LVV apo LDK, ja cila parti është përgjegjëse absolute për dështimin e marrëveshjes

Politika

LVV apo LDK, ja cila parti është përgjegjëse absolute për dështimin e marrëveshjes

Nga: N.H Më: 29 janar 2020 Në ora: 20:38
Isa Mustafa dhe Albin Kurti

Pozita e kryetarit të Kuvendit të Kosovës edhe me tej po del të jetë shkaku kryesor që dy partitë fituese të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 6 tetorit nuk po arrijnë një marrëveshje për koalicion.

Ani pse nën praninë e ambasadorëve të QUNINT-it zhvilluan takimin e fundit dy liderët, Kurti e Mustafa, as këta të fundit nuk ndikuan që të pajtojnë këto dy parti.

Analisti politik, Fatmir Bajraj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se gjasat për një koalicion për bashkëqeverisje mes partisë së Kurtit dhe asaj të Mustafës po zbehen me kalimin e kohës.

Ai shprehet se synimi kryesor i partisë së liderit të Lëvizjes Vetëvendosje është konsumimi i afateve kushtetuese dhe fajësimi i LDK-së për dështimin

“Besimi, tanimë është rrënuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Gjasat për një koalicion qeverisës në mes të LVV-së dhe LDK-së, po venitën dhe me kalimin e kohës, shanset e dështimit po rritën në proporcion simetrik. Tanimë presioni kohë, edhe pse ka vënë “në siklet” Vetëvendosjen si përgjegjëse absolute për suksesin dhe dështimin e formimit të institucioneve, megjithatë, synimi i partisë së Kurtit, është konsumimi i afateve kushtetuese dhe fajësimi i LDK-së për dështimin, gjë që ka edhe mbështetjen e medieve në këtë synim, për fatin tonë të ligë”, ka thënë Bajraj, për gazetën “Bota sot”.

Tutje, ai ka shtuar se Lidhja Demokratike e Kosovës me ofertën e fundit ka kërkuar si kushte më pak se sa realisht i takon.

Image
Fatmir Bajraj

“Lëvizja Vetëvendosje nuk është e gatshme të marrë përgjegjësitë qeverisëse me të cilat e ka ngarkuar vullneti i sovranit dhe ligji themelor, Kushtetuta, andaj kërkon eskivimin nga marrëveshja në partneritet dhe e balancuar me LDK-në, e cila dorën në zemër ka kërkuar si kushte më pak se sa realisht i takon, derisa Lëvizja Vetëvendosje, përveç resorëve qeveritar, përgjegjësitë kushtetuese në tre pozitat shtetërore, i ka rezervuar për vete si e drejtë ekskluzive”, ka shtuar ai.

Bajraj mes tjerash thekson se gjasat për një koalicion tashmë janë bërë problematike, pasi ai konsideron se Lëvizja Vetëvendosje përmes diskursit publik, ka rrënuar besimin reciprok.

“Marrëveshje koalicioni, me gjasë nuk do të ketë, edhe për faktin se Vetëvendosje, përmes diskursit publik, ka rrënuar besimin reciprok, saqë edhe një koalicion eventual nuk do të rezultonte i suksesshëm, së paku jo ai i pritjeve entuziaste të para dhe pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019. LVV- ja përmes diskursit anakronik dhe narracionit absurd politik ndaj LDK-së, përmes eksponentëve në Tiranë dhe në media, gjatë gjithë kohës ka shpenzuar energji në dëmtimin e LDK-së, në vend se të punojë e të angazhohet në përafrim e partneritet të besueshëm”, ka theksuar Bajraj, për gazetën “Bota sot”.

Ai krejt në fund thotë se partia e Albin Kurtit, po e sheh dhe e do LDK-në, si vartëse dhe jo si partnere të denjë koalicioni, dhe, sipas tij, pa këtë të fundit, vështirë të gjendet rruga e bashkëpunimit dhe bashkërendimit në angazhimin për qeverisjen dhe shtetin.

Kujtojmë se përkundër pritjeve, sot nuk pati ndonjë takim mes Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (VV) si dhe mes liderëve të saj, Isa Mustafa dhe Albin Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat