Gjykata Speciale ka në target edhe hetimin e vrasjeve politike? - Bota Sot
Gjykata Speciale ka në target edhe hetimin e vrasjeve politike?

Politika

Gjykata Speciale ka në target edhe hetimin e vrasjeve politike?

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 12 nëntor 2019 Në ora: 16:33
Disa nga të vrarët për motive politike

Gjykata Speciale edhe ditëve të fundit po vazhdon në formë intensive me shtimin e ftesave për ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa vetëm gjatë këtyre ditëve ka ftuar mbi dhjetë ish-ushtarë të UÇK-së për intervistim, një prej tyre edhe kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli, dhe deputetin e VV-së, Rexhep Selimi.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, njëherësh lider i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se ka pranuar ftesë nga Dhomat e Specializuara për t’u intervistuar më 4 dhjetor në Hagë.

Ai ka deklaruar se do t’i përgjigjet pozitivisht kësaj ftese.

“Si një nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, unë sot kam pranuar ftesë nga Dhomat e Specializuara, për t’u intervistuar më 4 dhjetor në Hagë. Ashtu siç jam zotuar, se në momentin që do ta kisha një ftesë të tillë, unë do ta bëja publike. Gjenerata ime, si shumë gjenerata të tjera, ka përjetuar shtypjen e rëndë të kombit tonë. Ne nuk jemi pajtuar me atë gjendje, dhe unë jam krenar që i jam përgjigjur thirrjes së vendit për lirinë e kombit. ”, tha mes tjerash Veseli në konferencë para gazetarëve.

Përkundër ftesave të shumta, edhe me tej nuk ka ndodhur asnjë aktakuzë. Derisa, vazhdon të mbetet edhe enigmatike se me cilat raste do të merret kjo gjykatë.

Përfaqësues nga Lidhja Demokratike e Kosovës, lidhur me shtimin e ftesave nga Specialja, konsiderojnë se vrasjet e intelektualeve, luftëtarëve dhe veprimtarëve të afërt me Lidhjen Demokratike të Kosovës, dhe presidentin Ibrahim Rugova do të zbardhen, dhe, sipas tyre, kriminelët që kanë bërë këto krime do i godet shpata e drejtësisë.

Ndërsa, njohësit e çështjeve juridike, shprehen se mënyra si po funksionon Gjykata Speciale, dhe se si ka funksionuar deri më tani, ka qenë e pamundur të dihet se me cilat raste konkretisht do të merret kjo gjykatë.

Rugova: Kriminelët do i godet shpata e drejtësisë

Image
Naser Rugova

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, është shprehur se ka besim të madh se do të ndodhë zbardhja e vrasjeve të zyrtarëve të LDK-së.

“Besoj në drejtësi, dhe vlerësoj se vrasjet e intelektualeve, luftëtarëve dhe veprimtarëve të afërt me Lidhjen Demokratike të Kosovës, dhe presidentin Ibrahim  Rugova duhet të zbardhet dhe kriminelët që kanë bërë këto krime do i godet shpata e drejtësisë”, ka thënë Rugova për gazetën “Bota sot”.

Mes të tjerave, zyrtari i LDK-së ka theksuar se tani është koha e fundit që të zbardhet e vërteta e vrasjeve të anëtarëve të LDK-së.

“Është koha e fundit që kjo të ndodhë”, ka thënë në fund, ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, për gazetën “Bota sot”.

Shala: E pamundur të dihet se me cilat raste do të merret Gjykata Speciale

Image
Gzim Shala

Kurse, Gzim Shala, hulumtues nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka thënë intervistimi i Veselit nga Gjykata Speciale ka qenë i drejt, pasi emri i tij është përmendur në raportin e Dick Martyt.

“E para është se Gjykata Speciale është krijuar për të trajtuar të gjitha rastet të cilat janë në mandatin e saj, dhe dyta bëhet fjalë se kjo gjykatë do të krijojë një pasqyrë të përgjithshme për mënyrën se si ka funksionuar Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Sa i përket ftesës për Kadri Veselin, ky i fundit është përmendur në raportin e Dick Martyt, mbi bazën e së cilën edhe është ngritur Gjykata Speciale”, ka thënë Shala

“Intervistimi i tij, në çfarëdo cilësie edhe pse ende nuk e kemi të qartë, ka qenë plotësisht i drejtë, dhe në qoftë se do të ndodhte e kundërta mendoj se do të ishte e çuditshme, pasi emri i tij përmendet në këtë raport. Në këtë drejtim, të gjitha këto vendime, mund të quhen si vendime hetimore të cilat nuk mund të përcaktojnë se cili do të jetë përfundimi, cilat raste do të gjykohen, çfarë natyre, dhe cilët persona do të gjykohen” , ka thënë tutje ai.

Ndërsa, i pyetur se a do të hetojë kjo gjykatë edhe vrasjet e zyrtarëve të LDK-së, Shala ka thënë se mënyra se si funksionuar Gjykata Speciale ka qenë e pamundur të dihet se me cilat raste do të merret kjo e fundit.

“Në fakt, për mënyrën se si po funksionon Gjykata Speciale, dhe se si ka funksionuar deri më tash, ka qenë e pamundur të dihet se me cilat raste do të merret. Përderisa, nuk kemi informata se për cilat raste, dhe cilët persona janë duke u zhvilluar hetime, shtojmë faktin se ende nuk e kemi asnjë aktakuzë, është e pamundur që të vlerësohet nëse edhe këto çështje do të vlerësohen, e aq më pak do të gjykohen këto raste”, ka përfunduar Gzim Shala, hulumtues nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, për gazetën “Bota sot”.

Mehmeti: Specialja është pasojë e dështimit të drejtësisë së kapur nga Thaçi dhe Veseli

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa, analisti politik, Faton Mehmeti, konsideron se ftesa e ardhur ditë më parë në drejtim të kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, duhet të jetë lajm i mirë për këdo.

Ai në një bisedë për gazetën “Bota sot”, deklaron se krijimi i kësaj gjykate, është si pasojë e dështimit të drejtësisë së kapur nga Thaçi, Veseli dhe klani i tyre.

“Ftesa për Kadri Veselin duhet të jetë lajm i mirë për këdo që mendon të shohë Kosovën duke ecur tutje. Pasi lufta çlirimtare nuk e mbron askënd nga ndodhje krim eventual, dhe askush nuk ka pse të frikësohet nëse është i pastër. Për më tepër Specialja është pasojë e dështimit të drejtësisë së kapur nga Thaçi, Veseli dhe klani i tyre, andaj, ata janë shkaku i pasojës së Speciales”, ka thënë Mehmeti.

Mehmeti gjithashtu ka shtuar se është me shpresën se Specialja të largojë nga skena politike ata që Kosovën e kanë vjedhur tash e 20 vjet.

“Nuk besoj se Specialja do arrestojë Thaçin apo Veselin, e nëse kjo edhe ndodhë faktikisht kjo gjykatë dështon pasi është krijuar pikërisht për Thaçin mbi akuzat e Dick Martyt. Në këtë logjikë presim të shohim, me shpresën se Specialja të largojë nga skena politike ata që këtë vend e kanë vjedhur tash e 20 vjet, ndër të parët është presidenti Thaçi”, ka shtuar analisti Mehmeti.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat