Gjykata Speciale dërgon zarfin ku fshihet emri i ri i Presidentit

Politika

Gjykata Speciale dërgon zarfin ku fshihet emri i ri i Presidentit

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 12 dhjetor 2019 Në ora: 17:21
Gjykata Speciale

Presidenti aktual i Kosovës, Hashim Thaçi, pritet të ftohet nga Gjykata Speciale. Ky nuk është lajm. Emri i Thaçit është në raportin e Dick Martyt, në disa pika të tij kryesore, dhe nuk ka asnjë mundësi shpëtimi kësaj here.

Kjo gjë, qe besa, është arsyeja pse LDK-ja dhe VV-ja nuk po arrijnë koalicion qeveritar. Të dyja partitë e dinë se Thaçi nuk e ka të gjatë në atë detyrë. Prandaj, problemi është shumë më i madh se që del në opinion. Nuk është në pyetje viti 2021, o miq, por viti 2020. Fillimi i vitit 2020.

Specialja ka karakter tepër politik, Thaçi ndoshta edhe e ka bërë ndonjë pazar që të mbetet i lirë. Por, ky pazar kurrsesi nuk mund ta lë të lirë pafundësisht. Nëse jo tash, atëherë në fund të vitit edhe atij do t’i vijë ftesa. Nëse jo në fund të vitit, atëherë në fillim të vitit të ardhshëm. Roli i tij në hierarkinë e UÇK-së ishte i qartë. Dhe nëse UÇK-ja dyshohet për krime, atëherë me automatizëm bie dyshimi për krime edhe te drejtori që e bënte politikën e saj dhe që mban përgjegjësi për mënyrën se si rrodhën gjërat.

Nuk ka ikje nga Specialja. E se këtë e di edhe Hashim Thaçi, e pamë në fund të vitit 2017, kur u mundua ta shfuqizonte projektligjin që efektivisht do ta zhbënte mekanizmin që njihet si “Dhomat e Specializuara të Kosovës”. E nëse një gjë e kemi mësuar qe 20 vjet, është se Thaçi një veprim të tillë që e qet në pozicion të keq para ndërkombëtarëve, nuk do ta ndërmerrte për asgjë tjetër pos interesit të tij.

Megjithatë, Gjykata Speciale nuk do të dorëzojë një zarf, ashtu si ish ambasadori amerikan Christopher Dell, ku fshihet emri i presidentit të vendit. Por, Specialja do të dërgojë një zarf ku do të ndodhet ftesa për presidentin tonë.

Dhe kjo do të çojë në shkarkimin e tij. Më saktë, në dorëheqjen e tij. Jo për punë morali, a integriteti a dinjiteti. Por sepse do t’i duhet ta bëj një veprim të tillë.

Por, ky zarf nuk lidhet vetëm me emrin e Hashim Thaçit. Ky zarf tregon edhe se kush nuk do të jetë president. Ai domosdo nuk duhet të jetë një shok i Thaçit, ose një përkrahës i veprimtarisë së tij, ose zot ruana, pjesë e partisë së tij. Por, presidenti ose presidentja e re nuk duhet të jetë as me të kaluar nga lufta.

Pra, presidenti ose presidentja e re duhet të jetë një personalitet unifikues dhe i ri. Një personazh që nuk do të rrezikojë tensionimin e situatës politike në vend. Pra, një e tillë që nuk bën ndasi, nuk promovon ndasi. Isa Mustafa nga këto kritere është i përjashtuar. Deridiku edhe Vjosa Osmani. Në Vetëvendosje, nuk ka ndonjë personalitet të fuqishëm e të kultivuar.

Natyrisht që nuk mund të jetë as Rexhep Qosja. Ai është një përçarës që ka qenë rreptësishtë kundër presidentit Rugova, kundër LDK-së, kundër krahut pacifist. Nuk është unifikues, kjo më e pakta që mund ta themi.

Nuk është as Adem Demaçi, ndër tjerash edhe sepse nuk është gjallë.

Një kandidaturë që mund të konsiderohej do të ishte ajo e zonjës Rita, gruas së Albin Kurtit, dhe e cila është marrë gjerë e gjatë me Kosovën. Nuk e dimë a ka pasaportë kosovare, por megjithatë, vendi ynë do të përfitonte nga një nordike që i ka të përbrendësuara disa parime, e një pikëpamje më objektive. Tekefundit, burri i saj ka premtuar se do të na bëj si vendet e Skandinavisë. Epo, ta kemi një skandinave si presidente nuk do të ishte keq.

Në thelb, kryesorja, është që, presidenti i ri i Kosovës, të jetë njeriu që bashkëpunon, që nuk shitret se është asnjanës, që njëanshmërinë e lufton me shumëanshmërinë.

E rëndësishmja, të jetë person që s’kishte të bënte fare me luftën që të mund të ruante një farë stabiliteti politik.

Dhe për më tepër, një person që nuk i ngjanë Hashim Thaçit as në dukje e jo e jo në mendësi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat