Bytyçi jep detaje: Garda e vjetër e LDK-së dhe Vjosa Osmani kanë konflikt të hershëm, Mustafa po bën konspiracion me Thaçin

Politika

Bytyçi jep detaje: Garda e vjetër e LDK-së dhe Vjosa Osmani kanë konflikt të hershëm, Mustafa po bën konspiracion me Thaçin

Nga: G.B Më: 10 qershor 2020 Në ora: 11:12
Vjosa Osmani

Kryetarja e Kuvendit, njëherësh nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani, po vazhdon të jetë cak i kundërshtimeve e akuza, si nga anëtarët e partisë së saj, po ashtu edhe nga Presidenti i vendit.

Ky i fundit mbrëmë deklaroi se familjarët e saj kanë punuar për Serbinë, e në LDK ka pasur lajme se është diskutuar edhe mundësia e përjashtimit të saj nga partia, për shkak të qëndrimeve kundër partisë.

Lidhur me këtë, profesori Enver Bytyçi, ka thënë për gazetën "Bota sot" se Vjosa Osmani dhe lidershipi i gardës së vjetër të LDK-së janë në konflikt të hapur, ku LDK ka ndryshuar qëndrimet, ndërsa Osmani ka qenë kundër kësaj praktike.

"Tashmë është e ditur se Vjosa Osmani dhe lidershipi i gardës së vjetër të Lidhjes Demokratike janë në konflikt të hapur. Ky konflikt është i hershëm. Buron nga qëndrimet konsekuente të zonjës Osmani në bindjet e saj të pandryshueshme, ndërkohë që Isa Mustafa dhe grupi i tij i kanë ndryshuar qëndrimet politike shumë herë. Të tjera premtime kanë dhënë në fushata elektorale dhe të tjera koalicione dhe vendime kanë marrë pas votimeve. Vjosa Osmani ka qenë kundër kësaj praktike, jo sot, por sot e mot", është shprehur ai.

Andaj, ai thotë se qytetarët u besuan premtimeve të Vjosës dhe mori aq shumë vota.

Image
Prof. Dr. Enver Bytyçi

"Ky është një dallim parimor midis dy palëve. Prandaj qytetarët u besuan premtimeve të Vjosës dhe i dhanë asaj thuajse po aq deputetë sa edhe Vetëvendosjes, thuajse po aq vota sa edhe Albin Kurtit. Pra Vjosa Osmani ka besimin e qytetarëve për shkak të qëndrimeve dhe premtimeve të pandryshuara. Në këtë hulli është qëndrimi i saj ndaj mocionit për qeverinë Kurti dhe mosbotimi prej saj i qeverisë Hoti, edhe pse qeveria Hoti i përket Lidhjes Demokratike", ka thënë profesori.

Sipas Bytyçit, qytetarët e votuan Vjosa Osmanin për kryeministre, ndërsa LDK e bëri Adullah Hotin dhe se LDK nuk mund ta përjashtojë Osmanin, sepse do të ndëshkohej pa mëshirë nga votuesit.

"Në rastin e qeverisë Hoti ka edhe një arsye tjetër parimore. Ndërsa qytetarët e Kosovës e votuan LDK-në, sepse ajo përfaqësohej nga kandidatja për kryeministre, Vjosa Osmani, kjo parti bëri Abdullah Hotin kryeministër, duke injoruar rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit të vitit të kaluar. I përmend këto fakte për të dëshmuar seka ndryshuar në kohën postzgjedhje Isa Musfata dhe mbështetësit e tij. Për të gjitha këto arsye, si dhe për faktin se kryetarja e Parlamentit të Kosovës ka mbështetje masive të qytetarëve të vendit, Lidhja Demokratike e ka shumë të vështirë të marrë ndonjë vendim për përjashtimin e saj nga kjo parti. Nëse do të ndërmerrte një hap të tillë, do të ndëshkohej pa mëshirë nga votuesit. Nuk i duhet LDK aq shumë Vjosës, sa i duhet LDK-së Vjosa", ka vlerësuar Enver Bytyçi për "Bota sot".

Ai thotë se Mustafa me zëdhënësit e tij e kanë sulmuar ashpër Vjosa Osmanin duke e akuzuar atë për konspiracion me Vetëvendosjen, ndërkohë që vetë Isa Mustafa bën konspiracion me Hashim Thaçin, të cilin e quan të turpshëm dhe antikombëtar.

"Isa Mustafa vetë dhe përmes zëdhënësve të tij, si Agim Veliu, Rugova e të tjerë, e kanë sulmuar ashpër Vjosa Osmanin, duke e akuzuar atë për konspiracion me Vetëvendosjen, ndërkohë që vetë Isa Mustafa bën konspiracion me Hashim Thaçin. Për mua është e turpshme të mbash qëndrime konspirative në bashkëpunimin me presidentin Thaçi, sepse bashkëpunimi me Thaçin është bashkëpunim i drejtpërdrejtë me Beogradin. Mediet sot kanë nxjerrë nga shpella disa të vërteta të hidhura e të turpshme lidhur me votimin e presidentit të vendit për ndryshimin e kufijve midis Kosovës dhe Serbisë. Nuk dihet sa të vërteta tjera të tilla do dalin nga skutat ku fshihen ende dhe që do të dëshmojnë edhe më tej për tradhtitë e Hashim Thaçit ndaj vendit që ai drejton. Ndaj them se bashkëpunimi konspirativ midis Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit është i turpshëm dhe antikombëtar", ka deklaruar profesori.

Sipas tij, LDK në vend që ta përjashtojë Vjosën, duhet ta shkarkojë e përjashtojë Isën, në të kundërtën Osmani nuk duhet të largohet nga skena politike, pse ashtu duan një grup uzurpatorësh në LDK.

"E vërteta është se Vjosa Osmani është më afër qëndrimeve të Albin Kurtit dhe krejt kundër qëndrimeve të Thaçit. Por qëndrimet e saj ajo i mbron në koherencë. Ajo fushatën elektorale e zhvilloi me premtimin për ta krijuar qeverinë me VV dhe jo me PAN-in e Listën Srpska. Ishte Isa Mustafa që e ndryshoi qëndrimin parazgjedhor. Lidhja Demokratike, në vend që të përjashtojë Vjosën, duhet ta shkarkojë e ta përjashtojë Isën! Nëse bën të kundërtën, atëherë zonja Osmani duhet të gjejë një zgjidhje. Ajo nuk mund të largohet nga skena politike, pse i teket një grupi uzurpatorësh në LDK për ta larguar atë prej partisë", ka thënë Bytyçi.

Ai thotë se Vjosa duhet të bëjë durim, të rezitojë, ndërsa alternativa e fundit është krijimi i një partie të re rugoviste, por nuk është alternativë bashkimi me VV-në.

"Ndaj ajo duhet të gjejë një zgjidhje. Nëse do të merrte për bazë këshillat e mia, ajo duhet të bëjë durim. Duhet të rezistojë deri në fund. Edhe nëse kryesia e përjashton, ajo duhet t’i drejtohet bazës së partisë. Duhet të krijojë frymë brenda radhëve të saj. Të bëjë fushatë me njerëzit në LDK, të cilët atë e besojnë. Pra, nuk ka asnjë arsye që të largohet nga Lidhja demokratike, edhe nëse zyrtarisht e përjashtojnë. Krijimi i një partie të re rugoviste është alternativa e fundit. Bashkimi me Vetëvendosjen nuk është alternativë, sepse unë kam vënë re se Vjosa Osmani, ndonëse ka përkrahur qeverinë Kurti, mbart një filozofi tjetër, të ndryshme nga ajo e Albin Kurtit. Ajo është besnike e bindjeve dhe qëndrimeve të saj më shumë edhe se Vetëvendosja. Kjo tregon pjekurinë e saj politike. Vjosa Osmani në këtë pikëpamje ngjan me tiparin themelor të Ibrahim Rugovës. Por në dallim nga Rugova, ajo duhet të kalitë më shumë durimin e saj", ka përfunduar profesori Enver Bytyçi për "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat