Të përkëdhelurit e shtetit

Politika

Të përkëdhelurit e shtetit

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 25 tetor 2019 Në ora: 15:31
Foto ilustrim nga "Bota sot"

Qeveria e kaluar ka aprovuar amendamentin, i cili ia jep të drejtën deputetëve dhe ekzekutivit që edhe pas shkarkimit të ushtrimit të detyrës së punës si deputet të kenë të drejtën të marrin 70 përqind të pagave të tyre prej 2 mijë eurosh.

Të njëjtat përfitime, përpos ish-deputetëve, do t’i gëzojë edhe për një vit gjithë kabineti qeveritar në dorëheqje, duke përfshirë ministrat, zëvendësministrat, këshilltarët politikë etj.

Këto përfitime ata do t’i gëzojnë deri më 27 gusht të vitit 2020, kur edhe përfundon afati ligjor, i paraparë me Ligjin për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, i cili është hartuar dhe është miratuar në vitin 2010 e që e përcakton kompensimin e pagës bazë të deputetit për një periudhë 12-muajshe pas përfundimit të mandatit të tyre.

Ky amendament i aprovuar po shqetëson qytetarët e vendit duke u revoltuar për pagën që do të vazhdojnë të marrin edhe për një vit edhe pse nuk do të ushtrojnë detyrën si deputet.

Mirëpo, sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës të 20 dhjetorit të 2017-s, një zëvendësministër është paguar në vlerën prej 1.150 eurosh, kurse pas përfundimit të mandatit ata do të marrin hiç më pak se 800 euro për periudhën e paraparë sipas ligjit.

Spahija: Disa nga ta lëshojnë pozitat që mbajnë për të ushtruar detyrën e deputetit

Florent Spahija, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh që këta deputet kanë të drejtë për një benificion të tillë dhe se nuk është e dëmshme për buxhetin pasi që është një garancion për mbrojtjen e pavarësisë së deputetit.

Image
Florent Spahija

“Deputetet kanë të drejtë në një benificion të tillë, meqë ata mbesin pa punë në momentin që nuk janë me deputet! Disa nga ta lëshojnë pozitat që mbajnë për të ushtruar detyrën e deputetit.

Prandaj për periudhë që paguhen është në rregull dhe nuk është asgjë e dëmshme për buxheti. Kjo është një garancion për mbrojtjen e pavarësisë së deputetit”, përfundoi, Spahija.

Gjoshi: Është e papranueshme marrja e pagave nga ana e deputetëve dhe ekzekutivit pas përfundimit të mandatit

Image
Adrian Gjoshi

Avokati Adrian Gjoshi, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, u shpreh që vazhdimi i marrjes së pagave nga deputetët dhe ekzekutivi edhe pse kanë përfunduar mandatin nuk është e lejuar sidomos nëse edhe vendi është i varfër.

“Është e papranueshme marrja e pagave nga ana e deputeteve dhe ekzekutivit pas përfundimit të mandatit. Humbja e ulëseve qoftë në kuvend qoftë në ekzekutiv, duhet të ketë për pasojë edhe humbjen e privilegjeve e mosvazhdim të marrjes së pagave.

Në rrethanat tona, si vend i varfër, amendamenti që lejon pagë pas mandatit për ish-deputetë të kuvendit dhe ish-anëtarë të ekzekutivit, është i papranueshëm”, u shpreh, Gjoshi.

Më tej, Avokati Gjoshi, bënë krahasimin me vendet perëndimore duke treguar që pas përfundimit të mandatit deputetët kanë një kohë të caktuar për të paketuar sendet dhe më nuk mund të hyjnë në Kuvend.

“Në fakt, në shumë vende perëndimore, ta zëmë, deputetët që humbin ulësen në kuvend paguhen deri në datën e mbajtjes së zgjedhjeve të reja. Madje, kanë më pak se një javë kohë për të shkuar në zyrë për t’u paketuar, sepse pas kësaj kohe, nuk mund të hyjnë as në Kuvend”, tha, Gjoshi.

Gjoshi, cek që edhe sendet që marrin nga Kuvendi, ato kthehen pas përfundimit të mandatit mirëpo që kjo gjë nuk është e praktikuar në vendin tonë, sepse jo vetëm që nuk kthejnë sendet mirëpo edhe vazhdojnë të paguhen edhe pas përfundimit të mandatit.

“Për dallim prej kësaj, sipas asaj që kemi parë deri më tani, deputetët tanë jo vetëm që kanë marr atë që vetes ia kanë lejuar përmes amendamenteve, por edhe nuk kanë kthyer sendet në pronësi të kuvendit. Ndonëse e obligueshme, gjysma e deputetëve nuk kanë kthyer llaptopët pas përfundimit të mandatit.

Në vendet perëndimore, deputetëve që humbin mandatin, iu merret çdo aparat në pronësi të kuvendit dhe të njëjtat riciklohen”, përfundoi, Gjoshi.

Burjani: Këto janë paga të paligjshme dhe duhet të shkojnë në Gjykatë Kushtetuese

Image
Blerim Burjani

Në lidhje me këtë temë, analisti dhe juristi Blerim Burjani, në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh që paga të tilla janë të paligjshme dhe se duhet të trajtohen nga sistemi gjyqësor dhe se duhet reaguar edhe avokati i popullit në lidhje me këtë zhvatje.

“Këto janë paga të paligjshme dhe duhet të shkojnë në Gjykatë Kushtetuese, kjo është zhvatje e buxhetit pa punë me marr paga në këtë sistem kapitalist nuk ka askund në botë. Kjo është plaçkitje e qytetarit pa-ndalë derisa sa të vijnë plaçkitësit e ri, pra ky rast duhet të trajtohet nga sistemi gjyqësor, Gjykata Kushtetuese dhe çudi qe ende as Avokati i Popullit nuk ka reaguar fare, të gjithë zhvatësit e plaçkitësit në këtë shtet jetojnë pa probleme edhe kur ka institucione edhe kur s`ka.

Tutje, Burjani, shprehet, që këta ish deputet po marrin parat e popullit duke mos punuar. E vetmja zgjedhje është një alternativë e re e cila ndalon këto parregullsi.

“Së paku mund të ndodhë të mos ketë Qeveri te re edhe 4 a 5 muaj e ata marrin parat e popullit po kjo është plaçkitje e pandalshme as VV nuk po reagon do të thotë edhe atyre po iu pëlqejnë pagat falas e me u shëtitë rrugëve e me marr pagë mujore , kush është më i mirë e më i keq në këtë shtet? Këta të gjithë janë njëjtë përderisa s`ka alternative të re s`ka gjë”, përfundoi, Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat