Dil matu Albin, KQZ e gatshme për zgjedhje! - Bota Sot
Dil matu Albin, KQZ e gatshme për zgjedhje!

Politika

Dil matu Albin, KQZ e gatshme për zgjedhje!

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 24 janar 2020 Në ora: 20:33
Albin Kurti

Kjo javë është vendimtare për arritjen ose jo të koalicionit LDK-LVV. Kjo “ose jo”, sigurisht se është mjaft dëshpëruese për qytetarët, kur dihet se, ata votuan që ky koalicion të bëhet. Ata, pra qytetarët e Republikës së Kosovës, votuan për koalicionin e tyre të shpresës, e që si duket do të përjetojnë një fund zhgënjyes.

Bashkëpunimi i filluar viteve të fundit, pas rivalitetit të ashpër sidomos të Lëvizjes Vetëvendosje kundër LDK-së, duket se nuk po i sjellë frytet e dëshiruara. E kjo situatë e “pashpresë” mund të themi se nisi para zgjedhjeve të 6 tetorit, kur kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti, ofroi mundësinë e garës në një listë të përbashkët të të dyja partive, pa kandidat për kryeministër, por vetëm me bartës të listës. Pra, që në fillim Kurti tentoi që të nxiste garën ndërmjet dy subjekteve politike, të cilat në një listë të përbashkët do të mund ta luftonin ashpër njëra tjetrën, në momentin kur do të numëroheshin votat për kandidatët për deputet. Pra, çdo gjë nisi keq dhe duket se keq do të përfundojë.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, po e kanë të pamundur të arrijnë marrëveshje qeverisëse, ndonëse koha po kalon e qytetarët po presin.

Këto ditë, në Kosovë qëndroi edhe i dërguari i Posaçëm Presidencial për Negociatat e Paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Ambasadori Richard Grenell. Ai dha mesazhin se Kosova duhet të zhvillohet ekonomikisht, duke i kushtuar rëndësi të veçantë taksës 100% ndaj produkteve serbe, për të cilën kërkoi që të hiqet. Pra, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje e Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë deklaruar se dialogun me Serbinë nuk do ta lënë në duar të Presidentit Hashim Thaçi, ky i fundit me kompetencat e tij, po zhvillon takime të rëndësishme ndërkombëtare.

Në këtë kuptim, mos arritja e marrëveshjes, po i lë hapësirë të mjaftueshme Presidentit Thaçi që të ushtrojë rolin e tij, ani pse për shumë çështje apo vendime që ai ka marrë më herët sa i përket dialogut, ka marrë reagime kundërshtuese nga LDK dhe Vetëvendosje.

Deri në fund të kësaj jave, pritet që të dihet fati i koalicionit të shpresës për qytetarët e vendit. Nga ajo se si kanë rrjedhur gjërat deri më sot, me oferta e kundër oferta, nuk do të ishte fare befasi dështimi i arritjes së këtij koalicionit.

Fundja, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjithmonë është i gatshëm për mbajtjen e tyre. E nëse zgjedhjet do të jenë epilog i kësaj katrahure të krijuar tash e 6 muaj, atëherë, është në dorën e qytetarëve se kujt t`ia japin votën e tyre. Siç do të thoshte vet Albin Kurti: Matuni!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat