Qeveria Hoti në “dorë” të Thaçit

Politika

Qeveria Hoti në “dorë” të Thaçit

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 13 qershor 2020 Në ora: 08:34
Hashim Thaçi dhe Avdullah Hoti

Dialogu apo marrëveshja përfundimtare me Serbinë duke se do të sjellë risi në politikën e vendit, derisa presidenti Hashim Thaçi tashmë ka marrë kompetenca nga vet kryeministri i Kosovës për udhëheqjen e dialogut.

Qeveria e Albin Kurtit pikërisht për marrëveshjen me Serbinë dhe ndikim e Amerikës sidomos ambasadorit Grenell ka renë pasi që nuk ka pranuar opsione tjera përveç njohjen e Kosovës nga Serbia.

Se a ka kapacitete për një marrëveshje përfundimtare të duhur Qeveria e Avdullah Hotit është skeptike pasi që qysh në fillim kryeministria ia la në dorë të gjitha Thaçit derisa është shprehur i gatshëm se do të veproj sipas kërkesave të SHBA-së si për heqjen e reciprocitetit por edhe për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë ani pse askush nuk e di saktë se çka përmban ajo.

Njohësi i çështjeve politike Skënder Zogaj mendon se Qeveria e Avdullah Hotit i ka të gjitha kapacitetet e duhura të plota dhe të mirëfillta profesionale, por i ka edhe kapacitetet e  normalitetit veprues për aplikimin e kompetencave që dalin nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

“Avdullah Hoti dhe Hashim Thaçi do të jenë kryenegociatorë”

Image
Skënder Zogaj

 Kabinetin e Qeverisë Hoti e përbejnë një numër ministrash të denjë për postet që kanë! Vet kryeministri Hoti është një personalitet i dëshmuar me kualitete të larta profesionale, intelektuale dhe udhëheqëse, i cili ka shkëlqyer si ministër i financave në njërën nga qeveritë e kaluara.  Prandaj, nuk ka asnjë dyshim se, Qeveria Hoti i posedon të gjitha kapacitetet edhe për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.

“Rolet për marrëveshje i përcakton Kushtetuta dhe, sipas Kushtetutës dy rolet më kryesore u përkasin Kryeministrit dhe Presidentit! Pra, Avdullah Hoti dhe Hashim Thaçi do të jenë kryenegociatorët, sepse këtë përgjegjësi ua ngarkon Kushtetuta, e jo "roli kyç i në formimin e kësaj Qeverie" që është një spekulim qëllimkeq dhe perfid i kuluareve subverzive ruso-serbe! Unë besoj fort se, Kryeministri Hoti për negocim me Serbinë do të angazhojë ekipe profesionale elite për arritjen e marrëveshjes përfundimtare, e cila do të vlerësohet dhe miratohet në Kuvendin e Kosovës nga deputetët e Kosovës, që e vulosin marrëveshjen! Kjo është udha dhe mënyra e duhur e arritjes së marrëveshjet” ka thënë për “Bota Sot” Zogaj.

Ndrysh për kapacitete e Qeverisë Hoti në dialogun me Serbinë mendon analisti politik Rexhep Elezaj, ai ka thënë se Qeveria e Avdullah Hotit, as nuk mundet dhe as nuk ka kapacitet me vendos për asgjë që ndërlidhet me dialogun dhe marrëveshjen përfundimtare me Serbinë, sepse as nuk është qeveri e zgjedhur me votat e popullit, e as nuk ka legjitimitet kushtetues të bisedojë dhe nënshkruajë kurrfarë marrëveshjeje me Serbinë.

“Kosova do ndahet sipas skenarit “Thaçi-Vuçiç-Rama”

“Këto fakte i dinë shumë mirë z. A. Hoti, sepse ka qenë plotësisht i vetëdijshëm para se ta merrte postin e kryeministrit, se në atë post ka ardhur si “plaçkë” e pazareve politike midis Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit, dhe se për asgjë nuk do të pyetet kur janë në pyetje raportet me ndërkombëtarët si dhe as për bisedimet me Serbinë. Por, ishte lakmia e tij e verbër për të ardhur në postin e kryeministrit, ajo e cila e ka verbuar që të pranojë rolin dhe statusin e një servili të dëgjueshëm ndaj dy bosave të tij prej monarkësh (Isa-Hashim), pa pëlqimin e të cilëve as macen nga përsheshi nuk do guxon ta largon. Sa i përket rolit të presidentit Thaçi në bisedimet Kosovë-Serbi, i gjithë opinioni e dinë, se sa i thellë ka qenë implikimi i tij në procesin e dialogut me Serbinë, qëkur ai ka filluar para 7-8 viteve, dhe i cili në mënyrë antikushtetuese e mori mbi vete udhëheqjen e dialogut me homologun e tij A. Vuçiçin, duke e uzurpuar mandatin qeverisë së Kosovës, e cila sipas kushtetutës ajo do duhej ta udhëheqtë dialogun me Serbinë e jo presidenti. Kështu që, rreth kësaj çështjeje do duhej bërë patjetër analizë e detajuar, se pse vetëm tek ne në Kosovë ndodh, që sa herë bëhet fjalë për raportet e Kosovës me Serbinë, gjendet një politikan ose grup negociues shqiptar i “përshtatshëm” për Beogradin, e jo ata të cilët nuk i donë A. Vuçiçi” ka shpejguar Elezaj.

Image
Rexhep Elezaj

Sipas tij, dy kryeministrat tonë të fundit u shkarkuan nga postet e tyre, pikërisht sepse ishin pengesë kyçe për arritjen e marrëveshjes me Serbinë, dhe kush tjetër ishte politikani dhe negociusi më i përshtatshëm dhe miku më i afërt i A. Vuçiçit, përveç se Hashim Thaçi, kush ishte njeriu i cili mbajti shumë takime jo publike me presidentin e Serbisë në Bruksel, Ëashington etj., i cili asnjëherë nuk e njoftoi Kuvendin se çka kishte biseduar me Vuçiçin, përveç se presidenti aktual i Kosovës, H. Thaçi, të cilit hiç më larg se të shtunën e kaluar kryeministri Hoti ia transferoi mandatin e qeverisë, duke e autorizuar që ai t’i udhëheq bisedimet e ardhshme me Serbinë, me qëllim që si president i Kosovës ta nënshkruan marrëveshjen përfundimtare me Serbinë, me të cilën marrëveshje me siguri se Kosova do ndahet sipas skenarit “Thaçi-Vuçiç-Rama”.

Pas kësaj që u tha më lartë, besoj se lexuesit do ta kenë më të qartë situatën, se pse në Kosovë në muajin e fundit ndodhi e gjithë ajo rrëmujë politike dhe juridike për rrëzimin e qeverisë “Kurti” si dhe formimit me çdo kusht të qeverisë “Hoti”, e cila fund e krye do jetë në shërbim të siamezit politik “Isa-Hashim”, derisa ata së bashku t’i përmbyllin obligimet dhe detyrat e marra nga miqtë e Serbisë, alias nga armiqtë e Kosovës.

“Thaçi do të synoj të jetë nënshkrues i marrëveshjes”

E për një konsensus të të gjitha partive politike në Kosovë është shprehur analisti politik Leon Duhanaj. Ai ka thënë se Qeveria Hoti, për edhe të gjitha partitë, pozitë, opozitë, duhet të krijojnë një konsensus nacional për ta përmbyllur çështjen e bisedimeve me Serbinë.

Image
Leon Duhanaj

Kosova, tashmë po shkon drejtë marrëveshjes përfundimtare. Fuqitë e mëdha, do të insistojnë në zgjidhje dhe përmbyllje të këtij  procesi. Në ketë kontekst, është me rëndësi jetike që të jemi unik. Një gjë duhet patur parasysh. Nuk duhet të ketë shqiptarë i cili ngrehë anash apo mbrapa,  ne duhet të ecim në një drejtim dhe unik.

“Unik duhet të paraqitemi edhe në përbërjen e grupit për bisedime i cili duhet të përbëhet nga i gjithë spektri politik dhe, që duhet të udhëhiqet nga Kryeministri i Kosovës. Natyrisht që Presidenti Thaçi, do të luaj rol të rëndësishëm në ketë proces. Ai është akterë afatgjatë aty, që nga fillimi dhe, në një mënyrë apo tjetrën do të vazhdoj. Sipas bindjeve të mia rreth tij, mendoj që z. Thaçi do të synoj të jetë nënshkrues i marrëveshjes së mundshme përfundimtare, e cila do të ketë karakter edhe historik” ka thënë për “Bota Sot” Leon Duhanaj.

Qeveria Hoti, ka kapacitetet e mjaftueshme kushtetuese dhe teknike për të drejtuar dialogun

Analisti dhe njohësi i çështjeve politike në vend Fatmir Bajraj, ka thënë se Dialogu me Serbinë, është nga tre prioritetet fillestare të Qeverisë Hoti, përfshi luftën kundër pandemisë me COVID-19 dhe mëkëmbjen ekonomike si pasojë e kësaj pandemie. Dinamika dhe suksesi i dialogut, përkatësisht arritja e një marrëveshje me njohje reciproke nuk varët vetëm nga Kosova dhe Kryeministri Hoti, por parasë gjithash nga SHBA-të, BE-ja, si dhe nga çasja n ‘dialog që do ketë Serbia.

Image
Fatmir Bajraj

Heqja e barrierave karshi dialogut, që ishin tarifat 100% ndaj mallrave dhe produkteve nga Serbia dhe Bosnja & Hercegovina, dhe largimi i reciprocitet me Serbinë nga ana e Qeverisë Hoti, ishte një hap imediat dhe racional i Qeverisë së Kosovës dhe i Kryeministrit Hoti, ngase ky vendim n ‘lidhje me reciprocitetin me Serbinë, është një gur-prove për seriozitetin e Kosovës karshi dialogut dhe mbi të gjitha, gur-prove në partneritetin koheziv me partneret strategjik ; SHBA-të dhe BE-në.

Pengesat për rifillimin e dialogut me Serbinë, tani u hoqën nga ish Qeveria Kurti (tarifat 100%) dhe s ‘fundmi edhe reciprocitetit nga ana e Qeverisë Hoti, dhe me këtë, pushon edhe alibia serbe për bojkotimin e bisedimeve deri sa ishin n ‘fuqi tarifa dhe reciprociteti.

“Qeveria Hoti, ka kapacitetet e mjaftueshme kushtetuese dhe teknike për të drejtuar dialogun, ka legjitimitetin nacional dhe legalitetin e plotë institucional për një marrëveshje eventuale me Serbinë, e cila detyrimisht duhet t ‘kaloj filtrin e Parlamentit, përkatësisht vullnetin e mbi 2/3-ve të përfaqësuesve të Sovranit në tempullin e demokracisë parlamentare. Një marrëveshje përfundimtare me njohje reciproke, duhet të kaloj edhe votimin n'Parlament, përkatësisht një e tillë, ratifikohet vetëm atëherë kur për t ‘njëjtën japin votën mbi 81 deputet. Konform Aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese, dialogun me Serbinë e udhëheq dhe e drejton Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Kryeministri i Republikës, n'këtë rast, Dr.Avdullah Hoti, dhe kjo do të ndodhë pa mëdyshje! Presidentit Thaçi, nuk duhet deleguar kompetenca kushtetuese, gjë që bëri ish Kryeministri Haradinaj, por nuk duhet as t'i mohohet funksioni kushtetues n ‘politiken e jashtme, tendencë kjo e ish Kryeministrit Kurti! Natyrisht se roli i Presidentit, duhet respektuar në politiken e jashtme, rol që i jep Kushtetuta e Republikës se Kosovës dhe nuk mund dhe s'duhet t'i mohohet një rol i tillë nga ana e Kryeministrit Hoti” ka thënë Bajraj.

Ai po ashtu ka shpjeguar se Qeveria duhet të ketë rol udhëheqës në dialog e thotë edhe aktgjykimi i datës 27 qershor 2019, dhe i ri konfirmuar edhe n ‘këtë vit, i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Në këtë aktgjykim, Kushtetuesja kishte konstatuar se Qeveria ka rol udhëheqës në dialogun me Serbinë, presidenti rol këshillues, ndërsa Kuvendi i Kosovës rol mbikëqyrës!

Përjashtimi nga ky rregull, do dëmtonte imazhin e Kosovës dhe funksionimin kushtetues të institucioneve, gjë që s'guxon të ndodhë.

“Kosova duhet të dalë përfundimisht nga "fushata elektorale", nga një politikë kompleksive dhe e mbarsur me ideologji populiste dhe të vetëmjaftueshmërisë, politikë të cilën tentoj t'a drejtoj ish Kryeministri Kurti, për çfarë edhe dëmtoj kohezionin nacional dhe rrezikoj raportet me partnerët strategjik dhe kryesisht me SHBA-të, politikë dhe qasje e cila do kishte pasoja t ‘paparashikueshme për Kosovën dhe të ardhmen europërndimore dhe veriatlantike.

Kryeministri Hoti dhe koalcioni qeverisës, duhet t ‘bëjnë t ‘pamundurën që në procesin e bisedimeve me Serbinë, t ‘përfshihet me një rol t ‘peshuar edhe opozita n'Parlament, dhe përtej saj, edhe shoqëria civile dhe jo vetëm, ngase marveshja përfundimtare, ka t'bëjë me fatin e vendit dhe t'gjithë qytetarëve të Kosoves pa dallim perkatsie partiake, politike, religjioze dhe kombëtare dhe jo vetëm për pushtetin.

Vetëm një marrëveshje e gjithë pranuar, mund të ratifikohet n ‘Parlament, mund t ‘jetë e dobishme për vendin dhe i vë kapakun një kapitulli final, i cili mbanë peng të ardhmen dhe perspektiven e vendit” ka thënë për “Bota Sot” Fatmir Bajraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat