Edi Rama i shpalli luftë Kosovës në emër të Serbisë, vjen thirrja për reagime të ashpra ndaj tij - Bota Sot
Edi Rama i shpalli luftë Kosovës në emër të Serbisë, vjen thirrja për reagime të ashpra ndaj tij

Politika

Edi Rama i shpalli luftë Kosovës në emër të Serbisë, vjen thirrja për reagime të ashpra ndaj tij

Nga: A.M. Më: 12 nëntor 2019 Në ora: 22:59
Edi Rama, Aleksandër Vuçiç, Zoran Zaev

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, prof. dr. Enver Bytyçi, ka folur rreth  Samitit të Ohrit, në të cilin mori pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po pjesë e këtij takimi nuk ishte Kosova. Prof, Bytyçi ka folur edhe për përjashtimin e Kosovës dhe të Malit të Zi nga Samiti i parë që u mbajt Serbi.

Po ashtu, Bytyçi e ka komentuar edhe deklaratën e Ramës i cili gjatë konferencës për media, deklaroi se Kosova nuk është dashur që të vet-përjashtohet nga ky samit.

 “Edi Rama ra dakord me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, që të themelojnë një bashkësi të tri shteteve, Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ky dakordësim erdhi gjatë takimit të tre liderëve të këtyre shteteve gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në shtator të këtij viti. Ata u mblodhën për herë të parë në Novi Sad dhe të shtunën e të dielën në Ohër. Përjashtuan Kosovën dhe tri shtete të tjera të rajonit nga samiti në Novi Sad dhe u thanë “Më ka çu nana me la gojën” për në Ohër. Kosova dhe Mali i Zi refuzuan të shkojnë në Ohër. Edi Rama i thotë Kosovës se “je vet-përjashtuar”! Se ai dhe Vuçiq ”janë të pafajshëm në këtë histori”!

Unë shtroj pyetjen: Si mundet që një lider shqiptar t’i përgjigjet pozitivisht presidentit të Serbisë për çdo projekt antishqiptar që ai planifikon në Beograd? Kështu ndodhi në vitin 2015 me krijesën e Jugosllavisë së Re, në të cilën Vuçiq pati deklaruar se “do të ishte një Tito i Ri”, d.m.th se do të merrte lidershipin e kësaj Jugosllavie, me të cilën Edi Rama u shpreh i gatshëm të bashkohej edhe Shqipëria, edhe Kosova. Foli edhe në emër të Prishtinës. Në vitin 2016 Edi Rama i tha po Vuçiq në Nish  për ndarjen e Kosovës me arsyetimin se “Meqë nuk po mundëm ta bëjmë Jugosllavinë e Re, po ndërmarrim një aksion politik më të shpejtë, po e ndajmë Kosovën”. Në Nju Jork Rama pranoi propozimin tjetër të Vuçiq për krijesën e minishengenit ballkanik. Vuçiq për çdo projekt konsultohet në Beograd me akademinë, kishën, diplomacinë, politikën dhe në Moskë me Kremlinin.

Po kryeministri i Shqipërisë kë ka pyetur për këto iniciativa? Askënd. Çfarë konsultimesh me diplomatë dhe politikanë, akademikë dhe ekspertë shqiptarë realizoi për të marrë të tilla vendime kaq të rrezikshme? Asnjë. Atëherë shkojmë te përfundimi se çdo përpjekje e Edi Ramës në këtë rrafsh është ilegjitime, përveçse e papërgjegjshme.

Edi Rama shkoi më tej. Tha se Kosova po vet përjashtohet dhe po vetizolohet, duke iu kundërvënë autoriteteve të Kosovës, të cilat nuk pranuan të shkojnë në samitin e Ohrit. Arroganca e tij është shndërruar në armiqësi të hapur të kryeministrit të Shqipërisë kundër Kosovës dhe institucioneve të saj. Ai nga Ohri i shpalli luftë Kosovës. Jo në emër të Shqipërisë, as të shtetit të tij, në emër të Serbisë dhe presidentit serb, Vuçiq”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Image
Enver Bytyçi

Bytyçi ka theksuar se Rama është pozicionuar kundër institucioneve të Kosovës, kundër pavarësisë e madje kundër integritetit territorial të saj dhe se ai mori në mbrojtje ish-ministrin e Informacionit të Milosheviçit dhe sulmoi autoritetet e Prishtinës.

“Në të gjitha iniciativat e përbashkëta me Vuçiq Edi Rama është pozicionuar kundër institucioneve të Kosovës, kundër pavarësisë e madje kundër integritetit territorial të saj. Por doli hapur. U tha troç shqiptarëve në Kosovë e kudo: “Për ju dhe gjendjen ku ndodheni ju nuk është përgjegjës qeveria dhe presidenti i Serbisë, por jeni vetë ju”?! U tha armiqve të Kosovës dhe të shqiptarëve se “Jemi ne shqiptarët, është vetë Kosova fajtore për gjithçka dhe nuk është Aleksandri ai që i ngre probleme dhe i bën diversion Kosovës”! Mori në mbrojtje ish-ministrin e Informacionit të Milosheviçit dhe sulmoi autoritetet e Prishtinës. Të gjitha janë në konotacion me relacionet Kosovë-Serbi”, ka thënë profesori për “Bota sot”.

Për më tepër, profesori ka shtuar se nuk ka ndihmë më të madhe për diplomacinë serbe se sa deklaratat armiqësore të Ramës kundër Kosovës.

“Impakti: Beogradi do të dalë nëpër botë e do t’u thotë shteteve e Fuqive të Mëdha se “Nuk jemi ne që akuzojmë Kosovën! Ja ku është vetë kryeministri i Shqipërisë”! Nuk ka armë më të dëmshme sesa arma që vetë kryeministri i Shqipërisë ia jep në dorë Beogradit për të akuzuar dhe fajësuar shqiptarët! Nuk ka ndihmë më të madhe për diplomacinë serbe se sa deklaratat armiqësore të Edi Ramës kundër Kosovës! Nuk mundi ta bënte dhe nuk guxoi ta bëjë këtë akuzë në Ohër, në Novi Sad, e as në Beograd e gjetkë vetë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç! E bëri dora e tij e zgjatur me emrin Edi Rama”, është shprehur ai për “Bota sot”.

Për më tepër, Bytyçi e ka quajtur Ramën si pushtuesi më i egër i trojeve shqiptare që nga lashtësia dhe se ai po përpiqet ta zhbëjë kombin shqiptar.

“Edi Rama është pushtuesi më i egër i trojeve shqiptare që nga lashtësia e deri më sot. Po e argumentoj: Ai po tenton ta tjetërsojë jo vetëm territorin, por edhe identitetin e shqiptarëve! Ai po përpiqet ta zhbëjë kombin shqiptar. Zhbërja vjen në format e pasojave që le qeverisja e tij. Një qeverisje antishqiptare, që e ka çuar vendin në humnerë, në një vend burim të krimit dhe trafiqeve, të korrupsionit dhe ikjes, në një vend të pashpresë dhe të mallkuar! Një qeverisje që kërkon miqësi me armiqtë e Kosovës e të shqiptarëve, me serbët ,dhe krijon armiqësi të papajtueshme me opozitën, bashkëpunëtorët e tij dhe me çdo shqiptar që i del përkundër! Një Kryeministër që kërkon vëllazërim-bashkim me serbët dhe krijon ndarje e përçarje midis Kosovës e Shqipërisë, midis veriut dhe jugut të Shqipërisë, midis shtresave dhe grupeve të ndryshme të popullsisë, sipas parimit mesjetar “Përça e sundo”! Një kryeministër që fyen dhe linçon çdo shqiptar, pavarësisht nga statusi i tij dhe përqafohet e puthet shumë shpesh e publikisht me Aleksandër Vuçiq. Një Edi Ramë, që është takuar së paku 20 herë në gjatë vite me Sandrin e Beogradit, por nuk ka marrë kaq herë pjesë në mbledhjet e qeverisë shqiptare! Një kryeministër që kërkon mini-shengen me Serbinë dhe i ve kufij të ri Kosovës.

Nuk ka bërë më keq se kaq as Perandori Serb i mesjetës, Stefan Dushani. Në 22 vite të tij ai u përpoq ta ndryshojë identitetin e shqiptarëve. Bistrica e Sarandës është produkt i atij pushtimi të viteve 1333-1355. Po kështu Novosela e Vlorës, Çorovoda në Skrapar, Velipoja në Shkodër e shumë toponime të tjera. Edi Rama po punon për ta ndryshuar identitetin e banorëve autoktonë në Shqipëri e në Kosovë. Siç ia ndërroi emrin Kostandinopojës Sulltan Mehmeti i Dytë, do t’ia ndërrojë emrin Shqipërisë, kryeministri i sotëm i saj, Edi Rama! Po largon shqiptarët me një plan të mirë studiuar për të sjellë tek ne indianë e afrikanë. Edi Rama ka krijuar atmosferën, çfarë ishte në Kosovë para luftës së vitit 1999, kur në pushtet ishte Milosheviçi. Ka krijuar mosbesim dhe frikë njësoj si Milosheviçi. Prandaj Edi Rama nuk i ngjan një pushtuesi si ai italian apo gjerman, por një pushtuesi të modelit serb”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Po ashtu, profesor Bytyçi ka kërkuar nga të gjithë politikanët shqiptarë pa marrë parasysh bindjeve politike që të , ta “izolojnë” Edi Ramën

“Edi Rama është rrezik kombëtar, është shndërruar në problemin më të madh për Shqipërinë, Kosovën dhe gjithë shqiptarët kudo ku jetojnë. Është detyrë e të gjithë politikanëve shqiptarë, pavarësisht kujt bindjeje, partie e besimi i përkasin, ta izolojnë Edi Ramën, t’ia lidhin jo vetëm këmbët e duart, për edhe gjuhën, sepse ndryshe do të na rrënojë e do të na çojë në ferr si komb e si popull!”, ka deklaruar ai “Bota sot”.

Profesori Bytyçi e ka komentuar edhe deklarimin e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i cili ka thënë se Mini-Schengeni Ballkanik – çon në një Jugosllavi të re.

“Isa Mustafa reagoi ashpër dhe me tharm kundër iniciativave të tilla. Duhet të reagojnë të gjithë politikanët! Nuk e di çfarë presin liderët e Vetëvendosjes, PDK-së, AAK-së  dhe partive të tjera politike në Kosovë! Çfarë presin demokratët, republikanët, demokristianët dhe gjithë politikanët e tjerë në Shqipëri! E kam të pamundur të kuptoj si heshtin dhe bëjnë sehir socialistët që e duan atdheun e kombin!”, ka thënë ai.

Gjithashtu, ka propozuar që të propozoj që të mblidhet një asamble kombëtare në Tiranë, në Prishtinë apo në Shkup, e cila të diskutojë dhe të miratojë një platformë dhe program të shpëtimit tonë kombëtar, kësaj radhe nga vetë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama!

“I bëj thirrje të gjitha organizatave joqeveritare dhe qeveritare, të gjitha institucioneve të përgjegjshme të shtetit të Shqipërisë, të Kosovës, Maqedonisë e kudo ku ka shqiptarë, u bëj thirrje të gjithë të rinjve, sidomos studentëve, që më 21 dhjetor të mblidhen në Durrës, të protestojnë dhe të mos lejojnë zhvillimin e samitit të ardhshëm të min-ishengenit serbo-rus. Trupat akademike, profesorët, pedagogët duhet të paktën një herë të vetme në jetën e tyre të dalin pa frikë në mbrojtje të atdheut për ta çliruar atë nga pushtuesi i madh Edi Rama. Ata duhet të bojkotojnë auditoret dhe t’u bëjnë thirrje studentëve dhe qytetarëve të këtij vendi të ngrihen dhe ta mbrojnë Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarinë nga arroganca e një aventurieri politik, si Edi Rama! Shqipëria e Kosova nuk kanë luksin që të qëndrojnë asnjë ditë peng të Edi Ramës, Aleksandër Vuçiq dhe armiqve të tjerë antishqiptarë!”, ka përfunduar Bytyçi për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat