Ja kujt ia kanë frikën të gjithë liderët politikë - Bota Sot
Ja kujt ia kanë frikën të gjithë liderët politikë

Politika

Ja kujt ia kanë frikën të gjithë liderët politikë

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 18 shtator 2019 Në ora: 17:03
Liderët e partive poltike

Hajmedet. Kjo para-fushatë zgjedhore po na tregon që asgjë nuk ka ndryshuar prej viteve 2000. Asnjë politikan nuk del në publik që të denoncojë hapur prirjet e shtrira gjithandej në shoqërinë tonë për korrupsion, nepotizëm e dallavere.

Po, miqtë e mi. Këta politikanë janë të korruptuar, por të mos bëhemi hipokritë, nuk është që shoqëria në të cilën jetojmë është lulë e dritë. Kjo shoqëri nuk është as e mirë, as e përulur, as e dashur. Ka një milion të këqija. E të cilat, të mos presim që do të ndryshojnë në varësi të atij që e merr pushtetin.

Jo. Shoqëria jonë do të kërkojë forma të ndryshme korruptive që të pasurohet. Do të kërkojë forma të ndryshme korruptive që të punësohet, që të marrë një shërbim të caktuar administrativ, që të kërkojë një tender, që të kërkojë pranimin e vajzës apo djalit në fakultet, e të tjera.

Dhe ajo çfarë na duhet me dëshpërim është një adresim i problemit. Ashtu siç luftojmë kundër primitivizmit e analfabetizmit, e siç iu bëjmë thirrje njerëzve të lexojnë e të shkollohen, duhet t’iu themi në fytyrë: o popull, ju jeni të këqij dhe duhet të përmirësoheni.

Është e vërtetë që nëse kemi liderë të pakorruptuar është mirë. Por, prapëseprapë, në nivelet e jetës ku ne bëjmë pjesë, të njëjtit njerëz do të sillen e do të pështillen, të njëjtit njerëz do të na sundojnë, e do të korruptojnë e korruptohen.

Pjesa më e madhe e njerëzve që e quajnë veten “të pakënaqur” në Kosovë, nuk janë “të pakënaqur” shkaku i korrupsionit e nepotizmit – por sepse këta liderë që i zgjedhën deri tash, nuk ishin mjaftueshëm të korruptuar sa t’i punësonin edhe ata, t’iu jepnin favore edhe atyre. T’ia shihnin hairin edhe vetë me pafytyrësi të gërditshme që i shohim për çdo ditë të zotit.

E, dorën në zemër, edhe njerëzit që i njohim nga opozita, sidomos nga Lëvizja Vetëvendosje, ose një pjesë e madhe prej tyre, janë pjesë e kësaj partie dhe dalin e flasin kundër këtyre dukurive shoqërore e politike, bash për këtë arsye: liderët politikë nuk ishin aq të korruptuar sa t’i përfshinin edhe ata në nivelet e larta të pushtetit.

Ne jemi shumë të vetëdijshëm se si rrjedhin gjërat në vendin tonë. Në çdo institucion. Në çdo ndërmarrje private. Kudo ka favorizime. Kudo ka dallavere. Kudo gjëra të pista. Por, shteti për këto s’ka faj. Këta liderë s’kanë faj. Është kultura e tmerrshme që meriton të dënohet. Që meriton të shahet e të poshtërohet.

Por, askujt s’i konvenon e vërteta. Asnjë lider nuk del që t’iu thotë “boll më o milet i keq se nuk bën kështu”. Asnjë lider nuk është i guximshëm që t’i dalë kundër kësaj shoqërie e të përballet me të. T’i thotë: “po ngadalë bre pak, se edhe ti ke probleme.”

Për këto që po i them nuk kemi nevojë për analiza të thella. I shohim me sytë tanë. Me përvojën tonë. Njerëz të prishur e të qelbur. Dashakëqij. Urryes. Dallaveraxhi. Ndodh rrallë të shohësh një burrë a një grua të mirë. Të gjithë të shohin si ujqër që duan të hanë me shikimet e tyre.

Turp të keni!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...