Largimi i Vjosa Osmanit nga LDK, analisti i njohur thotë se Isa Mustafa nuk ka guxim ta bëjë atë, zbulon arsyen

Politika

Largimi i Vjosa Osmanit nga LDK, analisti i njohur thotë se Isa Mustafa nuk ka guxim ta bëjë atë, zbulon arsyen

Nga: G.B Më: 9 qershor 2020 Në ora: 21:08
Vjosa Osmani dhe Isa Mustafa

Kryetarja e Kuvendit, nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani, së fundmi ka pasur qëndrime kundër partisë së saj, për të cilat disa nga bashkëpartiakët e saj e kritikuan, pavarësisht se kishte edhe deputetë të kësaj partie, që votuan kundër rrëzimit të Qeverisë Kurti dhe kundër formimit të Qeverisë Hoti.

E në media pati lajme se në mbledhjen e Kryesisë së LDK-së, është diskutuar edhe përjashtimi i saj nga partia.

Lidhur me këtë, se a duhet dhe a mund të përjashtohet nga Vjosa Osmani nga LDK, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Elezaj, ka thënë për gazetën "Bota sot" se ajo ka bërë përpjekje që LDK-në ta ruajë nga gabimet trashanike që i bënte Isa Mustafa, sepse e ka ditur se rrëzimi i Qeverisë Kurti ka qenë aventurë e rrezikshme për Kosovën.

"Unë nuk do thosha se znj. Vjosa Osmani ka pas qëndrime kundër partisë së saj, përkundrazi ajo ka bërë përpjekje që LDK-në ta ruajë nga gabimet trashanike që po i bënte kreu i saj, komunisti autokrat, Isa Mustafa, meqë ajo ka qenë e vetëdijshme më shumë se gjithë udhëheqësit tjerët të partisë, se prishja e koalicionit me LVV-je dhe rrëzimi i qeverisë “Kurti” kanë qenë një aventurë e rrezikshme për Kosovën dhe të ardhmen e saj. Andaj, e bindur thellë se partia e saj nuk duhej të ndërmerrte hapa të tillë në kundërshtim me vullnetin e shumicës së popullit, së paku, ajo me votën e saj kundër, dëshmoi se nuk i bashkohet një diskursi të mbrapsht politik me pasoja të rënda për vendin", është shprehur ai.

Sipas tij, këtë e dëshmoi edhe formimi i qeverisë Hoti nga Mustafa dhe servilët e tij, në koordinim me presidentin Thaçi, që është një qeveri jolegjitime dhe jetëshkurtër.

Image
Rexhep Elezaj

"Se është kështu, e dëshmuan ngjarjet të cilat pasuan në ditët dhe javët në vazhdim, kur kreu i LDK-së, Isa Mustafa me servilët e tij morën mbi vete përgjegjësinë për formimin e qeverisë tjetër, pasi që në mënyrë të turpshme iniciuan dhe më pas e rrëzuan ish partnerin e koalicionit, LVV-së, duke bërë koalicion me partitë e PAN-it për formimin e qeverisë “Hoti”, të cilën në koordinim të plotë me presidentin Thaçi, si dhe të ndihmuar nga Gjykata kushtetuese, arritën që mezi t’i bëjnë numrat për formimin e saj pa votat e popullit, dhe, që si qeveri e tillë është ilegjitime dhe jetë shkurtër", ka vlerësuar Elezaj.

Se a mund ta përjashtojnë nga LDK-ja, Vjosa Osmanin, ai thotë se po të guxonte Mustafa do ta bënte prej kohësh, sepse e dinë që dëbimi i saj do t'i sillte dëm të pariparueshëm partisë, andaj ata nuk do ta largojnë atë.

"Lidhur me zërat në opinion si dhe debatet brenda LDK-së për mundësinë e largimit, lexo; të përjashtimit të znj. Vjosa Osmani nga LDK-ja, mendoj se është duke u çuar shumë pluhur për qëllime manipuluese, ndonëse po “t’ia mbante” Isa Mustafës dhe shërbëtorëve të tij, ata qysh moti znj. Osmani do ta kishin dëbuar nga partia, por një gjë të tillë nuk kanë pasur dot guxim që ta bënin, sepse ata e dinë fort mirë se largimi eventual i saj nga partia, do t’i sillte dëme të pariparueshme LDK-së, kur dihet se çfarë peshë politike ka ajo brenda partisë, dhe mu për këtë në Kuvendin e fundit partiak, atë e emëruan nënkryetare të partisë. Andaj, nuk besoj se znj. Osmani do ta largojnë nga partia, edhe pse një gjë të tillë e kanë dëshiruar qysh para disa viteve, kur ajo refuzoi ta votonte H. Thaçin për president të vendit", ka shtuar tutje Rexhep Elezaj.

Sipas tij, Osmani ka pasur njëmijë arsye për ta braktisur partinë dhe ka mundur të mblidhte figura të shquara të partisë për të formuar një qeveri të re.

"Mbase, personalisht mendoj se znj. Vjosa Osmani i ka pasur njëmijë e një arsye që ta braktiste partinë, e cila në vazhdimësi ia ka mohuar vlerat dhe kontributin e saj personal në shtet bërjen e Kosovës, dhe po ashtu mendoj, se nuk do kishte gabuar fare po qese këto ditë së bashku me disa deputetë të ndahej nga LDK-ja për të formuar një parti të re, në radhët e së cilës do t’i tubonte figurat më të shquara të LDK-së “Rugoviane”, siç janë themeluesit dhe aktivistët e saj veteranë, filluar nga Gjermania, Zvicra, Anglia dhe SHBA-të", ka thënë ai.

Por, ai mendon se Vjosa Osmani nuk do të largohet nga LDK e as nuk do të formojë parti të rej, por do të vazhdojë të mbetet e përkushtuar për Rugovizmin brenda saj dhe do të bëjë çmos që partinë ta çlirojë nga uzurpuesi komunist Isa Mustafa.

"Në të kundërtën, nuk besoj se znj. V. Osmani do largohet nga LDK-ja, e as nuk do formojë parti të re, siç po përflitet në opinion, veçse do vazhdon të mbetet anëtare dhe funksionare e denjë si dhe trashëgimtare e përkushtuar e “Rugovizmit” brenda saj, duke bërë çmos që partinë ta çlirojë nga uzurpuesi komunist Isa Mustafa, për ta reformuar dhe profilizuar LDK-në në një parti të mirëfilltë të Qendrës së djathtë evropiane", ka deklaruar Rexhel Elezaj për "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat