Pse teza e Lubonjës për aksionet e NATO-s në Kosovë është joreale?!

Politika

Pse teza e Lubonjës për aksionet e NATO-s në Kosovë është joreale?!

Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi Më 6 mars 2020 Në ora: 18:20
Sulmet e NATO-s ndaj caqeve serbe në Kosovë

Fatos Lubonja ka lëçit një koment analizë të tij në gazetën “Panorama”, në të cilën ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë e trajton si një “luftë për interesat amerikane”! Ai shkruan se “Ka shumë të dhëna që tregojnë se, përtej retorikës humanitare, bombardimet u kryen më së pari dhe kryesisht për interesa amerikane”. Ndërkohë arrin në këtë konkluzion bazuar në të dhëna të njëanshme, të cilat i merr nga një libër i autorit Naom Chomsky, të cilin e quan intelektualin më të madh të kohës, qëllimisht që t’i jap vlerë mbështetëse konkluzionit të tij të gabuar dhe joreal.

Në fakt nuk është vetëm Lubonja ai që bombardimet e NATO-s për Kosovën i vlerëson nga pikëpamja e interesit amerikan. Ka plot autorë të tjerë perëndimorë, të cilët mbrojnë të tilla pikëpamje. P.sh Tania Noctiummes dhe Jean Pierre Page i quajtën aksionet ushtarake të NATO-s në Kosovë si “Luftë imperialiste për vendosjen e rregullit të ri botëror”, si “të parin agresion të NATO-s kundër një vendi sovran” dhe i lidhën këto aksione me “qëllimet amerikane për të shtrirë sundimin e SHBA-ve në të gjithë globin”. Këta dy autorë abuzonin me Doktrinën Clinton të vitit 1993, në të cilën, doktrinë e cila sipas Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare Amerikane, Anthony Lake, synon të përhapë demokracinë dhe ekonominë e tregut në të gjithë botën.

Po kështu Sami Amin shkon më tej kur shkruante se “Uashingtoni me këto bombardime dëshironte të terrorizonte gjithë botën…”.Ndërsa Noctuimes dhe Pierre i përmbahen tezës se caqet serbe të ushtrisë e policisë u bombarduan për shkak të shtrirjes së influencës amerikane deri në vendet e Kaukazit, Amin shkon më tej, duke e konsideruar ndërhyrjen në Kosovë të pranverës së vitit 1999 si luftë imperialiste.

Fatos Lubonja i referohet një literature si kjo, kur citon majtistin Naom Chomsky. Dhe këtë tezë ai e përdor për t’u bërë thirrje shqiptarëve të heqin dorë nga mirënjohja e shqiptarëve për amerikanët, duke nxit madje një lloj antiamerikanizmi të papërligjur tek ata. Ajo që dua të them ka të bëjë me faktin se analistë të formatit të Lubonjës nuk gabojnë rastësisht. Pa dashur të linçoj aspak konceptet, teoritë, tezat, pikëpamjet, idetë që zoti Lubonja trajton në punimet e tij analitike, më duhet të ndërhyj në këtë rast, sepse shqiptarët nuk e meritojnë keqinformimin. Më duhet të dëshmoj me fakte lajthitjet e Fatos Lubonjës në atë shkrim, janë të dëmshme. Dhe cilat janë lajthitjet e tij në këtë rast?

Së pari, nuk është e vërtetë se bombardimet e NATO-s ndodhën kryesisht për shkak të interesave amerikane. Për këtë Lubonja duhej të konsultohej me burime dhe të dhëna të tjera, përveç preferencave të tij të njëanshme. Presidenti Bill Clinton në fjalimin e tij para kombit amerikan të datës 24 mars, kur filluan bombardimet, theksoi tre objektiva: 1. Që NATO të dëshmojë se është kundër agresionit të Milosheviçit dhe synon paqen, 2. Se Milosheviçit i duhet bërë me dije se duhet të paguajë një çmim për sulmet e tij kundër njerëzve të pambrojtur. 3. Se duhej reduktuar dhe dobësuar aftësia ushtarake e Serbisë, me qëllim që ajo të mos mund të cenojë paqen e sigurinë në rajon në të ardhmen. Ndërkaq Clinton theksoi faktin se Milosheviçi pas dhjetëra mijë viktimave që shkaktoi në Kroaci e Bosnjë, tashmë po terrorizon dhe kryen krime ndaj shqiptarëve në Kosovë. Në fund të fjalës së tij, Clinton shprehej qartë: “Në fund të shekullit XX, pas dy luftërave botërore dhe një lufte të ftohtë, Aleanca dhe ne kemi shansin t’u lëmë fëmijëve tanë një Evropë në paqe e stabile”.

Nuk besoj se ka njeri me minimumin e logjikës që nuk i merr për të vërteta këto argumente. Me siguri zoti Lubonja nuk i ka konsultuar të tilla burime. Por mundësitë i ka pasur që ta bëjë këtë. Dhe në shtesë të këtyre fakteve më duhet të përmend dhe disa të dhëna të tjera, gjithnjë në funksion të argumentit se bombardimet e NATO-s kundër Serbisë u zhvilluan kryesisht për arsye të tjera nga ajo që përmend Lubonja.

Sekretari I Përgjithshëm I NATO-s, Havier Solana i argumentoi sulmet ajrore të NATO-s me faktin se Milosheviçi nuk kishte pranuar të zbatonte disa rezoluta të mëparshme të KS të OKB-së. Përkundrazi kishte filluar një ofensivë ushtarake kundër popullsisë civile e jo vetëm kundër UÇK-së. Nga ana tjetër, Miloshiviçi kishte përgatitur një projekt për spastrimin etnik të Kosovës, projekt i cili kishte rënë në duart e ministres së Jashtme të Bullgarisë dhe ajo ia kishte dhënë personalisht Joschka Fischer në Berlin. Bazuar në këtë dokument si dhe në veprimet ushtarake të Serbisë në terren, SHBA-të dhe NATO prisnin një konflikt të përmasave më të mëdha sesa ai i Bosnjës. Kësisoj katastrofa humanitare do të ishte e pashmangshme dhe konflikti mund të përhapej në gjithë rajonin, duke përfshirë Turqinë, Greqinë, Maqedoninë dhe Shqipërinë.

Situata në terren dhe argumentet e liderëve të shumtë euro-amerikanë na japin të dhëna të mjaftueshme se ndërhyrja ushtarake në Kosovë u bë për shkaqe humanitare dhe të sigurisë europiane. Pra fushata ushtarake ndodhi jo aq për interesa të Amerikës, sa për interesat strategjike të paqes, stabilitetit dhe integrimeve që kishte Evropa. Për këtë arsye vendimi për këtë fushatë ushtarake u mor me konsensus të plotë të 19 vendeve anëtare të asaj kohe të Aleancës Atlantike.

Së dyti: Nëse pranojmë tezën e Lubonjës për interesa amerikane në Kosovë e rajon, atëherë do të duhej të pohonim se ndërhyrja e NATO-s në Kosovë nuk ishte legjitime nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare. Por e vërteta qëndron krejt ndryshe dhe zoti Lubonja i ka aftësitë të konsultohet edhe sa i përket këtij aspekti. Për të argumentuar pohimin e mësipërm duhet përmendur fakti se para fushatës ushtarake ajrore bashkësia ndërkombëtare kishte provuar ta parandalonte atë dhe konfliktin në Kosovë ta zgjidhte me mjete diplomatike. Ishte rikrijuar Grupi i Kontaktit, u organizua Konferenca e Rambujesë. Ndërkohë Këshilli i Sigurimit të OKB-së kishte prodhuar tri rezoluta, me të cilat dënonte dhunën dhe bëri thirrje për ndalimin e luftimeve. Pavarësisht kësaj, Milosheviçi nuk i përfilli këto rekomandime dhe rezoluta.

Një nga rezolutat e KS të OKB-së, ajo e 23 shtatorit 1998, autorizoi NATO-n të përgatitej për ndërhyrje, por nuk e autorizoi këtë ndërhyrje. Përgatitja për ndërhyrje u bazua për shkak se në rezolute theksohej, se konflikti rrezikonte të shkaktonte një katastrofë humanitare dhe të përhapej në rajon. Në të dy këto raste, sipas kapitulli VII të Kartës së OKB-së, Këshilli i Sigurimit duhej të autorizonte edhe përdorimin e forcës ushtarake. Por kur erdhi moment i përdorimit të kësaj force, Rusia kundërshtoi e paralajmëroi veto. Ndaj NATO veproi pa një autorizim të KS të OKB-së, të cilin e kërkon neni 52 i Kartës së OKB-së.

Ka njëmijë arsye e fakte të tjera, me të cilat mund të provojmë faktin se bombardimet e NATO-s kundër Serbisë ishin legjitime nga ana e frymës dhe logjikës së ligjit ndërkombëtar, por ilegjitime nga pikëpamja e nenit 52 të Kartës së OKB-së, i cili kërkon një vendim unanim të Këshillit të Sigurimit për përdorimin e forces. Ilegjitemiteti formal ka të bëjë me interesat ruse në rajonin e Europës Juglindore. Kjo do të thotë se mosndërhyrja i shërbente interesave strategjike të Rusisë, ndërkohë që ndërhyrja do të duhej të parandalonte influencën dhe praninë ruse në këtë rajon.

Së treti, Lubonja duke pohuar se ndërhyrja në Kosovë kishte si shkak interesat amerikane, automatikisht justifikon tezën, sipas së cilës lufta në Kosovë ishte e padrejtë. Kjo do të thotë të justifikohet dhuna e terrori serb në Kosovë. Të justifikohet gjithçka që Milosheviçi dhe bashkëpunëtorët e tij që sot drejtojnë shtetin në Beograd kanë bërë kundër shqiptarëve.

Ka pasur dhe në atë kohë kundërshti ndaj bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë, duke u thirrur në të drejtën sovrane të Milosheviçit për t’u sjellë mizorisht me shqiptarët në Kosovë. D.m.th kishte nga ata që pranonin dhunën e Milosheviçit kundër shqiptarëve, ndërkohë që kundërshtonin “dhunën” e NATO-s kundër terrorit serb në Kosovë. Qendra e kësaj veprimtarie ishte Moska. Por dhe në Perëndim pati lëvizje anti-NATO gjatë kohës së bombardimeve në ish-Jugosllavi.

Në një protestë të Lëvizjes Gjermane për Paqen në Berlin, ndërsa protestuesit gjermanë thërrisnin kundër këtyre bombardimeve të NATO-s në Serbi, grupet serbe të protestës thërrisnin parullat “Vdekje shqiptarëve”, “ShqiptariiI mire është shqiptari i vdekur” e të tjera parulla raciste e genocidiale. Lubonja me tezën e tij ndihmon padrejtësisht rehabilitimin e rracizmit serb. Konstatimi i tij se NATO ndërhyri në Kosovë për interesat amerikane i nxjerr në plan të dytë e të tretë ë vërtetat pse njëmendësisht ka ndodhur ajo ndërhyrje.

Për të gjitha këto arsye duhet kundërshtuar me force çdo përpjekje për të dëshmuar të pavërtetat gjatë trajtesave që bëhen për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë. E vërteta nuk qëndron aq në pohimet e inteketualëve të shquar në botë, sa te realiteti që ne e njohim gjatë asaj periudhe. Janë më së shumti kronikanët e luftës në Kosovë, ata që na ndihmojnë për ta njohur realitetin. Ndër ta mund të shquaj Erick Rathfehler, Renato Flotau e shumë të tjerë gazetarë të huaj, të cilët na kanë lënë dëshmi prekëse për ato që kanë ndodhur në Kosovë gjatë viteve 1998-1999.

P.sh gazetari dhe publicist i njohur gjerman, Rolf Paasch, duke qenë vetë dëshmitar i asaj çfarë kishte ndodhur në Kosovë, në ditët e fundit të luftës shkruante se “Mund të thuhet se Peja nuk ekziston më. Ajo është Hiroshima e Europës”! Dhe shtonte se “Kush akuzon NATO-n për dëbimet masive, ai ngatërron shkakun me pasojën. Nuk mund të ketë paqe të dhunshme pa kosto me një kriminel lufte më shumë se të dyshuar”!

Referenca ndaj së vërtetës është kusht dhe detyrim i atyre që marrin përsipër të shkruajnë për historinë. Dëshira për ta vënë dhunshëm të shkuarën në funksion të një realiteti të mëvonshëm nuk i ndihmon të vërtetës. Këtë aksiomë duhet ta ketë mësuar zoti Lubonja, por mesa duket për shkaqe të tjera ka lejuar të rrëshqasë në këtë lloj interpretimi të gabuar të ngjarjeve që çuan në çlirimin e Kosovës.

SHBA-të kanë rolin kryesor në ato ngjarje, ndaj mirënjohja është, duhet të jetë e do të jetë për ta. Por mirënjohja duhet të shkojë edhe për Britaninë e Madhe, Gjermaninë dhe vendet e tjera anëtare të NATO-s, madje përfshirë edhe Greqinë! Ndërkaq individualisht meritat u shkojnë presidentit Clinton, sekretares Ollbright, komandantit Clarc, diplomatit Holbrook, kryeministrit Blair, ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Joschka Fischer e atij të mbrojtjes, Rudolph Scharping, si dhe shumë të tjerë udhëheqësve të Aleancës, deri te James Jea!

Është tjetër gjë arsyetimi, nëse Grenell e të tjerë politikanë të sotëm amerikanë vazhdojnë traditën e këtyre personaliteteve të asaj kohe. Për këtë jam dhe unë skeptik e dyshues. Por kjo nuk mund të shërbejë si shkas për të mos patur mirënjohje e madje të thellë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për çlirimin e Kosovës e jo vetëm për këtë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat