Rama, Vuçiq dhe Zaev mbajtën sesionin e dytë në Ohër për formimin e “Schengenit Ballkanik”, ku Kosova nuk mori pjesë.
E sot, Albin Kurti ka thënë se Rama është dashur të pres edhe disa javë deri në formimin e qeverisë së re.
Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu, ka thënë për gazetën “Bota sot” se Rama e do Kosovën si vilajet të tij, që ai të jetë kryeministër edhe i Kosovës.
“Edi Rama dëshiron që Kosova të jetë pjesë apo vilajet i tij. Edi Rama do që kryeministri i Kosovës të jetë si i emëruari i tij në Prishtinë, dëshiron që kryeministri i Kosovës të jetë si ministrat e tij. Edi Rama kërkon që Shqipëria e Kosova të kenë një ministër të jashtëm, do të thotë që Kosova të jetë një shtesë e Shqipërisë”, është shprehur ai.
Sipas tij, nëse duam bashkim kombëtar, Rama nuk e llogarit Kosovën si pjesë e trungut të atdheut, ndaj dhe ka vendosur kufi të ri me pagesë në Kalimash.
“Por shqiptarët dhe Kosova duan që të jetë shtet i njohur nga OKB dhe jo të jetë shtesë ose shtojcë e Shqipërisë. Nëse duam Bashkim kombëtar duam Bashkim të dy shteteve Kosovës e Shqipërisë. Edi Rama nuk e llogarit sa e si duhet Kosovën në llogaritë e tij se nuk i dhemb Kosova, nuk e ndjen Kosovën si pjesë të trungut të atdheut. Ndaj edhe i ka vendosur kufi të ri me shumë pagesë në Kalimash të Kukësit”, ka vlerësuar Shahu.
Ai porosit Kurtin që të jetë i qartë, i prerë, i ftohtë dhe pa ekuivokë me Edi Ramën ose do të bëhet një zëdhënës bajat i Edi Ramës.