Bazaj konfirmon kalimin në AAK, hedh akuza të rënda ndaj Veselit dhe zbulon diçka të padëgjuar më parë për PDK-në

Politika

Bazaj konfirmon kalimin në AAK, hedh akuza të rënda ndaj Veselit dhe zbulon diçka të padëgjuar më parë për PDK-në

Nga: A.ZH Më: 28 korrik 2019 Në ora: 14:00
Kadri Veseli dhe Naim Bazaj

Naim Bazaj, është treguar kritik ndaj Partisë Demokratike të Kosovës.

Bazaj kishte kandiduar si i pavarur për kryetar të Komunës së Drenasit në zgjedhjet lokale, pasi ishte i pakënaqur me trajtimin që iu bë në PDK, por më pas kishte tërhequr kandidaturën për të parin e kësaj komune, pas presioneve dhe premtimeve nga kryetari Kadri Veseli.

E në zgjedhjet nacionale, Bazaj synon që me pëlqimin e Ramush Haradinajt, të kandidojë për deputet të Kuvendit të Kosovës.

Image
Fotografia e publikuar nga Daut Haradinaj

Këtë e ka konfimuar vet Naim Bazaj, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, i kontaktuar pas një fotografie të publikuar në Facebook, ku ai shihej me Daut Haradinajn, e ku alodohej se ai kishte kaluar në AAK.

Bazaj ka theksuar se nëndegët e PDK-së në Drenas janë të pakënaqura me struturën e kësaj partie. Ai ka akuzuar PDK-në për blerje votash dhe “lojë me popullatën”, madje e ka quajtur “komuniste”.

“Burimet brenda kësaj partie thonë se nëndegët e PDK-së në Drenas janë më të pakënaqurat me këtë structure. Këto nëndegë kanë kërkuar që Zona e Drenasit apo shefat për Drenas dhe grupin e tyre apo klani që gjithmonë kanë luajtur me popullaten e kësaj treve, vetëm 4-5 familje të udhëheqin me Drenasin dhe ata kërkojnë që të bëhemi vegla të tyre, të mos i’a prishim muhabetet nivelit qendror dhe kur të vjen fushata, ata i blejnë votat. Ministra e deputetë dalin në mbështetjen e Partisë Jo demokratike siç thonë ata se është Demokratike. Unë mendoj se jo, por mund të them komuniste është”, ka thënë Naim Bazaj.

Ai ka deklaruar se është tradhtuar nga Kadri Veseli, kur e kishte tërhequr kandidaturën. Bazaj e ka quajtur Veselin “njeri të pabesë”.

“Ju e dini mirë se kur isha kandidat i pavarur, ka dashur që jepte dorëheqje Kadri Veseli. U përlotën vetëm të tërhiqem dhe më bënë “lutje në tokë e në qiell”, duke parë elektoratin që ishte shumë i fuqishëm, por aty më tradhtuan, Kadria me piunat e vet që të tërhiqem. Unë gabova se i besova njerëzve të pa besë”, është shprehur ai.

Sipas Bazajt, PDK-ja ka shpenzuar shuma parash në fushata që të dilte fituese në Drenas.

“Kanë shpenzuar tepër dhe shuma parash në fushata vetëm të dalin fitues në Drenas. Premto, punëso e mos realizo asgjë e vetëm fjalë. Duhet ta di opinioni se Drenasi ka njerëz që dinë dhe ia dalin, e jo me pilifunca gjithmonë si deri më tani”, ka thënë ai më tej.

Bazaj ka akuzuar PDK-në se në emër të partisë dhe të luftës, kanë punësuar familjarë dhe kanë ngritur ata në karrierë, derisa familjarët e dëshmorëve kanë ikur nga Kosova.

“Dezertorët e luftës dhe gjithmonë përfituesit e interesit në emër të luftës, e në emër të partisë, fajdexhinjtë me shantazhe e kanë shkatërru këtë Kosovë. Jeta iu shkoi qe 20 vjet pas lufte të njëjtët njerëz duke u thirrur në emër të gjakut të dëshmorëve…në emër të tyre punësuan familjarët e tyre, e shumë familjarë të dëshmorëve duhet të ikin nga Kosova, sepse pa qen ish-spiun apo i UDB-së nuk të afrojnë afër vetes. Trimat e PDK-së e shfytëzuan shtetin për të ngritur në karrierë familjarët e vet. Tani janë në gjendje që edhe familjet e tyre t’i fundosin vetëm për të qenë në pushtet”, ka thënë Naim Bazaj.

Ai ka konfirmuar për “Bota sot” se me pëlqimin e Ramush Haradinajt, do të kandidojë për deputet në parlamentin e Kosovës.

“Ndër të tjera, them se me pëlqimin e Ramush Haradinajt, do të kandidoj për deputet në parlamentin e Kosovës”, ka thënë Bazaj.

Ai ka treguar se PDK-ja ka akuzuar Haradinajn pas dorëheqjes, duke e quajtur tradhtar.

“Duket se dikush tashmë ka filluar fushatën parazgjedhore, pa u shpallur ende zgjedhjet. Në këtë takim ata nuk kishin lënë pa diskutuar edhe për Haradinajn, të cilin e kishin quajtur tradhtar, duke thënë se e tradhtoi koalicionin PAN, duke dhënë dorëheqje, por shtrohet pyetja a kanë lërë kënd pa tradhtuar këta të PDK-së?!”, ka thënë më tej Bazaj.

Në fund, ai ka thënë se PDK-ja nuk është parti e luftës, pasi sipas tij, dihet se çka kanë punuar familjarët e tyre me dekada.

“Nuk është parti e luftës, shumë mirë ne po e dimë këtë e sidomos që i njohum mirë babë e babagjysh të tyre çfarë patriotash, partizanë e bashkëpunëtorë të të gjitha sistemeve kanë qenë, prej kralit deri te Tito e Rrahman Morina, ne e dimë mirë çka kanë punuar me dekada me sisteme të YU e sot me u thirrë në emër të luftës, në emër të patriotizmit… neve mos të na shesin mend se odat e tyre në shërbim të shumarëve i kanë pasur”, ka theksuar Naim Bazaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat