Një qeverisje ndryshe me sfida të mëdha

Politika

Një qeverisje ndryshe me sfida të mëdha

Kushtrim Maliqi Nga Kushtrim Maliqi Më 28 janar 2020 Në ora: 10:18
Albin Kurti

Fituesi i zgjedhjeve të 6 tetorit si kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti po i numëron ditët mbrapsht për sa i përket kohës deri kur i duhet ta ndërtojë qeverinë për të udhëhequr me institucionet e vendit. Lidhja Demokratike e Kosovës i ka dhënë afat Kurtit deri të dielën, nëse deri atëherë nuk mirën vesh, LDK janë shprehur se do të vendosin të qëndrojnë në opozitë, në mënyrë që javën e mbetur, Albin Kurti ta shfrytëzojë për të provuar ta formojë qeverinë me subjektet tjera.

Sado që një ditë duket afër, e ditën tjetër larg koalicioni, nëse flasim për punët që e presin Kurtin janë të mëdha. Ndër çështjet më të mëdha të cilat i ka “rrahur” duke i kundërshtuar, madje edhe duke i nxjerrë qytetarët në rrugë për të protestuar, kanë qenë lista e fryrë e veteranëve, problemet në shëndetësi, dështimi i qeverive të kaluara në arsim, asociacioni e shumë tema tjera, për të cilat qytetarët, nga Kurti presin zgjidhje më të mirë.​

Bulliqi: Albini do të jetë një kryeministër shembull

Lidhje me këtë çështje, deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi, duke e komentuar Albin Kurtin si kryeministër i mundshëm i vendit ka thënë se ai do të ishte shembull për të mirë në udhëheqje të vendit.

Image
Shpejtim Bulliqi

Sipas Bulliqit, Kurti do të jetë kryeministër i cili do të bëjë ndryshme pozitive në drejtësi, ekonomi e sektorë tjerë të rëndësishëm të vendit.​

“Unë besoj se Albini do të jetë një kryeministër shembull, ndryshe, në kuptimin pozitiv, do të ruaj atë që ne nuk jemi mësuar ta shohim të liderët tjerë, pra thjeshtësinë, nuk do të jetë një njeri i luksit dhe zhvatjes së buxheti të shtetit. Mrekulli nuk do të bëj jo pse nuk do të kishte dëshirë por Kosova ashtu si është me progresin dhe mangësitë që i ka duhet të kaloj edhe një kohe, gjithnjë duke besuar se do të ketë veprime të shumta pozitive, në kuptimin e shndërrimit të Kosovës në një vend ku do të sundoj barazia, ligji dhe drejtësi për të gjithë, por do të jetë ai që do të jetë pika kthesë e Kosovës, sepse nuk ka qenë pjesë e pushtetit dhe së është një model krejt ndryshe. Albini do të jetë një model i një kryeministri Nordik, të cilët shquhen nga thjeshtësia dhe llogaridhënia. Albini do të njihet si njeriu që e reformoj sistemin e drejtësisë, pa i bërë fare presion, pa aplikuar fare ‘Pronto’ metodologjinë, pasi që të gjithë të kyçurit në sistemin e drejtësisë, e dinë se si do të funksionojë ai, nuk do të këtë presion nga ai. Besoj se Vettingu të cilin e ka në program, VV për sistemin e drejtësisë dhe policisë nuk mund të konsiderohet si presion pasi që nuk e kryejnë partitë politike por ekipe profesionale vendore dhe ndërkombëtare”, ka thënë deputeti Bulliqi.​

Ende mbetët të shihet se si do të ballafaqohet Albin Kurti me çështjet të cilat kategorikisht i ka kundërshtuar, e që e presin në radhë në qeverinë e tij, në një periudhë kur do ti duhet të merret si prioritet me bisedimet me Beogradin.​

Kryeziu tregon se cilat do të jenë sfidat e Albin Kurtit

Image
Nexhat Kryeziu

Njohësi i çështjeve ekonomike e politike, Nexhat Kryeziu, duke folur rreth kësaj çështjeje, ka thënë se bisedimet me Serbinë dhe eventualisht gjetja e një zgjidhjeje paqësore dhe afatgjate për të dyja vendet, janë çështje që SHBA-ja dhe BE-ja janë duke u angazhuar.​

Ai konsideron se edhe qeveria Kurti duhet të merret me këtë çështje, mirëpo bisedimet në vend që të bëhen për tema që vetëm Serbia deri tash ka hapur, të bëhet për tema që janë në dobi për Kosovën, duke filluar nga çështja e të pagjeturve, reparacionet e luftës, e deri tek ndarja e pasurisë së ish -Jugosllavisë .​

Kryeziu ka folur edhe për atë se si duhet vepruar me veteranët e rrejshëm , duke theksuar se çështja e veteranëve është me shume çështje politike se sa reale.​

Sipas tij, janë dy probleme që ishte dashur të adresohen në mënyrë adekuate: Ligji dhe aktet nënligjore që duhet të amandamentohen dhe të qartësohen.​

“Konsideroj që një gjë e tillë duhet të bëhet me palët e interesit shoqatat e veteranëve në mënyrë që kjo çështje të trajtohet në mënyrë sa më të drejte. Instrumentalizimi i kësaj çështje për nevoja të një partie politike apo grupacioni nuk ishte dashur të ndodhë tani e tutje. Po ashtu edhe gjendje në shëndetësi duhet të ndryshojë, e kjo bëhet sipas programit të LVV gjatë fushatës zgjedhore, por del kritike se duhet të jetë implementimi i sistemit i informacionit shëndetësor, si dhe implementimi i ligjit për sigurime shëndetësorë, e në të njëjtën kohë konsolidimi i sistemit”, ka thënë Kryeziu.​

Sipas tij, problem ka edhe në gjendjen e arsimit, meqë kërkohet reforme rrënjësore në arsim, dhe eliminimin e dorës së pushtetit apo grupeve polikë nga ky sektor.​

“Kalimi i sistemit ekzistues në atë të arsimit duhet të jetë ngjashëm me shtetet gjermano folese. Pastaj kemi edhe problemin me Telekomin, ku duhet një rishikim total i gjendjes në Telekom, duke filluar nga kontratat ekzistuese dhe menaxhimit aktual të resurseve si dhe përgatitja e një plani të veprimit për rimëkëmbje të këtij sektori jetik në Kosovë”, ka thënë njohësi i çështjeve ekonomë e politike Nexhat Kryeziu.​

Mehmeti: Duhen reforma të thella

Image
Faton Mehmeti

Analisti Faton Mehmeti, ka thënë se së pari Albin Kurti ende nuk është bërë kryeministër, dhe nuk dihet se a do të ndodh një gjë e tillë.​

Sipas tij, degradimi i jetës në të gjitha sferat siç janë ekonomia, shëndetësia dhe arsimi ka qenë shtytja më e madhe e qytetarëve për të votuar opozitën e deri djeshme që të udhëheqë me vendin.

“Andaj prioritet i qeverise së re, nëse ajo ndodh mes VV-LDK, duhet të jetë pikërisht këto tri shtylla të shtetit. ndonëse duhet shumë kohë për tu kthyer gjërat në binarë, e megjithatë duhet vullneti i mirë për të bërë ndryshimet e nevojshme. Reformat e thella në këto segmente, së pari depolitizmimi i tyre, është ajo që duhet bërë me patjetër. Të shohim si do të shkojnë gjërat, por nëse do të jetë e suksesshëm duhet së pari në arsim dhe shëndetësi të fillohet reformat e mëdha, pa harruar këtu edhe drejtësinë e kapur nga politika”, ka thënë analisti politik Faton Mehmeti.​

Kadriu: Kurti do ta ketë të vështirë për ta përmirësuar gjendjen

Image
Durim Kadriu

Durim Kadriu, njohës i çështjeve politike në vend, ka thënë se edhe pse të gjithë po presim që së shpejti në krye të qeverisë të vjen Albin Kurti, ai edhe kësaj radhe nuk do të udhëheqë me institucionet e vendit, jo sepse po e pengon dikush, por sepse nuk po do vetë, duke zgjedhur vetë ashtu.​

“Së pari, mendoj se z. Kurti edhe kësaj radhe nuk do të jetë kryeministër, jo se mund ta pengojë dikush, por sepse ai ka zgjedhur ashtu. Por edhe nëse bëhet do ta ketë jashtëzakonisht të vështirë për ta përmirësuar gjendjen në të cilën ndodhemi, kjo ngase ka vënë objektiva të rënda për veten dhe pritshmëri të lartë për qytetarët. Ndërsa, sa i përket bisedimet me Beogradin, mendoj se e pret detyrë edhe më e rëndë, ngase, SHBA do të kërkojë të arrihet shumë shpejt një marrëveshje historike me Serbinë, që do të thotë të ketë shkëmbim territoresh edhe atë sipas planit dhe presionit amerikan. Këtë fakt mendoj se e dinë të gjitha partitë kryesore në Kosovë por nuk po e bëjnë me zë, dhe mu për këtë kanë një hezitim të madh për të marrë pjesë në qeveri.​ Me veteranët e rrejshëm do ta ketë më lehtë, mjafton të gjejë prokurorë të guximshëm dhe t’u ofrojë atyre mbrojtje 24/7, pastaj ata do ta drejtonin lehtë këtë çështje.​

Gjendja në shëndetësi nuk është edhe aq e keqe sa e mendojmë. Me një disiplinim të buxhetit dhe të punëtorëve shëndetësorë dhe me përmbushjen e kërkesave të këtyre të fundit do të arrihej një përmirësim i dukshëm dhe i shpejt.​

Gjendjen në arsim do të mund ta përmirësonte duke ndryshuar plan-programin mësimor, duke bërë vlerësimin e nxënësve se kush është për universitet e kush për shkollë profesionale, duke larguar mësimdhënësit e dobët që zakonisht janë militant partiakë dhe duke ngritur kriterin e notimit në kolegjet private, njëjte sikurse edhe në Telekom, duke larguar militantët joprofesionistë dhe duke afruar dhe avancuar profesionistët”, është shprehur Kadriu.​

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat