"LVV po sjellë fundin e klanit Pronto”

Politika

"LVV po sjellë fundin e klanit Pronto”

M.H Nga M.H Më 14 qershor 2020 Në ora: 11:39
Arkiv

Lëvizja Vetëvendosje para dy dite mbushi 15 vjet që nga themelimi i saj. Ajo këtë themelim e festoi me një tubim të mbushur plotë me qytetarë të cilët ishin mbledhur pavarësisht pandemisë.

Mijëra aktivistë dhe qytetarë të Lëvizjes Vetëvendosje u mblodhën në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë për të shënuar 21-vjetorin e çlirimit të Kosovës nga forcat serbe si dhe përvjetorin e krijimit të kësaj partie.

Në lidhje me këtë temë njohësi i çështjeve politike Rexhep Elezaj, në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh që ky tubim ka qenë bukur mirë i rregulluar me këshilla për tu mbrojtur nga koronavirusi. Mirëpo që sulmet dhe shantazhet e shumta drejtuar LVV kanë bërë që në këtë gjendje të mbahet ky tubim duke lënë të hapur që pas kalimit të kësaj pandemie do të ketë edhe protesta

“Tubimi i mbajtur dje në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, i organizuar nga LVV-je, pranë udhëzimeve të Ministrisë së Shëndetësisë (MSH) dhe Këshillit Kombëtar për Shëndetësi (KKSH), që gjatë kohës së pandemisë të mos mbahen tubime masive, për shkak të mundësisë së përhapjes së Koronavirusit, mendoj se në masë të madhe pjesëmarrësit iu kanë përmbajtur rregullave të distancës, ani se në një tubim të tillë aq masiv ka qenë vështirë të mbahen distancat e kërkuara prej 1 metër e gjysmë. Organizatori, pra LVV-je, në një mënyrë apo tjetër, ka dashur të demonstrojë mospajtimin dhe kundërshtimin e gjithë atyre sulmeve dhe shantazheve të cilat i janë bërë liderit të saj, z. Albin Kurtit, gjatë 4-5 muajve të fundit, duke filluar nga rrëzimi i qeverisë së tij me 25 mars me iniciativën e LDK-së në Kuvend, e deri tek sulmet tejet të paskrupullta që presidenti Thaçi ia ka bërë publikisht LVV-je, në kundërshtim të plotë me rolin e tij kushtetues, duke e quajtur atë “grup kriminal”, se disa udhëheqës të saj duhet të “përballën” me drejtësinë, se themelues të Organizatës kriminale, “Syri i popullit” “janë” Albin Kurti dhe Glauk Konjufca, se Albin Kurti e ka “shkelur” kushtetutën e Kosovës, se ai është kryeministri “më i dobët” i pas luftës, etj., që, posa të marrin fund masat e kufizimit të tubimeve për shkak të pandemisë korona, do pasojnë protesta dhe tubime masive nga ana e LVV-je për të kërkuar zgjedhje të parakohshme, por edhe për ta mbrojtur të drejtën e sovranit si dhe votën e elektoratit, i cili në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 atë e nxori si parti të parë dhe fituese”, u shpreh Elezaj.

Më tej, Elezaj thotë që sa më shumë që po i vërsulen LVV duke e akuzuar për shumëçka aq më shumë populli po e do atë kështu klani “Pronto”, po I numëron ditët e fundit të turpit të saj historik.

Image
Rexhep Elezaj

“Ndërsa, akuzat të cilat po vazhdojnë të bëhen ndaj LVV-je nga partitë politike në pushtet si dhe presidenti i vendit, tani edhe duke e akuzuar për shkelje të rregullave të ndalimit të mbajtjes së tubimeve masive sipas udhëzimeve të MSH, etj., nuk besoj se për shkak të këtyre sulmeve dhe akuzave nga LVV-je do ketë largim të anëtarësisë së saj. Përkundrazi, numri i anëtarësisë së saj do vazhdon të rritët më tutje, siç e kanë treguar disa sondazhe të bëra kohëve të fundit. Pra, sa më shumë që LVV-je dhe lideri i saj, z. Albin Kurti, të sulmohen dhe akuzohen me lloj-lloj shpifjesh dhe etiketimeve të rreme dhe krejtësisht të pabaza, aq më shumë do të rritet numri i anëtarëve të ri, të cilët do t’i bashkohen LVV-je, sepse gjenerata e re dhe e arsimuar, e cila nuk bartë me vete kurrfarë hipotekash dhe as vepra kriminale, tani më i ka marrë fatet e Kosovës në duart e veta, dhe unë besoj shumë se kasta e vjetër dhe e korruptuar e politikanëve dhe pushtetarëve të sojit dhe llojit të klanit “Pronto”, po i numëron grahmat e fundit dhe turpit të saj historik”, përfundoi Elezaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat