Elezaj: Nëse nuk konfiskohet pasuria e paligjshme, Kosova do mbetet edhe për disa dekada shtet i izoluar në Evropë

Politika

Elezaj: Nëse nuk konfiskohet pasuria e paligjshme, Kosova do mbetet edhe për disa dekada shtet i izoluar në Evropë

Nga: D. B. Më: 28 tetor 2019 Në ora: 15:52
Rexhep Elezaj

Korrupsioni është dukuria dhe e keqja më e shëmtuar që e ka goditur shtetin dhe shoqërinë tonë pas luftës. Publicisti Rexhep Elezaj ka për “Bota sot” se korrupsioni si dukuri është prezent pothuajse në çdo shoqëri dhe vend në botë, por luftohet përmes edukatës së fëmijëve në shkollë, përmes ligjeve dhe masave ndëshkuese, si dukuri tejet e dëmshme për shoqërinë dhe shtetin.

Sipas tij, kjo që i ka ndodhur shoqërisë tonë me shkallën dhe nivelin e shtrirjes së korrupsionit në Kosovë, nuk ka shembull në botë që mund të krahasohet për nga masa dhe shëmtia.

“Aq thellë ka metastazuar në poret e shoqërisë së Kosovës, sa që për ta zhdukur këtë kancer shkatërrues kërkohen vite të tëra si dhe masa rigoroze kundër bartësve të kësaj të keqeje dhe të turpshme për Kosovën dhe imazhin e saj në botën e civilizuar perëndimore. Në Kosovë korrupsioni ka filluar nga lartë dhe ka zbritur poshtë, pra nga bartësit kryesorë të pushtetit e deri tek individi më i thjesht në shoqëri, dhe sot ai është i përhapur kudo dhe pa ndonjë dallim të madh. Ajo që kam mësuar këto ditë mbi mënyrat dhe format e korrupsionit në Kosovë, më ka lënë pa mend, se sa me mjeshtri ndahen përfitimet midis grupeve mafioze, qoftë me tenderët, qoftë me punësimet e njerëzve përmes ryshfetit”, ka thënë Elezaj.

Sipas tij, jo që korrupsioni nuk është luftuar fare nga asnjë instancë shtetërore dhe shoqërore, por ai është bërë mjeti më i "përshtatshëm" për t'u pasuruar brenda natës, siç tregojnë villat, xhipat dhe shtëpitë luksoze të shumë politikanëve tanë, të ndërtuara në vlera prej miliona eurosh, por të cilët siç i njohim ne, para luftës kishin vetëm nga një lopë dhe nga një shtëpi prej dy-tri dhomave përdhese.

“Pra, deri tash nga organet tona shtetërore nuk është bërë asgjë kundër korrupsionit, dhe është absurd të pritet që ata ta luftojnë vetveten, dhe mënyra e vetme ligjore për ta çrrënjosur këtë dukuri të zezë, është konfiskimi i pasurive të paligjshme, gjithë atyre që nuk posedojnë dëshmi mbi burimin e mjeteve financiare, se nga i kanë marrë ato. Përndryshe, Kosova do mbetet edhe për disa dekada shtet i izoluar në Evropë, siç është sot një vrimë e zezë në Ballkanin”, ka thënë publicisti Rexhep Elezaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat