Alarmon analisti, ja se çfarë do të ndodhë në Kosovë nëse nuk arrihet marrëveshja Kurti-Mustafa, ka disa fjalë për vizitën e Kosnett dhe Walker në LDK

Politika

Alarmon analisti, ja se çfarë do të ndodhë në Kosovë nëse nuk arrihet marrëveshja Kurti-Mustafa, ka disa fjalë për vizitën e Kosnett dhe Walker në LDK

Nga: N.H Më: 13 janar 2020 Në ora: 22:29
Isa Mustafa, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Analisti dhe njohësi i rrethanave politike në vend, Rexhep Elezaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se zgjatja e bisedimeve mes dy subjekteve fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit i ka lodhur të gjithë gati deri në neveri.

Ai është i mendimit se zhagitjet kaq të gjata që po ndodhin në arritjen e marrëveshjes për koalicion bashkë qeverisës mes dy subjekteve pa asnjë dyshim, e kanë vënë seriozisht në pyetje edhe funksionimin normal të organeve shtetërore të Kosovës, andaj, sipas tij, si të tilla janë veprime të pajustifikueshme politikisht dhe kombëtarisht, pa marrë parasysh shkaqet që këto dy parti nuk po ia dalin dot të merren vesh për modalitetet dhe resorët që do i udhëheqin bashkërisht.

“Sovrani prej afër 500 mijë votuesve ua ka dhënë besimin që urgjentisht ta ndryshojnë gjendjen e rënd ekonomike dhe sociale në Kosovë, duke e formuar qeverinë e re në krye me Albin Kurtin, kryeministër. E dyta, nga kjo zvarritje e gjatë si dhe mospajtimet e shfaqura gjatë bisedimeve midis këtyre dy subjekteve partiake, sidomos ato rreth ndarjes së posteve kryesore të udhëheqjes me shtetin dhe qeverinë, siç është posti i presidentit dhe tash edhe ai i kryetarit të Kuvendit, jo vetëm votuesit dhe opinionin tonë të gjerë në Kosovë, por madje edhe përfaqësuesit diplomatik të shteteve mike perëndimore, në rend të parë amerikanët, i ka lodhur gati deri në neveri kjo tej zgjatje e pakuptimtë”, është shprehur ai, për gazetën “Bota sot”.

Tutje, ai ka folur edhe për vizitën e ambasadorit Kosnett, dhe ish-shefit të misionit të OSBE-së, Walker në LDK, për të cilat ka thënë se do kenë efekt dhe ndikim pozitiv, që udhëheqësit e e kësaj partie t’i japin fund kërkesave të tyre të shumta.

Image
Rexhep Elezaj

“Prandaj, erdhi deri tek vizita e ambasadorit amerikan, Kosnett në selinë e LDK-së, përkatësisht takimi i tij me kryetarin e saj, Isa Mustafa, që është dëshmia më e mirë se cila palë në bisedime po e pengon arritjen e marrëveshjes, që, edhe sipas protokollit diplomatik kjo vizitë nënkupton qartë se është LDK-ja ajo e cila po e zvarritë përmbylljen e bisedimeve dhe arritjen e marrëveshjes me LVV-je. Po ashtu, edhe vizita e mikut të madh të shqiptarëve, William Walker hynë në kuadër të presionit që miqtë tanë po i bëjnë LDK-së që mos ta zhagis më nënshkrimin e marrëveshjes me Vetëvendosje, dhe, unë besoj shumë se vizita e Walker dhe e ambasadorit Kosnett, patjetër se do kenë efekt dhe ndikim pozitiv, që udhëheqësit e LDK-së t’i japin fund kërkesave të tyre të shumta, shumicën e të cilave Albin Kurti ua ka plotësuar. Po qese Isa Mustafa dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, nuk do i dëgjojnë këshillat e miqve tanë amerikanë, atëherë është shumë më e ndershme që votuesve të tyre t’iu thonë publikisht, se LDK-ja largohet nga bisedimet e më tejme me Vetëvendosjen”, ka thënë Elezaj.

Në fund, ai ka theksuar se nëse nuk arrihet marrëveshja midis tyre, Kosova pashmangshëm do hynë në një krizë të re qeveritare

“Pasojat e të cilës është vështirë për parashikohen, nga fakti, sepse vendi ynë do rrëshqet drejt zgjedhjeve të reja, të cilat shtetin e Kosovës do ta kthenin për disa vite prapa, dhe, këtë huqje të madhe nuk besoj se do ta pranojnë miqtë tanë, siç janë amerikanët, gjermanët dhe anglezët. Se a do të kemi koalicion gjatë muajit janar midis LVV-je dhe LDK-së, unë, siç kam deklaruar disa herë më para, jam i prirur të besoj se ky koalicion do bëhet patjetër, nëse jo brenda kësaj jave, atëherë javën e ardhshme dosido, duke marrë parasysh shumë rrethana politike në rajon dhe më gjerë, të cilat për fat të keq po rrjedhin në disfavor të interesave të Kosovës, sidomos ato në arenën ndërkombëtare”, ka thënë në fund, analisti politik Rexhep Elezaj, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat