Që mos të përsëritet 23 marsi i vitit 1989!

Politika

Që mos të përsëritet 23 marsi i vitit 1989!

Enver Bytyçi Nga Enver Bytyçi Më 23 mars 2020 Në ora: 18:49
Dhjetë delegatët e Kuvendit të Kosovës

Më 23 Mars të vitit 1989, si sot 31 vite më parë, Kuvendi i Krahinës Autonome Socialiste të Kosovës votoi ndryshimet kushtetuese të imponuara nga Serbia e Milosheviçit për heqjen e autonomisë. Kjo datë shënon një nga aktet më dramatike në historinë e Kosovës. Deputetët e kësaj krahine nën kërcënimin e dhunës dhe terrorit serb votuan heqjen e autonomisë. Pak  deputetë votuan kundër ose abstenuan. Të gjithë të tjerët ngritën dorën pro ndryshimeve dhe i hapën rrugë heqjes së autonomisë nga Kuvendi i Republikës së Serbisë, si dhe Kuvendi i Federatës Jugosllave.

Ndryshimet kushtetuese të votuara në Prishtinë i miratoi menjëherë Kuvendi i Beogradit. Pas kësaj Kuvendi i Serbisë miratoi disa paketa ligjore, me të cilat mbylli shkollat dhe universitetin e Prishtinës, mediat dhe shtëpinë botuese “Rilindja”. Hidhen në rrugë 114 mijë shqiptarë të punësuar në entet shtetërore dhe shoqërore. Dhe nis kështu një terror e aparteid kundër shqiptarëve e për pasojë konflikti i hapur midis Kosovës dhe Serbisë.

Por ato ndryshime nuk u shqyrtuan dhe nuk u votuan asnjëherë në Kuvendin e Republikës Federative të Jugosllavisë. Kushtetuta e vitit 1974 e Krahinës, e Republikës së Serbisë dhe e Federatës Jugosllave kishin përcaktuar se ndryshimet kushtetuese në të tri nivelet e qeverisjes marrin fuqi juridike e kushtetuese, nëse ato shqyrtohen dhe miratohen me dy të tretat e deputetëve të të tri dhomave, atë krahinor, republikan dhe federativ.

Milosheviçi që kur nisi procesin e ndryshimeve kushtetuese në Kosovë për heqjen e autonomisë së saj e dinte se në Kuvendin Federativ nuk mund të siguronte votat e dy të tretave të deputetëve. Prandaj autonominë e Kosovës e hoqi duke ushtruar terror mbi deputetët e Kosovës dhe duke i miratuar ato vetëm në Kuvendin e Serbisë. Bota e civilizuar, e ndjeshme për zhvillimin e procedurave sipas kërkesave kushtetuese, edhe në këtë rast nuk u pajtua me shkeljet proçeduriale juridike dhe nuk i njohu këto ndryshime. Besohet se kjo shkelje e kushtetuës nga ana e regjimit të Beogradit çoi në arsyetimin e qëndrimeve të vendosura kundër heqjes së autonomisë së Kosovës nga ana e bashkësisë ndërkombëtare. Evropa dhe SHBA-të e shihnin atë si një akt jo legjitim, jo legal, jo demokratik, qoftë dhe për shtete autoritare, siç konsiderohej Jugosllavia Socialiste.

Në fakt rol të jashtëzakonshëm për ngërçin kushtetues të këtyre ndryshimeve pati kryetari i Federatës së asaj kohe, miku i madh i shqiptarëve, Stipe Mesiç. Nën drejtimin e tij Jugosllavia pësoi një çarje të thellë sa i përket qëndrimeve ndaj Kosovës. Kroacia, Sllovenia dhe deputetë të tjerë nga krahinat dhe republikat e tjera ishin kompaktësuar në qëndrimet e tyre kundër masave shtrënguese të aparteidit, të cilat Milosheviçi i ushtroi në Kosovë. Që atëherë shqiptarët kishin shpresë se mund të mbështeteshin te Kroacia dhe Sllovenia, ndërkohë që Bosnjë-Hercegovina ishte e ndarë më dysh.

Milosheviçi e kishte paralajmëruar heqjen e autonomisë shumë komë më parë. Shqiptarët reaguan në të gjitha format kundër kësaj. Në ditët kur ishte paralajmëruar ndryshimi i kushtetutës dhe heqja e autonomisë së vendit Kosova protestoi fuqishëm kundër kësaj. Nga nëntori i vitit 1988 e deri në mars 1989 u organizuan protesta dhe demonstrata të fuqishme me pjesëmarrjen e mbi  500 mijë shqiptarëve. Marshimet e minatorëve, protestat e studentëve dhe rinisë shqiptare në Prishtinë e në të gjitha qytetet kosovare, betejat e mëdha politike për mbrojtjen e disa figurave politike, të cilat iu bashkuan vullnetit të qytetarëve kundër heqjes së autonomisë, ishin vetëm disa nga format e rezistencë shqiptare. Ndërsa greva e 1000 minatorëve të Staritërgut në zgafellet e kësaj miniere do të mbeten unike në rezistencën dhe sakrificën e shqiptarëve për të mos lejuar ndryshimet kushtetuese. Por ata u mashtruan nga regjimi i Milosheviçit dhe falangat e tij në Kosovë.

Ndaj Kuvendi i Kosovës e votoi heqjen e autonomisë. Votimi i deputetëve pro këtyre ndryshimeve ishte i pavullnetshëm. Megjithatë secili prej tyre e dinte se vullneti i shpallur i të gjithë qytetarëve të Kosovës ishte ndryshe. E analizuar në këtë kontekst ai votim ishte një akt moral i papërligjshëm dhe akt politik i dëmshëm për interesat e vendit.  Ata deputetë ishin votuar nga qytetarë, të cilët në masë të plotë, të unifikuar dhe homogjenizuar si kurrë e më parë dhe si në asnjë vend tjetër në botë kundërshtuan ndryshimet. Si të tillë ata duhej t’i nënshtroheshin vullnetit të qytetarëve, votuesve dhe jo diktatit, dhunës e terrorit të Serbisë. Megjithatë është e pamundur ta analizosh në detaje përgjegjësinë e tyre. Pozitiv është fakti se po këta deputetë i dhanë legjitimitet më 2 korrik 1990 Republikës së Kosovës dhe më 7 shtator të atij viti kushtetutës së saj demokratike.

Pavarësisht kësaj, mësimi historik i asaj date lidhet me katër elementë.

Së pari, Kosova duhet të kompaktësohet edhe në kohët e sotme përballë sfidave që ajo ka përpara. Kjo mund të arrihet kur të gjithë politikanët dhe qytetarët e saj bashkohen në mbrojtje të interesave të saj. Para së gjithash në mbrojtje të lirisë, pavarësisë, shtetësisë dhe integritetit territorial.  Homogjenizimi dhe kompaktësomi i Kosovës është e vetmja mundësi për të fituar në këto sfida.

Së dyti,  një marrëveshje me Serbinë me rezultat ndryshimin e kufijve ose krijimin e ndonjë republike Srpska në Kosovë është akoma më e rëndë sesa heqja e autonomisë së vitit 1989. Është detyrë e lidershipit të Kosovës që të mos luajnë rolin e Ali Shukriut, Sinan Hasanit e Rrahman Morinës të asaj kohe, të cilët ishin bërë palë me Milosheviçin kundër lirisë, autonomisë dhe të drejtave politike e kombëtare të shqiptarëve, të fituara me sakrifica të jashtëzakonshme.

Së treti, historianët shqiptarë, sidomos ata në Kosovë, e kanë për detyrë t’i japin përgjigje dilemës pse shqiptarët u detyruan të tërhiqen në kërkesën për Republikë në demonstratat e mars-prillit 1981 e në fund të dhjetëvjeçarit të protestojnë për ruajtjen e statuskuosë, autonomisë?! Cilat ishin shkaqet e kësaj metamorfoze?

Së katërti, ngjarjet e viteve 1980 deri te heqja e autonomisë e më pas na kujtojnë edhe njëherë se adresa e aleancave strategjike të Kosovës dhe Shqipërisë në rajon nuk është Beogradi, por Zagrebi dhe Lubljana.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat