Dëmet që ia shkaktoi Kosovës “perandoria mafioze” PAN, barrë mbi qeverinë e ardhshme 

Politika

Dëmet që ia shkaktoi Kosovës “perandoria mafioze” PAN, barrë mbi qeverinë e ardhshme 

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 2 gusht 2019 Në ora: 08:08
Foto ilustruese

Tani, shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme është vetëm çështje ditësh, teksa pothuajse të gjitha partitë politike janë pro këtyre zgjedhjeve, me përjashtim PDK-në e cila është e luhatshme në qëndrime.

Në të njëjtën kohë, kanë filluar edhe fushatat jozyrtare të partive politike, por edhe mundësitë koalicioneve të ndryshme, ku si koalicion i shpresës po cilësohet koalicioni i mundshëm LDK-Vetëvendosje, ndërsa shumica e partive të mëdha i kanë vënë vija të kuqe PDK-së, e cila me gjasë do të mbetet në opozitë legjislaturën e ardhshme.

Mirëpo, qeveria e re fillimisht ka shumë punë, për t’i përmirësuar të bëmat e qeverisë tanimë të dorëhequr, PANA, e cila po vlerësohet se i ka shkaktuar dëme të mëdha vendit. Kështu thonë për “Bota sot” zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK, e gjithashtu edhe njohës të çështjeve politike.

Rugova: Kjo qeveri konsiderohet si më skandalozja pas çlirimit

Image
Naser Rugova

Deputeti i LDK-së, Naser Rugova, e vlerëson këtë qeveri si më skandalozja pas çlirimit të vendit, teksa i ka përmendur edhe disa skandale të kësaj qeverie të dorëhequr.

“Kjo qeveri konsiderohet si me skandalozja pas çlirimit. Kanë marrë vendime paradoksale, kanë futur vendin në obligime me projekte ad hok dhe të pa studiuara si duhet. 53 milion gjobë për njërën nga autostradat, 60,000 veteran që e gërmojnë buxhetin e shtetit, dhe vendime te tjera që qeverisë së re do ia merr një gjysmë mandati t’i vejë në binarë këto parregullsi”, ka vlerësuar Rugova.

Millaku: Qeverisja e keqe e ka një emër dhe ai është PDK

Image
Drita Millaku

Ndërsa, deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje, Drita Millaku, është shprehur për “Bota sot” se, aty ku ka qeverisur PDK-ja, ka qenë qeverisje e dëmshme, ndërsa ka thënë se nëse PDK-ja prapë do të jetë në qeveri, do të ketë dëme për vendin.

“Qeverisja e keqe permanente që i është bërë vendit është tepër e dëmshme që nga paslufta e deri më sot nuk ka pasur qeverisje të mirë. Qeverisja e keqe e ka një emër dhe ai është PDK dhe nëse qeveria e ardhshme do të ketë brenda këtë parti, atëherë do të ketë akoma qeverisje të keqe”, theksoi Millaku.

Ajo shton tutje se me një qeveri të re të udhëhequr nga Vetëvendosja, vendit do t’i kthehet shpresa.

“Nëse qeveria e ardhshme do të udhëhiqet nga Vetëvendosja, atëherë do të kemi ndryshim fundamental dhe besoj se për një kohë jo të gjatë do të kemi një shpresë dhe një qeverisje të ndryshimit në dobi të qytetarit. Përndryshe qeverisja e kaluar ka qenë jo vetëm e keqe dhe skandaloze por edhe kriminale sepse ka pasur zhvatje dhe keqpërdorim klasik të parasë publike. Deri më tani kemi pasur Qeveri-mafi”, tha ajo.

Krasniqi: Është shumë vështirë që ky vend të kthehet në binarë

Image
Faik Krasniqi

E analisti politik, Faik Krasniqi, për “Bota sot” ka thënë se prej pasluftës, çdo qeveri është shoqëruar me skandale, mirëpo kjo e fundit ka qenë më skandalozja.

Ai mendon se Kosova është bërë vend i pahetueshëm për qytetarët e saj, dhe parajsë e politikanëve dhe bizneseve të lidhura ngushtë me ta.

“Prej pas luftës çdo Qeveri është shoqëruar me skandale, shpenzime enorme dhe punësime familjare. Asnjë Qeveri nuk e ka pasur prioritet zhvillimin ekonomik, hapjen e vendeve të reja të punës, shëndetësinë, arsimin etj, por vetëm interesin dhe partiak. Por, qeveria e fundit ka qenë më skandalozja. Ikja e qytetarëve në masë drejt vendeve të Bashkimit Evropian, është treguesi më i mirë se çfarë gjenocidi kanë bërë ndaj qytetarëve të këtij vendi. Kosova është bërë vend i pajetueshëm për qytetarët e saj, dhe parajsë e politikanëve dhe bizneseve të lidhura ngushtë me ta. Është shumë vështirë që ky vend të kthehet në binarë, sepse dëmet janë shumë të mëdha dhe largimi i qytetarëve e bën akoma më të vështirë!”, potencoi Krasniqi.

Haziri: PANA kishte synim ta falimentonte shtetin

Image
Nexhat Haziri

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike Nexhat Haziri, tha për “Bota sot” se qeverisë së re do t’i duhen vite për të riparuar dëmet e qeverisë së fundit, teksa ka përmendur disa prej tyre.

“Do të jetë një kohë e gjatë, mbase me vite që qeveria e ardhshme ta kthej normalitetin në qeverisje dhe sanimin e dëmeve që ka shkaktuar koalicioni PANA, qeverisja e së cilit u karakterizua me skandale dhe keqpërdorime të shumta, qeverisje kjo e tipit mafioz. Dëmet që i ka shkaktuar qeverisja Haradinaj kanë prekur të gjitha fushat që e karakterizojnë jetën e qytetarit, duke filluar nga ekonomia, sundimi i ligjit, arsimi, shëndetësia, mbyllja e vendeve të punës që ka goditur në masë të madhe gjendjen sociale edhe ashtu të rënduar, zhvatja e buxhetit të shtetit, deri edhe atë për emergjenca, tregon qartë synimin e koalicionit PANA, për ta falimentuar shtetin në dobi të interesave të tyre kriminale. Gjithë kjo ka prodhuar një varfërim dhe mungesë perspektive në vend që ka forcuar imigrimit të qytetarëve tanë, për të kërkuar një jetë më të mirë në shtetet e BE-së”, ka theksuar Haziri.

Tutje, Haziri thotë se qeverisë së re do t’i duhet të punojë edhe në sanimin e marrëdhënieve diplomatike, pasi sipas tij, PAN e ka shkatërruar.

“Qeveria e ish-kryeministrit Haradinaj, e involvuar në krim të organizuar, korrupsion, përpos dëmit të brendshëm po ashtu ka shkaktuar edhe dëm të madh vendit në aspektin ndërkombëtar duke e përfaqësuar me një diplomaci sharlatane e të pa koncept, misione diplomatike në baza partiake dhe familjare, ka bërë që Kosova në rrafshin ndërkombëtar të shihet si një shtet me demokraci të dështuar. Andaj për t’i bërë të gjitha këto sanime, qeveria e ardhshme duhet të përfaqësohet nga njerëz me kredibilitet moral, politik dhe profesional , dhe se duhet kohë për t’i arritur që ta kthej normalitetin e funksionimit të shtetit”, u shpreh ai për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat