Ekskluzive: Gjykata Speciale çon ftesa masive në Kosovë

Politika

Ekskluzive: Gjykata Speciale çon ftesa masive në Kosovë

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 28 korrik 2019 Në ora: 13:40
Gjykata Speciale

Të ftuarit aktualë dhe të ftuarit potencialë nga Gjykata Speciale paguhen prej taksave tona. Duket se shoqëria jonë e ka normalizuar bashkëjetesën me krimin, e prandaj edhe nuk ngre krye.

Nisur nga kjo, shkurtimisht po iu tregoj një ngjarje të vërtetë dhe po tërheq një paralele:

Në Mars te 2017-s, isha për një vizitë tre ditore në Shqipëri, gjegjësisht Tiranë, Vlorë dhe Fier. Arsyeja ishte kjo: hulumtim shkencor për atë se çfarë pasojash kanë lënë trazirat e viteve 97-98’. Periudhë kjo që nënvizohet me të zezë për Shqipërinë. Periudhë kohore kur në vend të bukës, disa shqiptarë hanin plumba. Ishte luftë civile me fjalë tjera. Ne në Kosovë, kishim luftë por luftë por jo civile megjithëse herë pas here, situata s’ishte më ndryshe as tek ne, nga ç’ishte në Shqipëri.

Që të mos iu torturoj, po ua them ndoshta gjënë më irrituese e banale që më ndodhi kur u takova me një grup penzionistësh, të cilët të vetmen shoqëri e kishin me figurat e lojës së shahut: Kalin, Mbretin, Topin, Oficerin, Piunët etj. Nuk dihej a luanin ata me shahun, apo shahu me ta.

Në të vërtetë ishin mjaft mikpritës. Edhe pse dukej atmosfera e rrënuar, niveli i dobët i higjienës, pleqtë ishin simpatikë dhe të sjellshëm, por ja që edhe gënjeshtarë.

Kur nisja të flisja me F. u tmerrova derisa më tregonte rrëfimin e tij të asaj periudhe. Djali i tij, S., kishte marrë dënim prej 27 vitesh për vrasje, tentimvrasje dhe shpërndarje të drogës.

Por, habia ishte se Faiku nuk kishte kurrfarë hatërmbetjesh me të birin për veprat e tij kriminale. Bile, e revoltonte fakti që djalin e tij e kishte në burg. Ai nënkuptonte që djalin nuk duhej t’ia burgosnin sepse vrasjet në atë kohë – këtë troç ma tha – ishin normale.

“Secili vriste kë të mundte në atë kohë!” më tha qetësisht ai.

Një diler droge, një vrasës e gangster konsiderohej si njeri i ndershëm që duhej liruar sa më parë. A s’është kriminale në vetvete një qëndrim i tillë. Dhe ai s’ishte i vetëm, në fakt i gjithë komuniteti i mbante për heronj kriminelët, vrasësit, trafikantët e grave e fëmijëve, trafikantët e drogës. Oh, medet! Por, kështu jemi bërë edhe ne. Edhe ne i kemi heroizuar një mori vrasësish të pashpirt. Luftë ishte! – themi vetmevete, ose edhe njëri-tjetrit.

2008. Ky ishte viti kur fati i Kosovës nisi të përcaktohej. Së pari, e shpallëm pavarësinë dhe sovranitetin ndaj Serbisë. Ah sa bukur! Edhe unë si një student i ri 20 vjeçar u bëra me shtet! Pooor, bash në atë vit filloi shtrirja e korrupsionit enorm nga zullumqarët e sojit të Hashim Thaçit. Dhe, bash në atë kohë u publikua edhe Raporti i Dick Martyt.

700. Na hëngrën shtatë qind prej asaj kohe. Në javët e fundit, Gjykata Speciale po thërret një nga një disa nga këta zullumqarë të pandjeshëm. E thirri Ramush Haradinajn dhe shumë komandantë si ai. Thuhet se e thirri edhe Hashim Thaçin e Kadri Veselin, por të cilët duke pasur karakter tinëzakësh, e fshehën një gjë të tillë.

10000000. Kush do të paguajë për mbrojtjen e këtyre multi-milionerëve? Askush tjetër pos meje dhe ju të tjerëve. Askush tjetër pos njerëzve në varfri e varfri ekstreme. Askush tjetër pos njerëzve të mbetur pa kurrfarë perspektive, pa kurrfarë kualifikimi, pa kurrfarë mundësish. Edhe lypsarët që i shohim rrugëve. Edhe njerëzit që s’kanë bukë të hanë.

Cila është logjika e kësaj gjëje? S’ka. Ne i shohim që të gjithë ata që janë thirrur nga Specialja deri më tash, janë njerëz të kamur. Si u pasurua ky rod i keq? Në mënyra tepër të dyshimta, nga një sistem tepër korruptiv. Pra, na vodhën e na vodhën pa kursim dhe në fund pa na pyetur fare do të paguajnë për mbrojtjen e tyre nga xhepi ynë.

Presupozohet që të gjithë ne, tok së bashku, besojmë pa kusht në pafajësinë e tyre. Në pafajësinë e të gjithëve bashkë. Unë për vete NUK BESOJ. Unë për vete besoj që janë bërë krime dhe nuk shoh kurrfarë arsyeje që të paguaj avokatin dhe seancat e një të dyshuar për krime lufte. E një njeriu që vrau njerëz të pafajshëm e të paarmatosur.

Por, askush nuk më pyeti dhe askush nuk më pyet. Për më tepër, më duket se jam njeriu i vetëm që e protestoj një gjë të tillë. Ju të tjerët duket se jeni të kënaqur që ata të mos iu futen direkt në shtëpi e t’iu vjedhin pasuritë tuaja. Mjaftoheni që nuk po iu marrin me zor paratë nga dora. Jeni pakëz primitivë, po jua them troç, duhet ta pranoni!

Ata e kanë lidhur fatin e tyre si individë me fatin tonë kolektiv. Nëse Rrustem Mustafa, për shembull, shpallet fajtor për aksh krimi, atëherë fajtor do të jem unë bashkë me juve të tjerëve. Sepse, ne po i paguajmë pa bërë zë. Nga taksat tona. Nga shteti ynë. Ne nuk po dalim që njëzëri t’iu themi “Shporruni o multimilionerë të dyshimtë!” Por jo, ne nuk e çelëm mendjen asnjëherë, nuk dyshuam asnjëherë, dhe kësisoj ramë në kurthin e tyre.

Prandaj, askush tjetër pos popullit tonë nuk e meriton të thirret në Gjykatën Speciale e t’i shtrohen një varg pyetjesh të rënda.

“Ku ishit ju z. Valon, derisa kriminelët potencialë të luftës po paguanin avokatët me paratë e juaja?”

“A jeni ju aq i pasur sa të paguani për mbrojtjen e këtyre multimilionerëve?”

“A ishit ju pjesëmarrës në çdo ditë e çdo orë të këtyre luftëtarëve për të garantuar në pafajësinë e tyre në luftë?”

“A mendoni se është e drejtë të vritet e masakrohet një i pafajshëm, edhe kur nuk është shqiptar?”

Dhe po, të dashur lexues të shumtë, po, pasiviteti ynë është bërë kriminal. Ne meritojmë të dënohemi kolektivisht për tolerancën e jashtëzakonshëm që po jua bëjmë hajdutëve e kriminelëve.

Dhe në fakt, po, ne do t’i hamë dënimet e tyre. Pa qenë fare të akuzuar nga Gjykata Speciale! 

Ne e kemi lejuar dhe po e lejojmë të keqën të marrë dhenë. E g’zofshim me sh’net.

Nëse pajtohesh me këtë shkrim, shpërndaje dreqi e mori, shpërndaje që edhe të tjerë të mendojnë si ne!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat