Tomë Gashi flet për rrezikun e marrëveshjes Kosovë-Serbi: Hoti nën hijen e Thaçit, do t’i përkulen Serbisë...

Politika

Tomë Gashi flet për rrezikun e marrëveshjes Kosovë-Serbi: Hoti nën hijen e Thaçit, do t’i përkulen Serbisë...

Nga: G.B Më: 22 qershor 2020 Në ora: 22:03
Hashim Thaçi dhe Avdullah Hoti

Kanë mbetur edhe pak ditë deri në takimin që do të mbahet në Shtëpinë e Bardhë në Washington, ku do të diskutohet për dialogun Kosovë-Serbi.

E emisari special për këtë çështje, Richard Grenell, së fundmi ka deklaruar se nuk do të diskutohet për korrigjim të kufijve.

Lidhur me këtë takim,  për gazetën "Bota sot" ka folur avokati Tomë Gashi.

Ai thotë se nuk është e qartë se çfarë na pret ne si shtet në këtë takim, duke shtuar se zyrtarët amerikanë do t'i detyrojnë që të lidhin një marrëveshje, për të ardhmen e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

"Ende nuk është sqaruar se çka na pret ne si shtet me 27 qershor, pra 5 ditë nga sot. Së pari nuk është bërë shumë e qartë se a është takim më se zyrtarëve të Kosovës dhe Serbisë apo është më shumë se aq. Nuk besoj që SHBA apo zyrtarë të saj do të harxhonin shumë energji për të takuar zyrtarët e Kosovës dhe të Serbisë për faktin se ata janë takuar thuajse gjithmonë, posaçërisht pas asaj që thoshin se po takohen në Bruksel kinse për çështje teknike e që në të vërtetë që nga fillimi dihej se ishin takime politike në dëm të Kosovës, sa që politikanët tanë si udhëheqës shtetëror arritën deri aty sa që tentohej që të diskutohet edhe territori i Kosovës. Përveç asaj që aty ku bëheshin takimet zyrtare, pra në Bruksel, faktikisht takoheshin thuajse po takohen përfaqësues të dy qyteteve të shtetit të njëjtë, ata të Prishtinës dhe të Beogradit siç thoshin dhe kjo gjithmonë në dëm të Kosovës", është shprehur ai.

Image
Tomë Gashi

Gashi beson se do të diskutohet në mes të dyja vendeve, por sipas tij Kosova sërish do të jetë më e dobët në raport me Serbinë, pasi Qeveria Hoti është e dobët pasi varet nga Lista Serbe, rrjedhimisht nga Beogradi.

"Tani unë besoj se në Washington do të bisedohet mes dy shteteve por prapë Kosova do të jetë e dobët në raport me Serbinë, sepse Qeveria Hoti është qeveri shume e dobët sepse varet nga secili deputet i Listës Serbe, e cila faktikisht është Lista Serbe e Beogradit dhe e Aleksander Vuçiq. Dhe Kosova do të tentojë të jetë e dëgjueshme deri në përkulje jo ndaj Amerikës po ndaj Serbisë dhe këtë e vërtetuan edhe këtë të diel duke lejuar zgjedhje serbe në tokën shqiptare, pra në Kosovën shtet", ka vlerësuar avokati.

Sipas tij, kjo qeveri është në hije të presidentit Thaçi, i cili do ta përdor atë për qëllime të tij, duke shtuar se ai mund të jetë subjekt i Gjykatës Speciale, nga e cila përfiton vetëm Serbia.

"Dhe kjo qeveri e jona është në hije 100 % të Hashim Thaçit, i cili do ta përdor këtë qeveri deri sa t'i arrijë qëllimet e veta, që të mbetet prapë në pushtet. Dhe frika tjetër e jona është se Thaçi mund të jetë subjekt i Gjykatës Speciale, e cila faktikisht është Gjykatë e formuar nga Kosova, me trysni të Thaçit e në favor të Serbisë, sepse askush nuk fiton asgjë me akuzimin e ish pjesëtarëve të UÇK-së, pos që fiton Serbia, e cila për shkak të politikanëve të paaftë për 21 vjet kanë arritur që nga agresor tani tek bashkësia ndërkombëtare të duket si viktimë", ka theksuar Tomë Gashi.

Ai shton se Thaçi nuk mund të japë territor sepse nuk e do të lejojë populli e as Kuvendi nuk do ta aprovojë, derisa shton se me 27 qershor nuk do të përfundojë asgjë, do të jetë fillimi i asaj që askush nuk e di saktë se si do të përfundojë.

"Territor e ka vështirë që Thaçi t'i jep Serbisë sepse populli nuk do të lejojë dhe Kuvendi kurrë nuk do të duhej të aprovojë, por kur kemi qeveri me zëvendëskryeministër Rakiqin, e me ministra të Qeverisë së Kosovës nga Lista Serbe me kokë në Beograd, që nuk e pranojnë Kosovën shtet, gjithçka mund të ndodhë. Sido që të jetë, nuk do të përfundojë asgjë me 27 qershor, do të jetë një fillim i asaj që askush saktë nuk e di se si do të përfundojë", ka deklaruar Tomë Gashi për "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat