‘Shpërthen’ anëtari i Kryesisë së AAK-së ndaj bisedimeve VV-LDK, tregon nëse Kurti dhe Mustafa do të arrijnë një marrëveshje për koalicion - Bota Sot
‘Shpërthen’ anëtari i Kryesisë së AAK-së ndaj bisedimeve VV-LDK, tregon nëse Kurti dhe Mustafa do të arrijnë një marrëveshje për koalicion

Politika

‘Shpërthen’ anëtari i Kryesisë së AAK-së ndaj bisedimeve VV-LDK, tregon nëse Kurti dhe Mustafa do të arrijnë një marrëveshje për koalicion

Nga: N.H Më: 12 janar 2020 Në ora: 21:51
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës

Anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se bisedimet mes dy partive fituese të zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit nuk mund të marrin një notë pozitive.

Sipas ish-deputetit të AAK-së, shtyrja e marrjes së mandatit nga presidenti është tallje.

Image
Muharrem Nitaj

“Nuk mund të marrin notë pozitive bisedimet për qeverinë e re. Në fakt e kanë komprometuar vetë idenë se si bëhen bisedat për qeveri. Shtyrja e marrjes së mandatit nga presidenti është tallje. I pari duhet ta marrë mandatin dhe të provojë brenda afatit kushtetues ta krijojë qeverinë. Nuk është fundi i botës nëse kjo nuk arrihet”, është shprehur Nitaj, për gazetën “Bota sot”.

Tutje, i pyetur se a mendon se do të arrihet një marrëveshje për bashkëqeverisje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, Nitaj ka thënë se përgjigjet të saktë nuk mund të japin as VV-ja dhe LDK-ja.

“Ndërkaq, sa i përket pyetjes suaj nëse unë besoj se do të arrihet marrëveshja midis Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, unë mendoj që as ata vetë nuk mund të japin përgjigje të saktë, e lërë më opozita”, ka thënë në fund, ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj, për gazetën “Bota sot”.

Ndërkaq, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se në takimin fundit me LDK-në, kanë bërë edhe dy propozime të reja, ndërsa për propozimin e tyre të fundit është thënë nga partia e Mustafës se do t’i trajtojnë në organet e tyre.

“Në takimin e mbajtur të mërkurën, të dyja palët kemi bërë nga një propozim. Pra, kishte lëvizje. Të enjten, ne si Lëvizje Vetëvendosje kemi bërë edhe dy propozime të reja. Për propozimin tonë të fundit na është thënë që do të trajtojnë në organet e tyre, meqenëse ky propozim ishte risi. Derisa nuk mund të flas se cila është përmbajtja e tij dhe çfarë do të bëjmë ne, pasi që kjo është pjesë e negociatave, unë mund të flas për atë se çka nuk do të bëjmë”, ka deklaruar Kurti”, ka thënë Kurtit në këtë takim.

Kreu i Vetëvendosje gjithashtu ka premtuar se do të bëjnë shumëçka që të arrijnë marrëveshje me LDK-në e Isa Mustafës.

“Do të bëjmë shumëçka që të arrijmë marrëveshje. Por, gjithnjë përbrenda kornizave të kushtetutës dhe ligjit, të demokracisë dhe të rendit republikan, të vullnetit të popullit të shprehur në zgjedhjet e 6 tetorit 2019”, ka deklaruar ai.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat