Deputetja e LDK-së tregon a bëjnë koalicion me Vetëvendosjen dhe kënd mbështet për kryetar partie - Bota Sot
Deputetja e LDK-së tregon a bëjnë koalicion me Vetëvendosjen dhe kënd mbështet për kryetar partie

Politika

Deputetja e LDK-së tregon a bëjnë koalicion me Vetëvendosjen dhe kënd mbështet për kryetar partie

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 29 korrik 2019 Në ora: 23:19
Deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri

Ramush Haradinaj mori shkas nga ftesa e Gjykatës Speciale për të dhënë dorëheqje, por që duke e ditur se opozita ishte në proces e sipër të përgatitjes së mocionit për rrëzimin e qeverisë, ai u mundua të përfitojë politikisht dhe t’i ik shkarkimit. Kështu ka deklaruar në një intervistë për gazetën “Bota sot”, deputetja nga radhët e LDK-së, Besa Gaxherri, duke shtuar se zgjedhjet janë alternativa e vetme, sado që presidenti mundohet t’i ik procesit. Sa i përket zgjedhjeve, ajo ka thënë se LDK është e gatshme dhe se do të shkojë e vetme në zgjedhje. Ndërsa, sa i përket kuvendit zgjedhor të LDK-së, ajo ka thënë se kushdo që të zgjidhet do të jetë i pranueshëm dhe do vazhdojnë tutje.

“Bota sot”: Së fundmi Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit për shkak të ftesës nga Gjykata Speciale. Mendoni se ishte vetëm kjo arsyeja?

Besa Gaxherri: Zotëri Haradinaj, mori shkas nga ftesa e Gjykatës Speciale për të dhënë dorëheqje por siç dihet për të gjithë opinionin, përveç se opozita ishte në proces e sipër duke përgatitur mocionin për shkarkimin e qeverisë edhe koalicioni PAN nuk funksiononte, mazhoranca pakicën në Kuvendin e Kosovës nuk kishte kuorum as për të filluar seancën pa opozitën, janë afër 70 pika të rendit të ditës të filluara e të pa përfunduara për shkak të mungesës së numrit të deputetëve të mazhorancës.

Kuvendi me muaj të tërë është mbledhur vetëm për seanca të jashtëzakonshme apo urgjente nga opozita, shtuar kësaj përplasjet e përfaqësuesve institucional pra presidenti dhe krye kuvendari kundër kryeministrit. Si dhe presioni i faktorit ndërkombëtar, zt. Haradinaj shfrytëzoi rastin nga ftesa që ju bë nga Gjykata Speciale si i dyshuar dhe dha dorëheqje. Mendoj se me këtë akt ai u mundua të përfitojë politikisht dhe t’i ik shkarkimit.

“Bota sot”: Sipas jush, më mirë të shkoni në zgjedhje si parti e vetme apo në koalicion parazgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje?

Besa Gaxherri:Unë mendoj dhe besoj se këshilli i përgjithshëm do vendos që LDK të shkojë e vetme në zgjedhje, koalicionet duhet të bëhen pas zgjedhjeve, LDK ka kapacitete dhe mbështetje të fuqishme për të dalë subjekti i parë politik në këto zgjedhje dhe për të qeverisë vendin për mandatin e ardhshëm.

“Bota sot”: Së shpejti do të mbahet de Kuvendi Zgjedhor i LDK-së. Kë mbështesni ju për kryetar të partisë?

Besa Gaxherri:LDK është subjekti politik më i etabluar tashmë në Republikën e Kosovës, ka 30 vite përvojë në zhvillimin e demokracisë dhe shtet ndërtimit, fatbardhësisht në këtë subjekt politik ka mjaft intelektual e politikanë me përvojë që ta udhëheqin këtë parti. Statuti i LDK-së saktëson se kandidaturat shpallen në kuvend dhe kështu do të jetë. Për mua cilido që të fitojë shumicën e votave do jetë i pranueshëm dhe do vazhdojmë tutje.

(Intervistën e plotë mund ta lexoni të martën në gazetën kombëtare "Bota sot")

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...