Cili do të jetë vendimi i parë nëse formojnë Qeverinë? Flasin nga LDK-ja

Politika

Cili do të jetë vendimi i parë nëse formojnë Qeverinë? Flasin nga LDK-ja

Nga: A.ZH Më: 4 tetor 2019 Në ora: 16:24
Kandidatja e LDK-së për kryeministre Vjosa Osmani me kandidatin për deputet Muhamet Hamitin

Kandidati i LDK-së për deputet Muhamet Hamiti, ka folur për vendimet që do të marrë Lidhja Demokratike e Kosovës, nëse formon qeverinë e re në Kosovë pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ish-zëdhënësi i Presidentit Rugova dhe ish-ambasadori i Kosovës në Britani, ka thënë se pas zgjedhjeve, do të ketë nevojë për shumë vendime të shpejta.

Kjo sipas tij, për të evituar “dëmet që i ka bërë Qeveria Haradinaj”.

Hamiti ka deklaruar se LDK-ja do të merret edhe me sanimin e dëmeve, që sipas tij ia ka shkaktuar vendit presidenti Hashim Thaçi me aventurën e tij për ndryshim kufijsh të Kosovës me Serbinë.

“Nuk e di cili do të jetë vendimi i parë i Qeverisë së Kosovës të drejtuar nga LDK-ja, por e di që do të ketë nevojë për shumë vendime të shpejta për të sanuar dëmet që ka bërë Qeveria Haradinaj. Poashtu, edhe dëmet që ka bërë Presidenti Hashim Thaçi me aventurën e tij për ndryshim kufijsh të Kosovës në kuadër të dialogut për arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë”, ka thënë Hamiti.

Ai ka theksuar se Qeveria e re do ta drejtojë dialogun “shtet me shtet” që siguron njohjen e Kosovës.

Profesori universitar ka paralajamëruar se LDK-ja, nuk do të lejojë krijimin e një pushteti të tretë -Asociacionit të Komunave me ingjerenca ekzekutive.

“Qeveria e re e Kosovës do ta drejtojë këtë dialog me Serbinë, dialog shtet me shtet, i cili siguron njohje të Kosovës, paprekshmëri të tërësisë tokësore të vendit, por edhe unitaritet sa i përket organizimit të brendshëm pushtetor. S’do të ketë pushtet të tretë – Asociacion të Komunave me ingjerenca ekzekutive”, ka deklaruar Hamiti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat