A do të bëhen bashkë partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, flet profesori Mehazi

Politika

A do të bëhen bashkë partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, flet profesori Mehazi

Nga: A.M. Më: 11 janar 2020 Në ora: 15:32
Sulejman Mehazi

Është paralajmëruar që në janar të zyrtarizohet marrëveshja e tri partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut.  Por, si duket partitë Besa, Aleanca dhe Alternativa, nuk e kanë gjetur ende gjuhën e përbashkët.

Lidhur me këtë çështje, njohësi i çështjes politike, profesor Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot” është shprehur se partitë opozitare në Maqedoninë Veriore nëse duan ta mposhtin sundimin 18 vjeçar të BDI-së atëherë duhet t'i lënë inatet apo interesat partiake e të bashkohen në një.

“Partitë opozitare në Maqedoninë Veriore nëse duan ta mposhtin sundimin 18 vjeçar të BDI-së atëherë duhet t'i lënë inatet apo interesat partiake e të bashkohen në një, se, për ndryshe kurrë nuk do mund ta mposhtin BDI-në e Ali Ahmetit. Këtë bashkim të opozitës që me kohë e kërkon, e pret edhe popullata shqiptare në Maqedoni, por këto përçarje të partive opozitare nuk ua mundësojnë që popullata e votuesit shqiptarë ta dënoj partinë e Ali Ahmetit”, ka thënë profesori për “Bota sot”.

Për më tepër, Mehazi ka theksuar se prilli po afrohet dhe ka shpjeguar se ku qëndron problemi që këto tri parti shqiptare nuk po munden që të arrijnë marrëveshjen.

“Erdhi janari e do kalojë e po afrohet prilli ende asnjë marrëveshje nga tri partitë opozitare të Aleancës, Besës e Alternativës. Problemi i mosbashkimit është se Alternativa s'pranon të bashkëpunojë me Besën dhe as Aleanca e PDSH-ja s’pranojnë të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, kështu që ky mos bashkim i partive opozitare jo që e brengos popullatën shqiptare, por në anën tjetër e gëzon BDI-në. Kjo përçarje e partive opozitare Ali Ahmetit do i jepte dhe një fitore tjetër sunduese katërvjeçare”, ka deklaruar Mehazi për “Bota sot”.

Në fund, profesori ka potencuar se duke e parë situatën aktuale përsëri partitë opozitare do dalin më dyshe a treshe përballë BDI-së vetëm për ta dëmtuar me disa deputetë më pak e jo për ta mundur BDI-në.

“Sipas gjitha rrjedhave të tanishme parazgjedhore vërehet, se, përsëri partitë opozitare do dalin më dyshe a treshe përballë BDI-së vetëm për ta dëmtuar me disa deputetë më pak e jo për ta mundur BDI-në. BDI-ja mundet vetëm me bashkimin e të gjitha forcave opozitare, e kurrsesi ndryshe, megjithatë shpresa e bashkimit të forcave opozitare egziston dhe është e gjallë te popullata shqiptare në Maqedoninë Veriore”, ka përfunduar profesori Mehazi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat