Ligjëruesi i gjeopolitikës në Paris: Kosova është shumë me rëndësi sesa dialogu me Serbinë

Politika

Ligjëruesi i gjeopolitikës në Paris: Kosova është shumë me rëndësi sesa dialogu me Serbinë

Nga: D.B Më: 16 janar 2020 Në ora: 15:39
Mirsad Voca

Nëse arrihet koalicioni LVV-LDK atëherë do të ketë një dinamikë të re të dialogut Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga BE.

Koalicioni LVV-LDK nuk do të ishte i shantazhueshëm si ndaj faktorit ndërkombëtar ashtu dhe ndaj Shtetit fqinj serb.

Kështu ka vlerësuar Mirsad Voca, doktor shkence dhe ligjërues i gjeopolitikës në Paris i cili në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se këtu nuk kemi të bëjmë me asnjë lloj frike, por më shumë me një lloj opinioni që po punon pareshtur kundër koalicionit të mundshëm LVV-LDK, i cili propagon ide që nuk duhet të merren aspak në konsideratë sepse janë jo serioze.

“Është po ashtu e drejtë të konkludohet se dinamika e vjetër e dialogut do të pësojë thyerje dhe kjo nuk do t’i konvenoj fillimisht as BE-së, as Serbisë dhe as disa faktorëve të brendshëm në Kosovë. Megjithatë, më vonë do të kuptojmë se sa i nevojshëm ka qenë një vizion i ri politik që ka si prioritet zhvillimin e brendshëm të vendit dhe se si dialogu me Serbinë do të përfundojë në të mirë të dy shteteve e jo në favor të disa individëve”, ka thënë  Mirsad Voca, doktor shkence dhe ligjërues i gjeopolitikës në Paris.

Sipas tij, problemet e njëjta nuk mund të zgjidhen me të njëjtin mentalitet politik që i ka krijuar ato, Kosovës aktualisht i duhet më shumë se kurrë një dinamikë e re politike e qeverisëse, e cila besoj se do të jetësohej me arritjen e koalicionit LVV/LDK.

“Për më tepër, kjo dinamikë e re do të ndikonte edhe në reformimin e partive opozitare. Tani, mund të parashtrohej pyetja se çka është më prioritare për Kosovën? Dialogu me Serbinë me të njëjtat figura politike, të cilat dështuan në krijimin e Shtetit të së drejtës dhe si pasojë Kosova u zbraz e vazhdon të zbrazet masivisht, apo zhvillimi i brendshëm i vendit, i cili do të bënte që vendi të marr kahje progresi të brendshëm dhe si pasojë dialogu me Serbinë do të ishte më i balancuar, sepse atë do ta udhëheqtë një Qeveri e Kosovës e pa shantazhuar dhe jo Presidenti i cili nuk ka prerogativa kushtetuese për të drejtuar dialogun”, ka thënë Voca.

Ai ka thënë se nga pikëpamja e thyerjes së dinamikës së vjetër lidhur me dialogun, sigurisht që po bëhen përpjekje për një ndikim indirekt në arritjen e koalicionit LVV/LDK nga disa faktorë sidomos të brendshëm por dhe të jashtëm.

“Nuk do të duhej assesi të lejohet që kjo të ndikojë në zhvillimin e një mentaliteti të ri politik në vend nga fakti se Kosova është shumë më me rëndësi sesa dialogu me Serbinë. Tani partitë politike fituese të zgjedhjeve duhet të mësohen të marrin përgjegjësi të pavarura ndaj çfarëdo ndikimi të jashtëm apo të brendshëm sepse vetëm me një qasje të tillë, Kosova do të ngritej në një nivel tjetër partneriteti si ndaj shteteve fqinje e sidomos ndaj Serbisë e po ashtu ndaj shteteve mike dhe BE-së duke konfirmuar se tash e tutje Kosova qeverisë ndryshe dhe bëhet ndryshe me një vizion të qartë për të ardhmen e saj”, ka thënë Mirsad Voca, doktor shkence dhe ligjërues i gjeopolitikës në Paris.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat