Frikë se do të shkohet në vrasje për vota

Politika

Frikë se do të shkohet në vrasje për vota

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 13 shtator 2019 Në ora: 08:12
Foto ilustrim nga "Bota sot"

Ata pretendojnë të përfaqësojnë interesat e qytetarëve. Por, disa nga kandidatët për deputetë nga subjektet politike, gjatë para fushatës zgjedhore janë duke përdorur gjuhë denigruese dhe jo të duhur para qytetarëve nga të cilët presin të votohen.

Rivaliteti i ashpër politik, ka bërë që fyerjet e përfaqësuesve të një subjekti ndaj tjetrit të kalojnë shpeshherë edhe në rrafshin personal madje të eskalojnë edhe në dhunë fizike.

Një rast i tillë ndodhi edhe pas një debati të ashpër televiziv ndërmjet përfaqësuesit të Lëvizjes Vetëvendosje Haki Abazi dhe atij nga radhët e Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj.

Studiot televizive jo çdoherë kanë qenë vend për të debatuar. Ka pasur raste kur të ftuarit kanë harruar për çfarë janë ftuar, duke kaluar në gjuhë denigruese ndaj të ftuarve nga partitë tjera politike.

Kështu, debati ka tejkaluar formatin, e ka ndodhur që të ftuarit dhe janë rrahur mes vete.

Raste të tilla kanë ndodhur edhe jashtë studiove televizive, derisa kjo ka ndodhur pas debatit qëështë bërë në televizion.

Një rast i tillë ndodhi të mërkurën mbrëma pas emisionit në T7, ku kandidati për deputet nga VV, Haki Abazi, tha se është sulmuar fizikisht nga kandidati për deputet nga PSD-AAK, Dardan Molliqaj.

Kandidati për deputet nga radhët e VV-së, Haki Abazi, ka treguar çka ka ndodhur pas debatit në Pressing.

Ai ka thënë se ka qenë duke dalë nga televizioni T7, kur mbrapa tij kanë ardhur Dardan Molliqaj së bashku me shoqëruesin e tij, teksa thotë se e kanë sulmuar.

Sqarimi i Haki Abazit

Abazi ka thënë se fillimisht janë kapur për fyti dhe në mes tyre ka hyrë Rexhep Hoti i PDK-së.

Sipas Abazit, një goditje ndaj tij ka ardhur në këmbë.

“Kam qenë duke dalur nga koridori i terlevizionit dhe Dardani me shoqëruesin e tij erdhën përmbrapa dhe u kacafytëm dhe dojshimmem goditë. Ka hy Rexhep Hoti në mes dhe qashtu njëfarë situate e pakëndshme një kapjes për fyti e qisi senesh. Edhe një goditje në këmbë sdi ka më ka ardhë se ishte një situatë komplet jo e mirë”, ka thënë Abazi.

Ndërsa,Molliqaj ka thënë se nuk ka ndodhur asgjë, përveç një debati me tensione.

“Asgjë nuk ndodhi jashtë studios, përveç një debati me pak tensione që ishte vazhdimësi e debatit publik.Unë nuk i kam problem debatet televizive dhe ndjehem shumë komod t’i mbroj bindjet e mia. Nuk fshihem asnjëherë. Secilin veprim timin politik jam në gjendje ta arsyetoj deri në fund. Nuk e kam problem asnjë akuzë e sulm për veprimet e mia politike.Ankesa e vajtimet nuk mund t’i fshehin humbjet në nivel argumentesh nëpër debate televizive”, shkroi Molliqaj në Facebook.

Krasniqi: Karrieristë dhe ambiciozë të sëmurë

Image
Faik Krasniqi

Lidhur me gjuhën dhe përleshjet në emisione, dhe se sa ndikojnë këto që ata të fitojnë apo humbin elektorat, njohësi i çështjeve politike në vend, Faik Krasniqi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se kandidatët e partive politike kanë zgjedhur që debatin ta bëjnë me akuza por edhe me rrahje, që tregon se sa u intereson qytetari atyre.

“Kandidatët e partive politike në vend të debatit me argumente për problemet e qytetarëve, kanë zgjedhur që debatin ta bëjnë me akuza dhe kundër akuza, por edhe me boksa. Kjo tregon se sa u intereson atyre qytetari i Kosovës. Karrieristë dhe ambiciozë të sëmurë. S'kemi çfarë të presim nga këta njerëz, përveç degradim të mëtutjeshëm të këtij vendi”, është shprehur ai.

Sipas Krasniqit, nuk  duhet pritur asgjë nga ta, por njerëz të tillë kërkojnë votën e qytetarit dhe bëhen deputetë, duke shtuar se faj kanë dhe moderatorët që ftojnë njerëz të tillë në debate.

“Nuk është problemi se sa humbin apo fitojnë partitë me sjelljen e këtyre njerëzve, por problemi është që këta njerëz kërkojnë votën e qytetarit dhe bëhen deputetë. Dy prej tyre veçse në mandatin e kaluar ishin deputetë si Frashër Krasniqi dhe Dardan Molliqaj. Dy tipa që janë të njohur për dhunë dhe nxitje të dhunës. Fajin e kanë moderatorët që thërrasin njerëz të tillë nëpër debate. Unë personalisht nuk pres që këtu do të bëhet mirë ndonjëherë, sepse kemi klasën politike më idiote në Evropë”, ka deklaruar Faik Krasniqi për “Bota sot”.

Shahu: Fyerjet e rrahjet për vota filluan, tash ngadalë kam frikë se do të shkohet në vrasje për vota si në Shqipëri

Image
Rexhep Shahu

Rexhep Shahu, publicist i njohur ka deklaruar se pas fyrjeve dhe dhunës fizike ka rrezik të eskalimit deri në vrasje.

“Fyerjet e rrahjet për vota filluan, tash ngadalë kam frikë se do të shkohet në vrasje për vota si në Shqipëri. Enverizmi, e majta ekstreme revolucionare e dhunës është instaluar në Kosovë nga individë të ndryshëm e verë të vegjël që gjejnë shtrat në parti të ndryshme siç po shihen. Rrahjet i kemi parë në televizion nga njerëz që e konsiderojnë popullin lopë, tash u kërkojnë votën me presion grushtesh”, ka nënvizuar Shahu.

Sipas tij,  aty ku mungon fuqia e arsyes dhe argumenti më të dashtë e më të dhanë votën, hyn grushti e kërcënimi.

“Në Kosovë janë bere vrasje politike mafioze, druaj se do të hyjnë vrasjet për vota. Revolucionet e dhunës nuk i kërkon askush por botuesi duhet të bëjë refuzimin e madh kundër aktorëve e partive që kanë dhunën mjet të tyre. Kosova veç për dhune nuk ka nevojë, veç për Enverizmin nuk ka nevojë. Në emër të Enverit edhe mund të jenë vra njerëz në Kosovë por shoqëria sot duhet ta bëjë refuzimin e dhunës dhe politikave enveriste me votën kundër. Duhen refuzuar partitë që nuk distancohen nga Rusia e Turqia për ndërhyrjet e tyre se aty buron frymëzimi i dhunës në ekrane e në politikë nesër në zyrat e shtetit”, është shprehur ai.

Burjani: Debatet po bëhen me panelistë joprofesional

Image
Blerim Burjani

Kurse, për analistin Blerim Burjani, debatet në këtë parafushatë po bëhen me panele jo profesionale nëpër TV private, pa njerëz në panel profesional të fushave.

“Pastaj i tërë debati po nxitet nga panelistë të tillë, jo profesional dhe po i kontribuojnë edhe ashtu gjendjes së rëndë dhe luftës së madhe për punësim përmes votës së qytetarëve. Këto debate po nxisin gjuhën e urrejtjes, incidente në vend që debatet të prodhojnë rezultat se çka presin qytetarët, këto debate po marrin kahe 90 % ndër personale , dhe për këtë parafushatë që nuk e lejon ligji për zgjedhjet dhe rregullat zgjedhore por ambienti anarkik e ka rrok përpara. Gjithçka mund të pritet në këto debate në këtë mënyrë që udhëhiqen nga gazetarë që janë shndërruar në analistë dhe profesionistë të pa qenë, pra edhe udhëheqja e debateve nuk duhet sikur të mblidhen njerëzit e flasin neper mëhalla pa ndonjë kriter dhe pa asnjë përfundim kryhen dhe pastaj eskalojnë pas ose gjatë debateve pra ka shoë neper këto TV private por s’ka debate profesionale”, është shprehur Burjani.

Ai ka potencuar se, debati në këto mediume private po eskalon në grushte e konflikte dhe në vend që të flasin për problemet e qytetarëve kandidatët debatet i shndërrojnë ndër personale dhe konflikte.

Ndryshe, në vitin 2017, ish deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, tani kandidat i Partisë Socialdemokrate për deputet, Frashër Krasniqi, kishte goditur me grusht ish deputetin Milaim Zeka, gjatë një emisioni të drejtpërdrejtë televiziv.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat