Kjo është marrëveshja ideale Kosovë-Serbi

Politika

Kjo është marrëveshja ideale Kosovë-Serbi

Nga: D.B. Më: 19 qershor 2020 Në ora: 16:48
Foto Ilustrim

Pas tetë ditësh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pritet të takohen Presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, Presidenti i Republikës së Serbisë Aleksandër Vuçiq dhe Kryeministrat e dy Qeverive Avdullah Hoti i Kosovës dhe Ana Bërnabiç e Serbisë.

Ky do të jetë një takim nën sponsorizonim amerikan me ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm të Presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë Serbi Riçard Grenel.

Në lidhje me këtë çështje analisti politik Ejup Berisha ka thënë për gazetën “Bota sot” se i njëjti do të jetë një përpjekje për përtëritjen e takimeve të ndërprera para dy vitesh të përfaqësuesve zyrtar të të dyja shteteve si pasojë i taksës së aprovuar nga ish Qeveria e Kosovës Haradinaj për lëndët a para dhe mallrat serbe që do të hynin në territorin e Kosovës.

Image
Ejup Berisha

“Me këtë takim do të duhej të rifilloj dialogu i ndërsjellë Kosovë-Serbi që në fazat e mëvonshme duhet të sjell një marrëveshje përfundimtare me të cilën të dyja shtetet do të duhet t’ia shtrijnë dorën e pajtimit njëra tjetrës, ta fillojnë procesin e pajtimit mes vete pas disa dekadash armiqësish të skajshme duke e njohur sovranitetin e ndërsjellë dhe duke i plotësuar disa kushte që ndoshta i kanë vënë sponsoret e këtij procesi për arritjen e marrëveshjes që do të duhet të arrihet. Për tu arritur pajtimi mes dy shteteve të pavarura e sovrane e më pas nisja e bashkëpunimit mes dy kombeve atij shqiptar dhe atij serb do të ishte mirë që kjo të bëhej pemës arritjes së konsenzusit të mirfilltë dhe vullnetarisht të pranueshëm për të dyja palët”, ka thënë analisti politik Ejup Berisha.

Sipas tij, ky i fundit do të ishte bazë shumë e mirë për arritjen e një zgjidhje të qëndrueshme të statusit të Kosovës dhe për pajtimin më afatgjatë të të dyja kombeve.

“Për tu arritur konsensus i pranueshëm dhe i pakontestueshëm kjo varet nga kushtet që do tu paraqiten të dyja palëve për arritjen e marrëveshjes gjatë takimeve të ardhshme me ndërmjetësim të SHBA-ve dhe të BE-së. Si duket qëllimi i ndërmjetësimit të SHBA-ve në rastin konkret është që të arrihen objektivat madhor siç janë pajtimi dhe njohja reciproke ndërsa ndërmjetësuesve të BE-së do tu mbetet që të ndërmjetësojnë në arritjen e marrëveshjeve tjera të karakterit teknik mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo në fakt do të jetë pjesa më e lehtë për tu zbatuar nga marrëveshja eventuale që do të arrihet ndërsa më e komplikuar do të jetë ajo kur në rend dite do të vijnë çështjet territoriale që nuk do të ishte mirë të jenë në rend dite menjëherë sepse këto janë vështirë të negociushme por edhe të realizueshme”, ka thënë ai.

Ai konsideron se marrëveshje ideale do të ishte që të arrihej pajtimi mes dy kombeve dhe zgjidhja e statusit të Kosovës pa nevojën e pranimit të kushteve të vështira.

“Megjithatë kjo gjë nuk do të jetë e mundur duke e pasur parasysh natyrën e konfliktit dhe apetitet e Serbisë për të marrë diçka me vete si shpërblim apo si ambicie dhe përpjekje e kamotshme e saj kur bëhet fjalë për çështjen e Kosovës. Këtu fjalën e kamë për përpjekjet e saj që ta shkëpus një pjesë të territorit të Kosovës më konkretisht pjesën Veriore të Mitrovicës. E këtu në këtë çështje konsideroj se do të jetë e vështirë të arrihet konsensus edhe pse një faktor i rëndësishëm dhe kyç politik kosovar është shprehur i gatshëm që të pajtohet me kushtin apo një kërkesë të tillë të Serbisë. Ky faktor apo personalitet i lartë politik është Presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi i cili sipas asaj që është deklaruar edhe më parë publikisht në opinionin kosovar pret që të bëhet një lloj korrigjimi i kufijve mes dy shteteve me atë që Republikës së Kosovës si kundër shpërblim Serbia do t’ia jepte Luginën e Preshevës e sa i përket Serbisë Thaçi është shprehur i gatshëm që ajo ta merr veriun e Mitrovicës”, ka thënë analisti politik Berisha.

Ai tutje ka shtuar se përderisa Serbia e ka më të lehtë ta bëj realizimin e ambicieve të saja me territorin në Veri të Mitrovicës, atje nuk kanë sovranitet faktik të shtrirë autoritetet shtetërore të Republikës së Kosovës në Luginën e Preshevës.

“E them këtë pasi situata është shumë më e komplikuar sepse atje Serbia ka sovranitet të plot jo vetëm formal por edhe faktik dhe nuk e di se si kjo e fundit do ta realizoj tërheqjen e pushtetit të saj me marrëveshje dhe tua dorëzoj atë autoriteteve të Kosovës. Konsideroj se prapse prap do të funksionoj një lloj presioni politiko-diplomatik për tu pranuar kushtet e dialogut dhe për pajtimin mes dy shteteve dhe kombeve sepse disa kushte që do të vendosen në tavolinat e bisedimeve do të jetë vështirë të pranohen nga palët biseduese. E konsensusi nuk është i mirëfilltë dhe real nëse bëhet me presione dhe imponime. Zgjidhje të drejtë konfliktesh në kushte shkëmbimi territoresh në të kaluarën dhe deri tani në Gadishullin Ballkanik nuk ka pasur asnjëherë. Pastaj shkëmbimi i territoreve është një hap shumë i rrezikshëm sepse shumë lehtë mund të gjeneroj konflikte dhe luftë. Mirëpo shpresoj se pala amerikane si ndërmjetësuese e dialogut e ka menduar mirë këtë gjë dhe do të arrijë që ta shmang rrezikun nga ndonjë konfrontim apo dhe konflikt të mundeshe të armatosur kosovaro-serbe. Në këtë çështje ajo që do të ishte ideale dhe e pranueshme do të ishte pranimi i një kompromisi afatgjatë dhe të qëndrueshëm sepse paqëndrueshmëria do ti vazhdonte armiqësitë dhe konfrontimet e ndërsjella dhe do ta pengonte arritjen e paqes që është qëllimi përfundimtar i ndërmjetësimit amerikan”, ka thënë Berisha.

Sipas tij, zgjidhje e drejtë e konfliktit do të arrihej sikurse të mos zbatohej strategjia e këmbimit të territoreve por do të bëhej korrigjim i mirëfilltë i tyre sepse Serbia ka edhe territore të tjera shqiptare që i ka okupuar padrejtësisht në të kaluarën dhe gjithashtu padrejtësisht i mban akoma nën sovranitetin dhe kontrollin e saj.

“Ajo që është shumë e rëndësishme në fazën fillestare të rinisjes së dialogut është që Republika e Serbisë të zmbrapset nga aktivitetet, aktet dhe veprimet destruktive ndaj sovranitetit dhe shtetësisë së Kosovës dhe të hapen perspektivat dhe rrugët që Republika e Kosovës të bëhet shtet anëtar i Kombeve të Bashkuara dhe e institucioneve- organizatave tjera të rëndësishme ndërkombëtare me të cilën do të stabilizohej dhe forcohej subjektiviteti rajonal dhe ndërkombëtar i saj. Pra për fund do të them se zgjidhje të drejtë të konfliktit Kosovë Serbi edhe kësaj radhe nuk do të ketë por objektivi i përfaqësuesve politiko-diplomatik amerikan është që të arrihet një marrëveshje e shpejtë që do tu shërbej atyre si trofe apo një fitore në prag të zgjedhjeve Presidenciale që pritet që të mbahen në SHBA në muajt në vijim”, ka thënë analisti politik Ejup Berisha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat