Ramush Haradinaj – kryetar i ri i OVL UÇK?

Politika

Ramush Haradinaj – kryetar i ri i OVL UÇK?

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 8 nëntor 2019 Në ora: 10:03
Ramush Haradinaj

Ramush Haradinaj, kryetari i përhershëm i AAK-së, humbi keq në këto zgjedhje. Qytetarët ia treguan vendin pas një varg skandalesh e mbrapshtish që i bëri sa ishte kryeministër.


Haradinaj fryhej se do t’i fitonte krejt zgjedhjet. Fryhej pa marre se kishte qeverisur mirë, se kishte marrë vendime e se e kishte çuar përpara vendin tonë. Por, nuk ia bleu askush këto gjëra sepse njerëzit janë mbushur mend. Politika s’ka të bëj veç me muskuj e mburrje, por me jetën tonë. Dhe boll duruam që njerëz të tillë, pa pikë përgjegjësie, të na shisnin mend e të na qeverisnin si mos më keq.

Ramushi me t’u emëruar kryeministër thirri në zyrën shtetërore halla e teze, familjarë tjerë e bile edhe qiraxhi që ndoshta ia sollën edhe ndonjë peshqesh. Kjo e tregon se sa të prapambetur e kishim kryeministrin. Kjo tregon se sa të prapambetur ishim edhe ne vetë.

Gjërat ndryshuan. Ramushi i mori veç 75 mijë vota dhe pësoi debakël në zgjedhjet e 6 tetorit. Qytetarët treguan se nuk mund t’i zënë besë dikujt që nuk e mban besën. E Ramushi u tregua i pabesë. Nuk po i rendis këtu të gjitha skandalet e tij, të gjitha pabesitë, sepse na merr kohë shumë dhe na janë bërë bajat ç’është e vërteta. E pse të lodhemi më të, kur qytetarët e dinë mirë se kush është ai.

Ata që e votuan, nuk është se besuan që ishte më i miri. Jo. Ata, përgjithësisht, thjesht kishin marrë një vend pune a ndonjë favor prej tij, ishin bërë veteranë apo kushedi çka. Nuk është se ia çmon dikush trimërinë e tij. A e patë se çka i bëri presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan? E poshtëroi publikisht duke e qortuar ashpër për komentet e tij ndaj rastit të gylenistëve. E çka bëri trim Ramushi? E paloi i trembur dhe tha “e respektojmë” e s’di çka.

Jo, Ramushi nuk na përfaqëson më. Ramushi duhet ta kuptojë sa më parë që nuk është për politikë. Ai mund të jetë biznesmen, mund të rikthehet t’i punojë arat e tij në Gllogjan, e çkado, por jo t’i rras hundët në problemet tona jetike. Në jetën tonë.

Çdo lider politik duhet t’i ketë disa dijeni elementare sepse duke qenë i padijshëm mund ta marrë në qafë një popull të tërë. Ramushi nuk merr erë dhe prandaj duhet të largohet.
Me të në politikë, vullneti politik i shumë qytetarëve nga Dukagjini dhe nga mbarë Kosova mbetet i shkelur. Ata duhet të jenë të lirë që të votojnë kënd të duan, të votojnë për jetën e tyre, të marrin pushtet të shëndosh për fatin e tyre. Njerëzit që e votojnë Ramushin nuk janë të lirë. E bile bile, as njerëzit që e votojnë Kadriun e PDK-së.

Nuk është se këta njerëz thjesht humbën. I morën disa mijëra vota. Dhe siguruan ekzistencën në skenën politike – diçka që nuk e meritojnë. Derisa të largohen krejt nga skena politike – nuk është se do të jemi të lirë, e se do të ketë ndryshim kardinal në vendin tonë.

Këta do të jenë në opozitë, merreni me mend, njerëzit që nuk lanë të zezë pa i bërë vendit. Ata duhet ta qortojnë e ta kritikojnë Kurtin dhe LDK-në edhe pse nuk kanë trohë legjitimiteti. Edhe pse e kanë dëshmuar që nuk dinë të qeverisin.

Ramushi me të tijët e të ngjashmit, na lanë pa opozitë – dhe demokracia është në rrezik. Sepse pushteti po, qeveria po, mazhoranca po, por opozita nuk ekziston. Kadriu e Ramushi nuk është se dinë ta bëjnë një punë të tillë. Nuk e kanë atë zotësi. Nuk kanë as kredibilitet. Prandaj, e mira e së mirës do të ishte që të shporreshin prej këtu e të bëheshin njëmend përfaqësues të vlerave të luftës, domethënë njëri kryetar i OVL-UÇK-së e tjetri nënkryetar.

Nuk janë për më shumë!

Nacionalizmi i tyre sot nuk është më shumë se një strehë horrash. Lufta ç'lufta, uçk e ç’uçk duhet të mos i marrim parasysh – në emër të luftëtarëve të drejtë, e të cilëve s’jua dimë as emrin e mbiemrin. Sot nacionalizmi ka të bëj me dashurinë e vendit tonë në zhvillim e në përparim.

E me Rambon, nuk do të ketë diçka të tillë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat