanca, ata ishin shumë të zëshëm duke votuar në favor të tyre.

Kështu, zëvendësshefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Riccardo Serri gjatë një vizite në Kosovë disa ditë më parë ka kritikuar kuvendin e Kosovës për mospunë.

"Ka situatë të polarizuar në Kuvend, ka çështje që kanë të bëjnë me funksionimin e Kuvendit, shpesh ka mungesë kuorumi, mungesa në votim të legjislacionit, mungesë e organizimit struktural kur ka të bëjë më thirrje të seancave Kuvendi nuk takohet për kohë të gjatë këto kanë ndikim në produktivitetin e Kuvendi", ka deklaruar ai.

Millaku: Mungesa në seanca ka pasur nga mazhoranca jo nga opozita

Image
Drita Millaku

Lidhur me këtë, deputetja e Vetëvendosjes, Drita Millaku në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se thotë se Kuvendi ende ka projektligje që nuk i ka kaluar të vitit 2018, e më tepër edhe të 2019-tës. Ajo thotë se mungesat e deputetëve janë më shumë të mazhorancës.

“Është e vërtetë që Kuvendi ende ka projektligj që nuk i ka kaluar nga viti i kaluar e të mos flasim për vitin 2019 . Por, në këtë rast Kuvendi asnjëherë nuk e ka pasur mazhorancën dhe mungesa në seanca ka pasur nga mazhoranca jo nga opozita”, thekson deputetja Millaku.

Ajo thotë më tutje se subjekti politik i Vetëvendosjes kanë qenë të rregullt dhe aktiv në secilën seancë. Ndërsa ndëshkimi duhet të vijë nga qytetarët me të drejtë vote.

“Unë tani po flas vetëm në cilësinë e subjektit tim, ne kemi qenë të rregullt edhe në pjesëmarrje por edhe aktivë për të gjitha çështjet. Por ndëshkimi do të duhej t'u ipet me votë të gjithë atyre të cilët kanë munguar. Shpresoj shumë që qytetarët kësaj radhe dinë të bëjnë zgjedhjen e duhur se kush duhet ta drejtoj qeverinë, si dhe deputetët të cilët kanë mundësi të votojnë pa interesa personale e pa presione politike siç kanë bërë deri më tani”, thotë deputetja Millaku për “Bota sot”.

Kamberi: Përgjegjësia ma e madhe bije mbi qytetaret e Kosovës me të drejt vote

Image
Adrian Kamberi

Njohësi i çështjeve politike, Adrian Kamberi thotë se Kuvendi i Kosovës secilën legjislaturë është më i dobët. Madje thotë se deputetët me më shumë akuza, marrin më shumë vota.

“Kjo që ka thanë zotri Serri nuk është asgjë e re, Kuvendi I Kosovës fatkeqësisht secilën legjislature është vetëm me i dobët. Ne, populli i Kosovës asnjëherë nuk i kemi ndëshkuar me votë, për çudi njerëzit që kanë ma shumë akuza marrin ma shumë vota dhe kjo është shqetësuese për mua”, thotë Kamberi.

Ai thotë më tutje se përgjegjësia më e madhe bie mbi qytetarët me të drejtë vote.

“Sa i përket përgjegjësisë se kush duhet ta merr, unë nuk pres se ata (deputetet) të marrin përgjegjësi, sepse ata janë të pa përgjegjshme dhe pa të përgatitur që të jenë të ulur aty, po të ishin përgjegjës shumica nga ta as që do të kandidonin për deputet ne kuvendin e Kosovës. Përgjegjësia ma e madhe bije mbi qytetaret e Kosovës me të drejt vote. Ne tërë ditën i akuzojmë në Facebook, pastaj i votojmë”, thekson Kamberi për “Bota sot”.

Parlamentin e Kosovës gati në dy mandate e udhëheqë një njeri i pazoti për këtë punë

Image
Binak Maxharraj

Ndërkaq, profesori dhe publicisti Binak Maxharraj, në një prononcim për “Bota sot” thotë se është për tu lavdëruar se zëvendës shefi i Zyrës së BE Riccardo Serri e ka kritikuar Parlamentin e Kosovës për mospunë. Sipas tij, kjo është e vërtetë, këtë e dinë çdo kush, e dinë edhe populli së Parlamenti i Kosovës është Institucioni shtetëror i cili nuk i kryen detyrat të përcaktuara më Kushtetutë si Ligjdhënës.

“Parlamenti i Kosovës jo vetëm kohët e fundit por për shumë vite, gati në dy legjislatura gati së nuk ka kurrfarë performancë, thjeshtë nuk punon, apo është duke e penguar dikush që të mos punojë siç duhet. Parlamentin e Kosovës gati në dy mandate e udhëheqë një njeri i pazoti për këtë punë, një njëri i padijshëm dhe për me shumë një njeri sharlatan. Për tu emëruar si Kryeparlamentar Kadri Veselit iu deshën hiq më shumë së tre muaj pas zgjedhjeve, sepse askush nuk dëshironte që ai të zgjidhet pos partisë së tij. Tre muaj pas zgjedhjeve parlamentare shkuan huq për një njeri i cili hiq nuk e meriton të jetë në krye te Parlamentit. Nuk e meriton sepse nuk e një punën që bënë, pos kësaj Kadri Veseli nuk ka as performanca të duhura sepse është një njeri i cili e udhëhoqi një SHIK, nuk është në sy të mirë në opinion. Është një njeri i cili nuk dinë të sillet siç duhet në Parlament, i shanë dhe injoron ata që nuk mendojnë si ai. Është e njohur ajo thënia thënë një deputeteje :”ma hang...” apo ajo tjetra”do të ju rrasi SHIK”,etj. Kjo do të thotë së këtij njeriut i mungon performanca e një njeriut i cili mund të udhëheqë më Parlamentin. Ky njeri nuk është i zoti ta udhëheqë dhe drejtoj seancat e Parlamentit siç duhet, krijon skena të papëlqyeshme, nuk është në gjendje të krijoj disiplinë dhe respekt për deputetët”, thekson Maxharraj.

Ai thotë më tutje se Parlamenti gjatë udhëheqjes së Kadri Veselit pati një performancë të dobët, që karakterizohet nga papuna e duhur në kryerjen e detyrave të legjislativit, shumë ligje kanë mbetur pa u aprovuar nga mos disiplina e deputetëve, të cilët nuk i respektojnë as normat më elementare të sjelljes si deputetë, apo të zgjedhurit e popullit.

“Parlamenti është një grumbull njerëzish të zgjedhur nga vota e popullit dhe duhet që të punojnë jo për vete por për popullin. Parlamenti i Kosovës nuk është një Parlament i mirëfilltë, por më shumë i përngjanë një kopeje delesh me të cilët shefat e tyre i ngrehin për vesh dhe i qojnë kah të duan. Deputeti duhet të jetë qenie në veti, deputet në veti të këtë unin dhe egon e vetë, duhet të mendojë me kokën e vetë dhe jo me kokën e shefit te shefave, të partive etj. Nëse nuk mendon dhe vepron kështu, deputeti nuk është deputet por është një robot për të votuar në shërbim të partisë e jo të popullit i cili ia ka dhënë votën. Kështu vepruan këta robot- deputet më 2015 ku e votuan Gjykatën Speciale të inicuar nga Serbia me të cilën ia dha një grusht të fortë shtetit të Kosovës për interesa të Serbisë, e derisa Serbia punonte me të këta tanët talleshin me raportin e Din Martit, që faktikisht ishte raport i Serbisë për ta njollos luftën çlirimtare të popullit të Kosovës”, thekson Maxharraj.

Memeti: Kosova nuk guxon assesi të lejoj këtë tempo

Image
Faton Mehmeti

Po ashtu edhe analisti Faton Mehmeti thotë se, pavarësisht se Kuvendi duhet të jetë tempull i demokracisë, Kuvendi i Kosovës nuk punon dhe shihet si bankë për të zhvatur paranë publike, tregon qartë se çfarë niveli të demokracisë kemi.

“Kritika e z. Serri është krejtësisht korrekte, duke dhënë një mesazh të fortë për reflektime. Kosova nuk guxon assesi të lejoj këtë tempo, por duhet që qytetarët të kenë vigjilence se kë e votojnë. Duhet ndryshim të rregullores së punës së Kuvendit për deputetë, që të ndëshkohen ata që nuk marrin pjesë në seanca dhe kështu do të mund të jepte një sinjal të reagimit. Natyrisht se me këtë klasë politike kjo gjë s’mund të ndodh, duke shpresuar në ndryshim të pas zgjedhjeve”, thekson analisti Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat