Thaçi kundër Thaçit! - Bota Sot
Thaçi kundër Thaçit!

Politika

Thaçi kundër Thaçit!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 12 mars 2020 Në ora: 13:02
Hashim Thaçi

“Javën e shkuar Presidenti Thaçi tha se pretendimet se ai po shtynë përpara propozimin për marrëveshje përfundimtare me Serbinë që bazohet në ndryshimin e kufirit të Kosovës janë lajme të rrejshme dhe ide fiktive”.

Pothuajse dy vjet janë bërë që nga dialogu Kosovë – Serbi, e cila ka hyrë në fazën përmbyllëse, por krerët institucionalë e partiakë nuk po arrijnë të gjejnë një gjuhë të përbashkët rreth këtij procesi.

Presioni ndërkombëtar për arritjen e marrëveshjes finale Kosovë - Serbi po rritet, gjersa mundësia për të u arritur një marrëveshje çdo ditë e më shumë po zvogëlohet. Kjo për arsye që Presidenti Thaçi dhe kryeministri Kurti, nuk po arrijnë të gjejnë një gjuhë të përbashkët për të arritur një unitet mes vete.

Mirëpo së fundi ajo çfarë ka bërë bujë ka qenë deklaratat e ndryshme të Presidentit Thaçi në lidhje me korrigjimin e kufijve nga 6 Gusht deri me 10 Shtator, Thaçi ka përmendur vazhdimisht korrigjimin e kufijve ndërsa deklaratat e tanishme po ndryshojnë njëra me tjetrën.

Një deklaratë e Thaçit 25 gusht 2018

“Unë jam i gatshëm ta bëj këtë dhe po punoj shumë për të arritur këtë qëllim të paqes. Kjo është arsyeja pse, ne kemi vendosur të shqyrtojmë çdo mundësi të mundshme, të mos lëmë asnjë gur të paprekur, përfshirë korrigjimin e mundshëm të kufijve midis dy shesheve në mermer për të bërë përpjekje për të arritur marrëveshjen”, shkroi Thaçi.

Deklarata e Thaçit 7 mars 2020

“Është zhgënjyese të shohësh se si disa analistë me aq lehtë krijojnë planet e tyre të trillimeve (shkëmbim tokash, ndarje, autonomi) dhe t'i atribuojnë atyre që po përpiqen të bëjnë një marrëveshje historike midis Kosovës dhe Serbisë. Shpërndajnë planet e rreme dhe këto lajme nuk do ta ndihmojnë këtë proces”, shkroi Thaçi.

Vela: Politika e gënjeshtrave

Analisti politik, Blerim Vela, përmes një postimi në Facebok ka shkruar në lidhje me deklaratat që po lëshon Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në lidhje me ndryshimin e kufijve të Kosovës.

Image
Blerim Vela

“Javën e shkuar Presidenti Thaçi tha se pretendimet se ai po shtynë përpara propozimin për marrëveshje përfundimtare me Serbinë që bazohet në ndryshimin e kufirit të Kosovës janë lajme të rrejshme dhe ide fiktive”, u shpreh Vela.

Vela u shpreh që nga 6 gusht deri me 10 shtator 2018 ka përmendur korrigjimin i kufirit te Kosovës, transmeton “Bota sot”.

“Presidenti Thaçi nga 6 gusht deri me 10 shtator 2018 ka përmendur disa herë që propozimi i tij për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë është korrigjimi i kufirit të Kosovës”, përfundoi Vela.

Duhanaj: Mjerë Kosova për fatin e saj që ka, me ketë kastë politike të padenjë

Analisti politik, Leon Duhanaj, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, u shpreh që janë nënshkruar marrëveshje që në publik kanë sjellë shumë konfuzitet; si p.sh: marrëveshja për asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Image
Leon Duhanaj

“Çështja e bisedimeve rreth marrëveshjes përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë, sipas të gjitha gjasave po shkon drejt finalizimit. Natyrisht që për të bërë një marrëveshje përfundimtare, kërkohen disa pajtime, gjegjësisht marrëveshje paraprake për shumë çështje teknike. Duke filluar nga marrëveshja e vitit 2013 e me tej janë nënshkruar marrëveshje që në publik kanë sjellë shumë konfuzitet; si p.sh: marrëveshja për asociacionin e komunave me shumicë serbe. Kjo ishte kundërshtuar me vonë nga Gjykata Kushtetuese”, u shpreh, Duhanaj.

Më tej, Duhanaj thotë që Kosova do të detyrohet të bëj kompromise shtesë, që shkojnë përtej Pakos Ahtisari, apo siç është e njohur për opinionin si Ahtisari plus kjo për arsye që Kosova ka abuzuar vendimet e Vjenës.

“Tani bazuar në kundërshtitë e shumta nuk besoj që opsioni përfundimtarë të jetë negociuar, edhe përkundër faktit ë në opinion kanë dalë opsione të shumta dhe, gjithashtu akuza të shumta. Pra, opsionet janë në tavolinë, sipar shumë gjasave, Kosova do të detyrohet të bëj kompromise shtesë, që shkojnë përtej Pakos Ahtisari, apo siç është e njohur për opinionin si Ahtisari plus, i cili është derivat i gjashtë pikëshit të famshëm të ish Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Mun. Nëse i kthehemi rendit të negociatave me analizë retrospektivë, atëherë duhet pranuar se Kosova, apo politika e Kosovës ka abuzuar me vendimet edhe në negociatat e Vjenës edhe në ato të mëvonshmet. Bazuar në pakon Ahtisari, e që rezultoi pas trazirave të marsit 2004 ku shqiptarët e treguan një fytyrë që për botën e civilizuar ishte e njohur vetëm përmes propagandës serbe”, tha Duhanaj.

Opsionet

Tutje, u shpreh që ekzistojnë dy opsione për Kosovën, të zbatohet pakoja e Ahtisarit ose të ndodhë ndarja dhe kjo mund të arrihet vetëm me një kusht, ku shqiptarët janë top dhe ndërkombëtarët nuk gjejnë gjuhë të përbashkët për t'i shtyrë drejtë ndryshimeve.

“Si pasojë me pastaj bota e humbi mësimin tek shqiptarët dhe filloj të kërkoj zgjidhje në të cilën duhej garantuar serbet në Kosovë. Nga këto doli pako Ahtisari, në kuadër të së cilës serbëve, përkatësisht Serbisë ju njohë e drejta mbi trashëgiminë ortodokse në Kosovë. Tani, kemi opsione si Kosova me tërësi territoriale. Por me asociacion me ingirenca ekzekutive, plus eksteritorialitet mbi trashëgiminë ortodokse "serbe". Variant tjetër është edhe ndarja, por prapë do na mbetej eksteritorialiteti i trashëgimisë. Ose të zbatohet plani Ahtisari në përpikëri, ku do të respektohej Kushtetutshmëria e Kosovës dhe në kuadër të kësaj do t'u garantoheshin të drejtat e serbeve”.

“Kjo mund të arrihet, vetëm e një kusht, ku shqiptarët janë top dhe ndërkombëtarët nuk gjejnë gjuhë të përbashkët për t'i shtyrë drejtë ndryshimeve. Kjo për momentin duket të jetë iluzore, bazuar në papërgjegjshmërinë institucionale të politikës shqiptare. Si konkluzion do thoja, e mjerë Kosova për fatin e saj që ka, me ketë kastë politike të padenjë”, përfundon, Duhanaj për “Bota sot”.

Maxharraj: Kur vetë Thaçi mashtrohet nga Thaçi

Profesori dhe analisti politik, Binak Maxharraj, në një prononcim për “Bota sot”, tha që Thaçi e ka lejuar të flitet për Veriun e Kosovës dhe që 20 vjet manipulon me pakicën serbe në Veri.

Image
Binak Maxharraj

“Dihet fortë mirë së situatën që sot e kemi në Veriun e Kosovës është meritë e vetë Hashim Thaçit i cili e lejoj Serbinë që të shtrijë ndikimin e tij në Veriun e Kosovës, sepse nuk u angazhua sa duhet qe Veriu i Kosovës te mos katanadiset në këtë situatë siç është sot. Veriu është sikur të mos ishte në Kosovë, atje asgjë nuk frymon shqip pos serbisht. E la në mëshirën e Serbisë e cila qe 20 vite manipulon me pakicën serbe në Veri, jo pse ajo pakicë i intereson aq shumë, por i intereson Veriu i florinjtë i Kosovës te cilin me çdo kushte mundohet që ta marrë. Dialogu me Serbin fillimisht ishte menduar që të bisedohet për çështjet teknike për përmirësimin e pozitës së serbëve, por me lëshimin pe të Hashim Thaçit këto biseda kaluan në çështje politike”, u shpreh, Maxharraj.

Profesori, tha që për vlerën e Veriut kanë vlerësuar edhe ekspertët botëror por edhe vendas kanë vlerësuar se vetëm Veriu e Kosovës është për 2,5 herë më i vlefshëm se sa krejt pasuritë natyrore të krejt territorin e Serbisë.

“U bisedua me Serbinë për plotë shtatë vite ku u arritën mbi 45 marrëveshje qe gati të gjitha ishin në damë të Kosovës, por qe edhe Serbia nuk ishte e gatshme ti zbatoi fare. Serbia nuk ishte fare e interesuar për këto marrëveshje, sepse Serbisë i interesonte diçka tjetër, diçka më e madhe, i interesonte Veriu i Kosovës i pasuruar në argjend e arë, ku pasurit e saj vlerësohen në mbi 500 miliard dollar qe Kosovës do ti mjaftonin për jetesë për me shumë së gjashtë shekuj. Kjo është thembra e Akilit për Serbinë e jo pozita e Serbeve ne veri. Ekspertet botëror por edhe vendas kanë vlerësuar se vetëm Veriu e Kosovës është për 2,5 herë më i vlefshëm se sa krejt pasuritë natyrore në krejt territorin e Serbisë. Në dialogun politike të cilin Hashim Thaçi e uzurpoi dhunshëm sepse Kushtetua nuk ia ndalon qe ai të udhëheqë dialogun, sespe dialogu është në kompetencat e Qeverisë dhe ku bisedoi ne Bruksel me Daçiqin e më pastaj me Vuçiqin dalëngadalë rrëshqet edhe në çështjet e territorit me insistimin e Vuçiqi, me përkrahjen e Federica Mogherinit por edhe më pëlqimin e plotë të Hashim Thaçit i cili nuk tentoi bile as t’i ndalë këto biseda rreth ndarjes, copëtimin apo korrigjimin e territoreve”, tha profesori.

Maxharraj, shprehët që këtë herë Thaçi është duke e kërkuar haptazi korrigjimin kufijve duke u takuar edhe fshehur me Vuçiqin për këtë gjë.

“Përkundrazi vetë Hashim Thaçi i dha edhe me shumë zjarr kësaj çështje që nga 6 gushti e deri me 10 shtator 2018 nuk la gurë pa lëvizur si brenda në paraqitjet publike, por edhe jashtë duke e përmendur herë ndarjen, herë copëtimin e si fundit edhe korrigjimin e territorit të Kosovës, i cili me Kushtetutë është i pacenueshëm. Këtë Hashim Thaçi e ka kërkuar haptas, por edhe është takuar lidhur me këtë edhe fshehtas me Vuçiqin, pa dijen e askujt dhe pa i dhënë llogari askujt, sikur Kosova të ishte pronë private e tij. Mirëpo, ai i vetëm si një kalorës Don Kishotas me dialogun e uzurpuar me dhunë po vazhdon lojën jo kushtetuese në dialog me Serbinë për arritjen e një marrëveshje përfundimtare me Serbinë. Bile këtë marrëveshje ai po e kërkon pa kurrfarë kushtëzimi me Serbinë, bile në të gjitha bisedat me Serbinë nuk e ka pa te arsyeshme as qe të kërkojë kërkim falje nga Serbia për masakrat dhe gjenocidin qe ajo ka bërë në Kosovë”, është shprehur tutje Maxharraj.

Profesori, tha që ideja për korrigjim të kufijve dhe deklaratat e Thaçit e kanë dëgjuar edhe në gjithësi dhe se këtë ndarje e kishte nuhatur edhe analisti dhe profesori i njohur, Eduard Joseph.

“Por ky njeri e ka humbë rrugën e vetë edhe në oborr të vetë, sepse po del që Hashim Thaçi po mashtrohet nga vetë Hashim Thaçi, apo kur Hashim Thaçi po del kundër Hashim Thaçit, me deklarata kontraverse duke theksuar se ai qëllimi i marrëveshjes me Serbinë nuk bazohet ne ndryshimin e kufijve, dhe së këto lajmë janë te rrejshme dhe ide fiktive qe ai vetë nuk i paska përmendë kurrë në asnjë takim në dialogun me Vuçiqin. Kjo është një rrenë e kulluar e tij, ky njeri nuk mund e mashtro askënd por mund të mashtroi vetën e tij, sepse deklaratat e tij për ndryshimin e kufijve kanë qenë aq të fuqishme sa qe kanë mund t’i dëgjojnë edhe alienët në gjithësi. Këto ditë ai në krye në vete shkojë për vizitë në SHBA ku atje u takuar pa paralajmërim edhe me Vuçiqin”.

Thaçi bie ndesh me Thaçin

“Vizita e tij ne SHBA sikur ishte tinëzare sepse ajo me parë nuk u paralajmërua, e aq më pak për agjendën e tij atje. Por takimi i tij i pa paralajmëruar me Presidentin e Serbisë në pranin e Richard Grinell zgjodhi interesimin më të madh. Doli edhe biseda konspirative se në atë takim është biseduar edhe për korrigjimin e kufijve. Këtë me plotë propozimet e nuhati dhe e lajmëroi vetë analisti dhe profesori i njohur, Eduard Joseph i cili haptas deklaroi së në këtë takim është diskutuar edhe për ndarjen e Kosovës, të cilën gjë e demantoi Grenell por edhe vetë Thaçi. Por në këtë drejtim me i fuqishëm ishte në deklaratën e tij edhe Daniel Server ekspert i njohur amerikan për çështjen e Ballkanit me vite me radhë i cili e alarmoi opinionin ndërkombëtar dhe atë të brendshëm ku theksoi se Grenell dhe Palmer duhen marrëveshje të keqe për Kosovën”, pohon ai.

Në fund, Maxharraj, shprehet që Thaçi ka folur haptazi për korrigjimin e kufijve dhe se ai bie ndesh me vetën e tij kështu duhet me çdo kusht të ndalohet duke e shkarkuar nga pozita e presidentit.

“Ai e jep alarmin së Kosova duhet të largohet nga një marrëveshje e keqe, edhe nëse ajo mbështetet nga SHBA-ja. Marrëveshje të keqe e ka kualifikuar çfarëdo ujdie, e cila do të kishte implikime në shkëmbimin e territoreve dhe popullsisë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, thekson Server. Diçka këtu po fshihet. Nuk është e vërtetë se Hashim Thaçi kurrë nuk ka folur për korrigjimin e kufijve, çfarë bie ndeshë me vetën, sepse ai ne vitin 2018 korrigjimin e territoreve nuk e ka hequr nga goja. Pra, vetë Thaçi bie ndesh me Thaçin”.

“Këtij njeriu i cili e bëri rrëmujë skenën politike për disa vite askush më nuk i beson, bile ai as qe i beson as vetës, është kontradiktor me vetën. Mu për këtë arsye sa hala nuk është vonë, opozita dhe një pjesë e pozitës, duhet të bëjnë çmos që kjo të mos ndodhë, dhe t’ia bëjë me dije me fjalë e me shkrim Bashkësisë Evropiane dhe Amerikës se Hashim Thaçi nuk e ka autorizimin të bisedojë me Serbinë dhe së çdo marrëveshje e arritur me te nuk do të pranohet. Pra, Thaçi duhet me çdo kusht të ndalohet duke e shkarkuar nga pozita e presidentit, apo qoftë edhe me protesta të fuqishme popullore, dhe për të ia bë me dije se askush nuk ka të drejtë të luaj me fatin e Kosovës për disa interesa ndoshta krejtësisht personale”, përfundoi Maxharraj.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat