Paralajmërohet fundi i kompetencave të Thaçit në dialogun me Serbinë - Bota Sot
Paralajmërohet fundi i kompetencave të Thaçit në dialogun me Serbinë

Politika

Paralajmërohet fundi i kompetencave të Thaçit në dialogun me Serbinë

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 22 shtator 2019 Në ora: 07:56
Hashim Thaçi

Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, ka deklaruar se roli i presidentit Hashim Thaçi në marrëveshjen përfundimtare Kosovë-Serbi, do të jetë ceremonial, në dekretimin final të saj në Kuvend.

Por, se sa është e mundur që Thaçi të mos ketë kompetenca në dialog, kur dihet ndikimi që ai e ka pasur deri tash në këtë porces?

Analistët politik vlerësojnë se mënyra më e mirë për të përjashtuar Thaçin nga dialogu, është formimi i një ekipi të ri për drejtimin e dialogut, të miratuar në kuvendin e Kosovës.

Sipas tyre, kjo për faktin se Serbia e dëshiron Hashim Thaçin në dialog, pasi i përshtatet në realizimin e synimeve të saj.

Rrahmani: Qeveria e ardhshme do të ushtroj me kompetencë detyrën në dialogun me Serbinë

Image
Imet Rrahmani

Kandidati për deputet nga radhët e LDK-së, Imet Rrahmani ka thënë për “Bota sot” se vetëm ushtrimi i obligimit kushtetues që ka Kryeministri dhe Qeveria nënkupton rolin e Presidentit në dialog.

“Qeveria e ardhshme me Kryeministre Vjosa Osmanin do të ushtrojë me kompetencë detyrën në dialogun me Serbinë”, ka thënë deputeti Imet Rrahmani.

Shahu: Thaçi nuk mund të bëjë dialog, meqë ai din të bëjë vetëm tregti me Kosovën

Image
Rexhep Shahu

Nga ana tjetër, analisti politik Rexhep Shahu, ka thënë se Thaçit i ka rënë kredoja morale që të jetë drejtues i bisedimeve shqiptaro- serbe sepse ai e ka shndërruar veten në tregtar territoresh shqiptare.

Sipas tij, Thaçi nuk mund të bëjë dialog, meqë ai din të bëjë vetëm tregti me Kosovën, madje për postin e tij, ai është në gjendje të jep edhe trojet shqiptare.

“Thaçi mund të jetë president për të shitur tituj e dekorata, por nuk mund ti lihet barra mbi supe të këtyre fatin e trojeve shqiptare. Mund të jetë në proces, por jo violinë e parë dhe jo faktor vendosës, e as urdhërues. Andaj, mënyra e duhur për ta nxjerrë nga loja Thaçin është që grupi bisedues të caktohet nga figurat kryesore politike nga partitë e përgjegjshme politike nga Kuvendi i Kosovës, nga bota akademike dhe jo nga tregtarët e tipit Thaçi”, ka thënë analisti politik Rexhep Shahu.

Zogaj: Kryeministri i ri sapo të merr pozitën, duhet të caktoj ekipin e bisedimeve dhe platformën për bisedime

Image
Skender Zogaj

Kurse, analisti politik Skender Zogaj, ka thënë se zgjedhjet e 6 tetorit janë rezultat i krizës së thellë në të cilën hyri Kosova, për shkak të keq funksionimit të institucioneve të vendit.

“Pikërisht për këtë u deshën zgjedhjet e jashtëzakonshme për ta ndryshuar mënyrën e qeverisjes në Kosovë, gjë që shpresohet se do të ndodh. Dhe nëse ndodh, atëherë dihet se fituesi e fiton edhe të drejtën për ta ndryshuar kursin dhe mekanizmat qeverisës për ta tejkaluar krizën e rëndë në të cilën ndodhemi. Ndryshimi duhet të filloj që nga Parlamenti, te Qeveria dhe te Presidenti, që duhet të ndryshojnë jo vetëm qimet por edhe veset”, ka thënë Zogaj.

Sipas tij, një nga problemet më të mprehta është dialogu final me Serbinë që presidenti Thaçi nuk arriti ta zgjidh, e për më tepër konsiderohet se e ka komplikuar me lloj-lloj idesh.

“Mendoj se është krejt normale që kryeministri i ri ta merr përgjegjësinë kushtetuese që i takon dhe t'ia lehtësoj "barrën" presidentit, të dinamizoj forcën shtetërore Kosovës. Unë kështu jam duke i kuptuar deklaratat e pretendentes për kryeministre, zonjës Vjosa Osmani e cila ka shumë të drejtë që po ia përkujton rolin ceremonial të Presidentit pas verdiktit në Parlament. Kjo mënyrë e re e punës nuk është rikthim në ushtrimin e kompetencave e jo marrje e kompetencave të Presidentit, ka thënë analisti politik Zogaj.

Ai konsideron se kryeministri i ri sapo të merr pozitën, duhet të caktoj ekipin e bisedimeve dhe platformën për bisedime, madje të caktoj edhe datën në bashkëpunim më ndërmjetësuesit ndërkombëtar.

“Presidenti do të duhet të publikisht të përshëndes bisedimet dhe të deklarohet se do të jetë përkrahës i bisedimeve dhe i marrëveshjes që palët arrijnë. Kjo mënyrë e mbanë Presidentin pjesë të bisedimeve dhe kompetentë në vendimin përfundimtar që ai do ta kurorëzonte pas miratimeve ligjore dhe kushtetuese”, ka thënë analisti politik Skender Zogaj.

Mehmeti: Kosova nuk guxon assesi të lejoj që në këto bisedime të merr pjesë bashkëpunëtori i Serbisë

Image
Faton Mehmeti

Kurse analisti politik Faton Mehmeti, ka thënë se mënyra më e mirë për të përjashtuar Thaçin nga dialogu, është formimi i një ekipi të ri, që miratohet nga kuvendi, natyrisht pa pjesëmarrjen e Hashimit.

Ai ka thënë se, Serbia e dëshiron Thaçin në dialog pasi i përshtatet asaj në realizimin e synimeve të tyre.

“Por, Kosova nuk guxon assesi të lejoj që në këto bisedime vitale për të tashmen dhe të ardhmen e vendit, të merr pjesë njeriu i shërbimeve sekrete franceze, dhe si bashkëpunëtor i Serbisë. Është e vërtetë se president nuk ka kompetenca për të udhëhequr bisedimet, andaj duhet delegacion ose ekipe e re e miratuar nga kuvendi, kështu do i hiqet nga dora Thaçit Kosova si torte për të festuar mos ndjekjen e tij nga drejtësia ndërkombëtare”, ka thënë analisti politik Faton Mehmeti.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...