A do të arrihet marrëveshja LVV-LDK deri nesër? Flet Shahu - Bota Sot
A do të arrihet marrëveshja LVV-LDK deri nesër? Flet Shahu

Politika

A do të arrihet marrëveshja LVV-LDK deri nesër? Flet Shahu

Nga: G.B Më: 25 janar 2020 Në ora: 15:49
Albin Kurti dhe Isa Mustafa

Nesër është afati i fundit për arritjen e marrëveshjes për nënshkrimin e koalicionit LVV-LDK.

Bisedimet në mes partive kanë filluar që pas zgjedhjeve të 6 tetorit, por që deri tash ato nuk kanë arritur të pajtohen për koalicion, rrjedhimisht për formimin e qeverisë së re.

Por, sa janë mundësi që marrëveshja të arrihet deri të dielën?

Image
Rexhep Shahu

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu, ka thënë për gazetën “Bota sot” se duhet dhe do të ketë marrëveshje, por që do të jetë pragmatiste dhe jo aq e moralshme.

“Deri në sekondat e fundit besoj se do të ketë një marrëveshje pragmatiste jo aq e moralshme, por shumë e nevojshme për vendin. Duhet të arrihet marrëveshje që të krijohet një qeveri që nëse nuk do shërbejë gjatë, të paktën të përgatisë zgjedhjet e reja. Besoj se do të arrihet marrëveshje edhe pse VV sillet me LDK si tutori me viktimën, pasi LDK është forcë politike që para se për karrige mendon për Kosovën e VV mendon qartazi vetëm për karrige dhe pushtet të pakufi”, është shprehur ai.

Shahu vlerëson se VV për model po ofron vetëm fjalimet e Kurtit, derisa shton se shpreson që një dorë miku do t’i bashkojë duart në mes të dy partive politike dhe të bëjë një martesë të panatyrshme.

“Vajmedet sikur VV të kishte fituar 61 deputetë se çfarë dhunë karrigesh do provonim. VV po shtiret se është e virgjër dhe ndërkohë të gjitha partitë e njerëzit tjerë janë jo të virgjër sipas saj. Por model nuk ofron përveç fjalimeve të Albinit nëpër televizione të bindë veten se do të jetë kryeministër si fitues i shumicës së pakicës, me 29 deputetë në një parlament me 120 deputetë. Le të shpresojmë se një dorë miku do t'ua bashkojë duart dy partive politike që të bëjnë një martesë të panatyrshme”, ka deklaruar Rexhep Shahu për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat