Shahu: LDK e VV të jenë bashkë në raport me Serbinë, të mos kenë frikë nga Specialja

Politika

Shahu: LDK e VV të jenë bashkë në raport me Serbinë, të mos kenë frikë nga Specialja

Nga: G.B Më: 7 tetor 2019 Në ora: 21:14
Rexhep Shahu

Lëvizja Vetëvendosje është shpallur fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit.

Me 25.50 për qind, ajo ka lënë pas Lidhjen Demokratike të Kosovës e cila ka 24.84 për qind.

Këto dy parti që ishin në opozitë tani pritet të formojë qeverinë, e të dyja kanë pasur bisedime për një koalicion parazgjedhor por që nuk u bë. Tani pritet që të dyja partitë të bëjnë koalicion për të udhëhequr me vendin, por sa do të jetë e vështirë kjo?

Lidhur me rezultatin, ish gazetari dhe publicisti Rexhep Shahu, ka thënë për gazetën “Bota sot” se ka pritur që LDK të paraqitet më mirë, por që ajo nuk përdori resurset e saj, nuk ishin figura të mëdha si Jusuf Buxhovi, Eqrem Kryeziu, Mehmet Kraja e Skënder Zogaj.

“Prisja që LDK të paraqitej më mirë edhe për shkak se kishte grua kandidaten për kryeministre dhe besoja se gratë do e mbështesnin fuqimisht. LDK nuk përdori resurset e saj dhe mbeti peng i disa individëve të konsumuar keq. Figurat historike themeluese dhe autoritete morale që kanë bërë histori në Kosovë nuk i thirri as për etikë LDK në ndihmë të saj. Të vjen keq që nuk u panë askund figura të tilla të njohura të Kosovës si p.sh Jusuf Buxhovi themelues që vetëm ata që i blejnë librat e tij mjaftonin për rritje rezultati, nuk u panë askund autoritete morale si drejtuese me reputacion në popull si Eqrem Kryeziu, Mehmet Kraja, Skënder Zogaj, e shumë ambasadorë të mëdhenj të Kosovës që kanë zënë vend në histori”, është shprehur ai.

Sa i përket fitores së VV-së, Shahu thotë se ishte fitore ndëshkuese kundër abuzuesve, krahut të luftës, që paslufte shitën vërtetime veteranësh.

“Albini fitoi megjithë frikën që ekzistonte se a mos do sillet në pushtet si në opozitë. Por ishte fitore ndëshkuese kundër abuzuesve, të korruptuarve, haraqistëve, ishte në një farë mënyre marrje hak. Është e trishtueshme kur dëgjon se u ndëshkua krahu i luftës. Krahu i luftës ka qenë e është i nderuar por krahu i luftës së pasluftës u ndëshkua, krahu i UÇK-së pas luftës u ndëshkua, ata që shiten vërtetime skandaloze veteranësh u ndëshkuan, pasi ata që kanë bërë luftën nuk janë gjallë ose janë në shtëpi se e kanë bërë detyrën ndaj atdheut”, ka vlerësuar Rexhep Shahu.

Ai nuk dëshiron të besojë se i ndajnë ideologjitë LDK e VV si parti fituese, por që qëndrojnë bashkë në qëndrimet e tyre të forta në raport me Serbinë, dialogun e zvarritur dhe nuk kanë frikë nga Specialja.

“Nuk besoj se i ndajnë ideologjitë LDK e VV si parti fituese. Dua ta besoj se i bashkojnë qëndrimet e forta të qëndrueshme në raport me Serbinë, me bisedimet e zvarritura, për njohje të ndërsjella, për barabartësi me Serbinë, për mos tolerim të sjelljes së Serbisë si viktime. Dua ta besoj se nuk e kapin pick dhe ngushtë Albinin ose eksponentët e LDK që t’i detyrojnë të fusin në gojë cigaren nga prushi. Them se nuk duhet ta njohin frikën as pazaret me Gjykate Speciale Albini dhe LDK”, ka theksuar ai.

Shahu mendon se Albini duhet të mbetet trim e ta mbajë fjalën për refuzim të lëvizjes se kufijve, duke shtuar se do të dështojë, nëse ai do të shfaqet i pangopur me postet për të kënaqur shokët e tij.

“Them të mbetet trim Albini dhe të mbajë fjalën për refuzim të lëvizjes së kufijve apo riskllavërim nga Serbia në forma moderne. Albini i opozitës tani hyn në kostum llamarine të kryeministrit dhe nuk shalon retë, nuk besoj se do të nderojë më shumë xhamia se shkolla, nuk besoj ta lejojnë t’i bëjë shkollat xhamia. Nëse nuk do të jetë modest dhe nëse do të shfaqet i pangopur me poste për të kënaqur shokët e tij Albini do të dështojë me sukses të plotë. Besoj se të lehtë nuk do ta ketë më shumë eksponentë të LDK që në fakt duhej të ishin në shtëpi të dorëhequr që nga mesnata e 6 tetorit”, ka përfunduar Rexhep Shau për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat