Shkarkimi i Vjosës, fitore e saj apo e Isës!?

Politika

Shkarkimi i Vjosës, fitore e saj apo e Isës!?

Erjona Retkoceri Nga Erjona Retkoceri Më 25 qershor 2020 Në ora: 08:10
Vjosa Osmani dhe Isa Mustafa

Ditë më parë kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, përmes një letre të dërguar Këshillit të Përgjithshëm, ka propozuar që Vjosa Osmani të shkarkohet nga pozita e nënkryetares.

Nga Këshilli i përgjithshëm, 70% janë shprehur me po, 16% janë shprehur kundër, 9% kanë abstenuar dhe 28% nuk janë përgjigjur (nuk kanë marrë pjesë në votim), e si rezultat i këtyre votave, Osmani është shkarkuar nga pozita e nënkryetares së partisë e gjithashtu edhe si anëtare e kryesisë.

Disa nga anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së që kanë votuar kundër shkarkimit të Vjosa Osmanit nga pozitat e saj janë: Valentina Bunjaku, Anton Quni, Haxhi Avdyli, Ardian Shala, Avdi Pireva, Lumir Abdixhiku dhe Xhafer Tahiri.

Postin e nënkryetarit të LDK-së, pas shkarkimit të Vjosa Osmanit, e ka marrë Avdullah Hoti, i cili ka marrë votat e mjaftueshme nga po i njëjti Këshill për këtë pozitë.

Shala: LDK-ja do humb pas shkarkimit të Vjosës

Analisti politik Krenar Shala, nuk beson se LDK do të ketë sukses pas shkarkimit të Vjosës.

Image
Krenar Shala

Ai për ‘’Bota Sot’’ ka thënë se shkarkimin e Vjosës nga strukturat udhëheqëse të partisë më shumë e sheh si fitore të Vjosës dhe humbje për partinë.

“Besoj shumë që Vjosa me qëndrimet e saja politika ka qëndruar konform pritjeve dhe premtimeve të dhëna kundrejt elektoratit të partisë, porse është udhëheqësie e kësaj partie e cila është duke e mashtruar elektoratin e saj që disa herë tashmë duke premtuar diçka tjetër gjatë zgjedhjeve e duke vepruar krejt diçka tjetër pas. Prandaj shkarkimin e Vjosës nga strukturat udhëheqëse të partisë më shumë e shoh si fitore të Vjosës dhe humbje për partinë”, është shprehur Shala.

Bytyqi: Shkarkimi i Vjosa Osmanit, ngjarje e madhe në Kosovë

Prof. Enver Bytyçi, në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se në LDK duhet të lejohet mendimi ndryshe dhe se ajo nuk do të duhej shkarkuar.

Image
Enver Bytyçi

‘’Shkarkimi i Vjosa Osmanit nga detyra e nënkryetares dhe anëtares së kryesisë së Lidhjes Demokratike është një ngjarje në Kosovë, e cila ka tërhequr diskutime dhe pikëpamje të ndryshme te opinioni publik. Disa e shohin si një akt të pamotivuar, të dëmshëm për Lidhjen Demokratike dhe me shkelje të procedurave. Disa të tjerë e shohin si një veprim të ligjshëm, me argumentin se askujt nuk i lejohet të votojë ose veprojë kundër vendimeve të shumicës. Logjikisht ka një ndarje në gjykime e vlerësime, ashtu siç ka tifozëri pro dhe kundër Vjosës, përkatësisht pro dhe kundër Isa Mustafës. Për mua në partitë me parime demokratike duhet të lejohet edhe votimi ndryshe, madje edhe kur nuk ka argumente për këtë. Mjafton që politikanët të veprojnë sipas bindjes që kanë, pa agjendë kundër partisë. A ka agjendë në qëndrimin e Vjosa Osmanit? Po ka. Ashtu siç ka agjendë në kërkesën e Isa Mustafës për shkarkimin e saj. Fatmirësisht zonja Osmani e ka bërë publike agjendën e saj. Ndërsa kreu i LDK-së e fsheh axhendën e tij. Vjosa shprehet hapur se do të punojë e luftojë, madje bashkë me Albin Kurtin për ta çrrënjosur estabilishmentin e vjetër dhe të korruptuar’’, u shpreh ai.

Prof. Bytyçi thotë se e vërteta është se në kryesinë e LDK-së nuk mund të jenë të dy, dhe se Isa kërkon ta mbrojë estabilishmentin të kryesuar nga Hashim Thaçi. Ai ka thënë se gjithçka që ndodh në Lidhjen Demokratike është skenar i Hashim Thaçit.

‘’Isa nuk është shprehur hapur se kërkon ta mbrojë këtë estabilishment të kryesuar nga Hashim Thaçi. E vërteta është se në kryesinë e LDK-së nuk mund të jenë të dy. Për momentin zoti Mistafa ka fuqinë ta largojë Vjosën. Kjo fuqi i vjen atij edhe nga fakti se disa politikanë të pa korruptuar në LDK e mbështesin për konjukturë kryetarin e partisë. Por kjo nuk më habit. Në LDK ka disa akademikë, profesorë e doktorë shkencash. Jam i bindur se këta nuk janë të korruptuar, por duket se janë njerëz të adaptueshëm. Si është e mundur që këta akademikë të mos kërkonin diskutim dhe ballafaqim argumentesh në një mbledhje të veçantë të Këshillit të Përgjithshëm?! Si mund të pranojnë këta njerëz të ditur, tek të cilët Kosova i ka sytë, që të linçohet dikush me një urdhër nga lart prej kryetarit të Partisë përmes një e-maili?! Si mundet që akademikët të bien në këtë lloj kategorie të bindurish dhe të mos e vrasin mendjen se procedura është drejtësi dhe se pa procedurë bëhet padrejtësi? Kur nuk mbrojnë një kolege ose koleg të tyre nga linçmi, si mund të krijojnë besim se janë avokatë dhe mbrojtës të qytetarëve që i kanë votuar?! Pra, kishim të bënim me një shkelje të parimit të demokracisë, sipas të cilit askush nuk ndëshkohet pa u dëgjuar! Nëse do dëgjohej Vjosa Osmani do të kishte bindur edhe të tjerë anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm që të mos votonin si qorrat. Nuk janë pak ata që votuan në mbrojtje të kryetares së parlamentit ose abstenuan. Ndër ta edhe Shkëmb Manaj. Por votuan 70 anëtare të këshillit kindër Vjosa Osmanit. Pa e dëgjuar atë, pa e pyetur pse mbajti qëndrim kundër vendimit për votimin e qeverisë së re’’, theksoi Bytyçi.

Tutje Bytyçi tregon se Vjosen nuk e pyeti askush nëse ajo ishte hatërmbetur pse nuk e kandiduan për kryeministre, dhe gjithçka që ndodh në Lidhjen Demokratike është skenar i Hashim Thaçit.

‘’Nuk e pyeti askush nëse ajo ishte hatërmbetur pse nuk e kandiduan për kryeministre. Tifozët e Isës thonë se Vjosa si kryetare e kuvendit ishte caktuar në pajtim me Albinit dhe Glaukut. Ndaj thonë, s’kishte pse kandidohej për kryeministre. Por fushata me logon “Beso” u udhëhoq nga Vjosa dhe ajo ishte bartëse e listës së deputetëve që dolën nga zgjedhjet e 6 tetorit 2019. Si e tillë duhej pyetur, nëse donte të qëndronte në pozitën që ka, apo donte të bëhej kryeministre. Por kjo nuk mund të ndodhte. E dini pse? Sepse Hashim Thaçit nuk i duhej Vjosa kryeministre. Dhe gjithçka që ndodh në Lidhjen Demokratike është skenar i Hashim Thaçit. Hashimit i duhej një qeveri që varet nga Lista Sërpska, me qëllim që të realizojë planet e përbashkëta me Vuçiqin dhe Edi Ramën për Kosovën. Kjo është arsyeja pse Lidhja Demokratike do të dalë e humbur nga vendimi që ka marrë. Jo se ka shkarkuar një nënkryetare, të cilën e ka zëvendësuar me kryeministrin aktual. Por se ka dhënë mesazhin se është parti sektare dhe se Vjosa ka krijuar frymë në LDK”.

“Shumë militantë të Isa Mustafës e konsiderojnë Vjosën një numër në Lidhjen Demokratike. Pra një prej të tjerëve! Unë besoj se ata gabohen. Vjosa ka krijuar frymën. Lidhja Demokratike kishte nevojë të përfaqësohej nga kjo frymë me qëllim që të krijonte besim se nuk është si partitë e tjera. Pa Vjosën e me Isa Mustafen do të jetë shumë vështirë që qytetarët t’i besojnë në këtë masë Lidhjes Demokratike. Dhe së fundi, Vjosa Osmani nuk e ka shkelur vendimin e LDK-së për herë të parë. Ajo para gati pesë vitesh nuk e votoi Hashim Thaçin për president, megjithëse partia kishte marrë vendim politik për ta votuar atë. Si ndëshkim Isa e çoi të numri 83 i listës së deputetëve, me idenë se ajo do të humbiste. Por ajo i fitoi atëherë 65 mijë vota. Nuk ishin thjesht vota të LDK-së. Ishte besimi i qytetarëve te ajo. Prandaj nuk është as në nderin, as në interes të LDK-së vendimi që u mor. Them se ka ende kohë për ta korrigjuar. Mundet të rikthehet diskutimi në Këshillin e Përgjithshëm, mundet të mblidhet Kuvendi dhe të dëgjohen palët, mundet që të bëhen zgjedhjet e kryetarit me parimin një anëtar një votë. Pra, nuk është vonë që LDK, sidomos akademikët idealistë të kësaj partie ta rikthejnë demokracinë e brendshme dhe të rivendosin integritetin e partisë’’, tha Bytyçi për ‘’Bota Sot’’.

Hertica: Me largimin e Vjosa Osmanit, LDK nuk do ketë lëkundje të saj politike

Njohësi i çështjeve politike, Ali Hertica në një prononcim për gazetën “Bota sot” tha se Vjosa Osmani është shkarkuar e nuk është diferencuar e as nuk është injoruar, por ka shkel mbi rregulloren e subjekti të saj që e avancoj deri te ulësja e kryekuvendares.

Image
Ali Hertica

‘’Gjatë mocionit të mosbesimit të ngritur nga LDK-ja më 25 mars, ndaj qeverisë të udhëhequr nga Albin Kurti, Osmani kishte votuar kundër. Vjosa Osmani është shprehur kundër edhe qeverisë së re të formuar nga LDK-ja, që udhëhiqet nga Avdullah Hoti. Osmani ka kundërshtuar edhe vendimin e qeverisë më 6 qershor, për të hequr masat e reciprocitetit kundër Serbisë. Të gjitha vendimet e subjektit të saj i ka kundërshtuar decidivisht duke e shkelur statusin dhe rregulloren e subjekti ku ajo është përfaqësuese e LDK-së. Vjosa Osmani ishe çdo herë kundër të gjitha vendimeve të subjekti i cili e avancoj në politiken dhe në karrierën e saj politike’’, theksoi Hertica.

Ai tutje mendon se me largimin e Vjosa Osmanit, LDK-ja nuk do të përkeqësohet.

“Tani me largimin e Vjosa Osmanit LDK nuk do ketë lëkundje e saj politike e as në renditjen e tabelës se subjektit që do garon në zgjedhje, sepse elektorati i LDK-së nuk është i përqendruar ne një lider por në vizion te neorugovizmit dhe politikes Rugoviane jo ne individ ,kështu qe nuk do ketë ndonjë përkeqsim të LDK-së”, u shpreh ai.

‘’Vjosa Osmani është shkarkuar e nuk është diferencuar e as nuk është ei injoruar si femër por ka shkel mbi rregulloren e subjekti të saj që e avancoj deri te ulësja e krye kuvendares. Rugovizmi nuk është epilog imediat me iniciativën largimin e Vjosa Osmanit nga pozita e nënkryetares dhe të gjitha funksionet në parti në një votim online demokratik të KP të LDK-së, por ju ka përmbajt parimeve dhe rregullores se vizionit të subjektit. Vjosa Osmani, përveç Nenit 14 të Statutit të LDK-së i cili sanksionon qartë sjelljet dhe përgjegjësitë e funksionarëve të saj, mbi të gjitha , në rastet unike përbalti, përbuzi dhe përdhosi , Votën dhe mbështetjen elektorale të LDK-së’’, tha Hertica për ‘’Bota sot’’.

Mehmeti: Shkarkimi i Vjosës është për inate personale të Isa Mustafës

Ndërsa analisti Faton Mehmeti, thotë se për shkak të inateve të Isa Mustafës ndaj Vjosa Osmanit, kjo u shkarkua nga pozitat në LDK.

Image
Faton Mehmeti

‘’Shkarkimi i Vjosës është për inate personale që ka Isa Mustafa ndaj Vjosës, e cila ka rritur të merr vota më shumë se çdo anëtarë kandidatë i LDK-së. Megjithatë këto inate janë vetëvrasje për LDK, një parti e cila dihet se është shpëtuar vetëm nga votat e Vjosës, dhe t'i heqësh votat e njeriut më të votuar ky është sulm kamikaz do të thoja’’, tha Mehmeti për ‘’Bota Sot’’.

Ai më tutje theksoi se e ardhmja i takon Vjosës meqenëse ka popullin pas, ndërkohë që klanit të Isës i mbetet tashmë dhe turpi që do i ndjek kudo në të ardhmen.

“Në fakt Isa Mustafa duke qenë më shëndet të lig dhe moshë të shtyer nuk mendon për të ardhmen e LDK, qëllimi i tij është që askush mos guxonte flet kundër vendimeve të tija. Kjo është diktaturë, nga e cila pikërisht ishte LDK ajo që mashtroi popullin krejt rrëzimit të komunizmit. Fatkeqësisht me veprimet e saja LDK po humb elektorate, e cila do të shihet në zgjedhjet e ardhshme, nga e cila LDK vështirë të kalojë edhe pragun. E ardhmja i takon Vjosës meqenëse ka popullin pas, ndërkohe që klanit të Isës i mbetet e tashme dhe turpi që do i ndjek kudo në të ardhmen”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat