Ambasadori amerikan në Gjermani, Richard Grenell, është i dërguari i SHBA-së në dialogun Kosovë-Serbi, i emëruar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Shtëpia e Bardhë njoftoi se Gerenell do të vazhdojë të mbetet edhe ambasador në Gjermani dje do t'i udhëheqë përpjekjet e SHBA-së, për t'iu ndihmuar Kosovës dhe Serbisë në arritjen e një marrëveshjeje zyrtare të paqes, e cila do të mund të rezultojë me njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë.
Lidhur me emërimin e tij, njohësi i çështjeve politike Faik Krasniqi mendon se SHBA do që dialogu të përmbyllet sa më shpejt, pasi ka probleme më të mëdha se Kosova dhe Serbia.
“SHBA duan që dialogu Kosovë-Serbi të përmbyllet sa më shpejt të jetë e mundur. Ata kanë probleme shumë të mëdha se Kosova e Serbia. Kur amerikanët futen në një proces, duhet ta dimë që ai proces është drejt përfundimit”, ka thënë Krasniqi.
Emërimin e Grenell ai sheh si dëshmi që dialogu mund të përfundojë shpejt, pasi bisedimet janë kthyer në telenovelë, ashtu si liberalizimi i vizave.
“Emërimi i ambasadorit Richard Grenell si të dërguarin e posaçëm për bisedimet Kosovë-Serbi e dëshmon këtë që e thashë, sepse ata e kanë marrë me seriozitet këtëçështje dhe do ta përfundojnë. Këto bisedime janë kthyer në një telenovelë indiane që kurrë s'kanë fund. Sikurse liberalizimi i vizave. Për t'u mos u dëmtuar Kosova gjatë bisedimeve, dialogun duhet ta udhëheqin njerëzit që nuk e kanë vjedhur dhe plaçkitur Kosovën”, ka deklaruar Faik Krasniqi për “Bota sot”.
Ndryshe, Richard A. Grenell është ambasador i Shteteve të Bashkuara në Gjermani që nga muaji maj i vitit të kaluar. Ambasadori Grenell, ka qenë zëdhënës i ambasadës së Shteteve të Bashkuara në OKB për shtatë vjet, 2001-2008, duke e mbajtur këtë post më gjatë se çdo ambasador tjetër, duke shërbyer për katër ambasadorë të ndryshëm dhe mban gradën Master për Administratën Publike nga universiteti i Harvardit.