Misteri 16 vjeçar që fshihet në Dukagjin, kush e urdhëroi vrasjen e Sabahate Tolajt e Jusuf Haklajt?

Politika

Misteri 16 vjeçar që fshihet në Dukagjin, kush e urdhëroi vrasjen e Sabahate Tolajt e Jusuf Haklajt?

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 24 nëntor 2019 Në ora: 08:31
Sabahate Tolaj e Jusuf Haklaj

16 vjet më parë në një pritë të organizuar u vranë dy policët e Kosovës, Sabahate Tolaj e Jusuf Haklaj. Ata po hetonin rastin e vrasjes së kolonel Tahir Zemajt me djalin Enisin dhe kushëririn Hasanin. Vetëm pak ditë pas vrasjes, Tolaj e Jusuf Haklaj, ata kishin mbledhur shumë fakte për zbulimin e vrasjes së kolonel Tahir Zemajt por fatkeqësisht u vranë padrejtësisht duke marrë me vete misterin e heshtur të dëshmive dhe vrasjes. Ngjarja e rëndë ndodhi më 24 nëntor të vitit 2003.

Por, disa kohë më pas është zbuluar vrasësi i policëve Sabahate Tolaj e Jusuf Haklaj, Bedri Krasniqi. Ai sot gjendet në burg dhe ka pasur lidhje të afërta me Ramush Haradinajn. Megjithatë ende nuk dihet se kush janë urdhërdhënësit e këtij atentati.

Nuk dihet nëse hetimet për këtë rast kanë mbaruar me dënimin e Krasniqit. Mirëpo, ajo që dihet është se nuk u identifikuan dorasët tjerë që morën pjesë në vrasje dhe as urdhërdhënësi i tyre.

Por, ndonëse kjo çështje i takon rendit dhe ligjit nga Prokuroria e vendit, nuk kanë dhënë asnjë sqarim në lidhje me këtë çështje edhe përkundër përpjekjeve të gazetës “Bota sot” për ti kontaktuar.

Nga ana tjetër, analistët vlerësuan se çdo herë vrasjet politike bëhen me anë të proceseve tinëzare të fshehura, ashtu sikurse vrasjet e dy policëve Sabahate Tolaj e Jusuf Haklaj.

Burjani: Kjo çështje është e Prokurorisë, Gjykatës dhe Gjykatës Speciale

Njohësi i çështjeve juridike e politike, Blerim Burjani, ka pohuar se kjo çështje është e rendit dhe ligjit, pra e prokurorisë dhe Gjykatës, madje edhe e Gjykatës Speciale.Sipas tij, kjo çështje nuk mund të komentohet politikisht, por do të duhej të kërkohet zbardhja e të gjitha çështjeve të pa zbardhura deri më tash.

Image
Blerim Burjani

“Kjo çështje i mbetet prokurorisë dhe organeve të rendit dhe nuk mund të komentohet politikisht, sepse fjalën kryesore duhet të kenë organet e drejtësisë”, ka thënë njohësi i çështjeve juridike e politike Blerim Burjani.

Rexha: Duhet të zbulohen dhe të sjellën para drejtësisë të gjithë organizatorët dhe porositësit

Analisti politik Sali Rexhaj, ka thënë për gazetën “ Bota sot” se vrasjen e Tahir Zemës e kam përjetuar shumë rëndë, madje ai ka shtuar se Tahir Zemën e kishte edhe mik të mirë.

“Tahi Zemaj e kam njohur nga afër, ai ishte miku im dhe ishte njeri shumë i mirë, plot energji pozitive e ëndërr e dëshira për jetë. Ai ishte një oficer karriere e strateg i madh dhe nuk i kishte bërë askujt asnjë të keqe. Vrasja e tij me të birin dhe kushëririn, ishte ndër vrasjet më të rënda që e kanë përgjakë lirinë e Kosovës pas luftës. Këtë rast edhe më tragjik e bënë vrasja e dy luftëtarëve emblematik e polic të Kosovës, Sabahate Tolaj e Jusuf Haklaj, të cilët ishin afër që ta zbardhnin vrasjen e Kolonelit. E di se është dënuar një nga vrasësit, po puna me kaq nuk ka përfunduar. Duhet të zbulohen dhe të sjellën para drejtësisë të gjithë organizatorët dhe porositësit”, ka thënë analisti politik Sali Rexhaj.

Image
Sali Rexhaj

Sipas tij, në Dukagjin një kohë të gjatë janë vrarë shumë njerëz, nga grupet e ndryshme kriminale.

“Jam shumë i sigurt se me një hetim serioz dhe të pa ndikuar nga politika, kjo vrasje e pesëfishtë do të zbardhet deri në fund. Unë besoj se në këtë vrasje nuk ka gisht Haradinaj, po njerëz tjerë të cilët kanë pas e kanë urrejtje kundër krahut institucional të luftës, mbi baza ideologjike. E njëjta dorë e ka vrarë edhe Smajl Hajdarin, komandantin e UÇK-së për Rugovë dhe deputetin e Kuvendit te Kosovës, nga radhët e LDK-së, i dalë nga zgjedhjet e para pas luftës. Kosova nuk do të bëhet kurrë shtet normal, i lirë e demokratik pa u zbardhë të gjitha vrasjet”, ka thënë analisti politik Sali Rexhaj.

Mehazi: Lufta karrieriste e komandantëve bajraktarë ka bërë që të vriten dy policët Sabahate Tolaj dhe Jusuf Haklaj

Kurse, njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi, ka thënë se çdo herë e përherë vrasjet politike bëhen me anë të proceseve tinëzare e të fshehura, sikurse vrasjet e dy policëve Sabahate Tolaj e Jusuf Haklaj.

“Këtu s'duhet shumë menduar e filozofuar sepse shihet qartë se këto vrasje kanë qenë të paramenduara, të qëllimshme e të linçuara nga dikush, për fat të keq të tilla vrasjet shumë rëndë, apo vështirë zbulohen. Edhe pse nuk mund të dimë se kush urdhëroi për atentatin e vrasjeve të dy policëve, por mund të konstatojmë se ky atentat është bërë për prestigje e interesash kolonelësh e luftërash komandantësh se kush e cili do jetë më i fortë e më i zëshëm, grupi i kolonelit të vrarë Tahir Zemajt, apo grupi kundërshtar i të vrarit Zemajt. Njëra palë fshehë urdhërdhënësin dhe shkaktarin e vrasjes së kolonel Tahir Zemajt me familjen e tij, kurse pala tjetër mundohej e përpiqej të zbulonte urdhërdhënësin vrasjes së Zemajt”, ka thënë profesor Sulejman Mehazi.

Image
Sulejman Mehazi

Sipas tij, lufta karrieriste e komandantëve bajraktarë ka bërë që të vriten dy policët Sabahate Tolaj dhe Jusuf Haklaj.

“Fatkeqësisht, Prokuroria e Kosovës për shkak interesave klanore shtetërore që 16 vjet pas vrasjes së dy policëve është në gjumin dimëror të arinjve, gjumi i tyre është i qëllimshëm për të mos zbuluar shkaktarët e vrasjes të policëve. Prokuroria e Kosovës është më e keqja e së keqes shtetërore, është koka e padrejtësisë, është kanceri vdekjeprurës i të gjitha të këqijave në Kosovë e më gjerë”, ka thënë njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi.

Shahu: Frika është më e madhe se dëshira për të zbuluar krimet

Ndërsa, analisti politik Rexhep Shahu, ka pohuar se ashtu siç ecën gjithë jeta e zhvillimet në Kosovë, me atë dinamike zhvillohet edhe organi i akuzës që është prokuroria.

Ai konsideron se shteti, Kosova apo kushdo shtet në kushtet tona, në këtë nivel demokracie e ndarje pushtetesh, do të jetë këtë zhvillim e rrjedhje ngjarjesh.

Image
Rexhep Shahu

“Ne kërkojmë të matemi me ideale, e cila është vetëm në shtetin në libra. Janë mijëra goje te dukshme e të padukshme që në nuk e dimë se si lëvizin e kush i lëviz. Janë thurje të vështira interesash. Lojën e shahut të gjithë e luajmë nga larg, po kur ulemi në tavolinë të luajmë vetë është e vështirë. Teorikisht të gjithë bëhemi udhëheqësja ideale, por në praktikë ka pranga frikë. Prangat e frikës janë ato që nuk lejojnë të ndodhin gjerat, e të zbulohen krime, sepse frika është më e madhe se dëshira për të zbuluar krimet”, ka thënë analisti politik Rexhep Shahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat