Çfarë po ndodhë me koalicionin qeverisës? Vjen paralajmërimi për AAK-në e NISMA-n, zyrtarët e këtyre partive mund të goditën me aktakuza

Politika

Çfarë po ndodhë me koalicionin qeverisës? Vjen paralajmërimi për AAK-në e NISMA-n, zyrtarët e këtyre partive mund të goditën me aktakuza

Nga: N. H Më: 30 qershor 2020 Në ora: 19:23
Isa Mustafa dhe Ramush Haradinaj

Këto ditë në vazhdimësi është raportuar se në vend tashmë po nis një dramë e re.

Aktakuza ndaj krerëve të shtetit thuhet se ka lëvizur politikën e vendit, të cilët kinse njëzëri po kërkojnë unitet. Po ashtu raportohet se aktakuzat e fundit nga Specialja kanë nxitur edhe takime e diskutime për të krijuar një qeveri gjithëpërfshirëse.

E, këtë edhe më të zëshme e bënë takimet e fundit të kreut të LDK-së, Isa Mustafa, me Ramush Haradinajn e Fatmir Limajn.

Analisti politik, Fatmir Bajraj, në një bashkëbisedim, takimin e Mustafës me Haradinajn e Limajn të mbajtur ditë më parë e ka quajtur si takim ‘apolitik’ i krerëve të politikës.

Bajraj për gazetën “Bota sot”, ka thënë se radhe ky takim koinçidon me vlimet politike të pas dështimit të dialogut të paralajmëruar në Uashington me datë 27 qershor 2020, në mes të Kosovës dhe Serbisë, si pasojë e publikimit të aktakuzave nga ana e Gjykatës Speciale.

“Takimi i akademik Isa Mustafës me Haradinajn dhe Limajn, në funksion të mobilizimit, unifikimit dhe qëndrimit të pathyeshëm të Qeverisë Hoti ndaj dialogut dhe proceseve integruese të vendit. Edhe pse është e natyrshme dhe e logjikshme që krerët e partnerëve qeverisës të koalicionit, takohen herë pas here për faktin se janë përgjegjës për funksionimin e koalicionit qeverisës dhe me këtë rast të institucioneve të dala nga vullneti i Sovranit dhe jo vetëm për shkaqe kurtuazie, kësaj radhe ky takim koinçidon me vlimet politike të pas dështimit të dialogut të paralajmëruar në Uashington me datë 27 qershor 2020, në mes të Kosovës dhe Serbisë, si pasojë e publikimit të aktakuzave nga ana e zyrës së Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë dhe anulimit të takimit nga ana e palës Kosovare dhe kryesisht e Presidentit Thaçi”, ka thënë Bajraj.

Image
Fatmir Bajraj

Analisti konsideron se publikimi i aktakuzës për dy ‘krerët’ e UÇK-së, nga ana e Speciales, dhe ende të pa konfirmuar nga gjykatësi i specializuar, sikur ka nxënë në befasi Kosovën dhe mbi të gjitha SHBA-të, edhe pse një konfirmim i tillë për krime të pretenduara është pritur nga të gjithë, por jo tani dhe para udhëtimit për Uashington.

“Takimi i Mustafës me partnerët e koalicionit, Haradinaj e Limaj, duhet lexuar si një takim ekskluziv kushtuar gjendjes së krijuar pas aktakuzave të publikuara dhe veprimet e mëtutjeshme të Qeverisë Hoti dhe të institucioneve të vendit për çfarë përgjegjësia bie mbi pushtetin dhe Qeverinë Hoti mbi të gjitha. Publikimi i aktakuzave për të lartpërmendurit, detyrimisht ka prolonguar datën e takimit të Uashingtonit dhe ka dëmtuar imazhin e Kosovës dhe të vetë administratës së Presidentit amerikan Donald Trump, ngase një vendim i tillë i Gjykatës Speciale, lidhet ekskluzivisht me datën e dialogut të Uashingtonit, edhe pse në arsyetimin e saj, Gjykata sqaron se kishte ‘hallin’ të rreziku i ‘negocimit’ të ndonjë amnistie për krimet dhe kriminelet e luftës së fundit të Kosovës 1998-99”, ka thënë ai.

Kurse, është i mendimit se koalicioni qeverisës, është stabil, pavarësisht sfidave pas publikimit të aktakuzave për Thaçin e Veselin.

“Dihet se, AAK dhe NISMA të cilat janë në qeverisje të vendit, mund dhe pritet të goditën me aktakuza për zyrtarë të lartë të këtyre dy subjekteve të cilët ishin pjesë direkte e luftës çlirimtare dhe e zinxhirit komandues të UÇK-së dhe më pas edhe në ‘Qeverinë e përkohshme’ të kohës së krimeve të pretenduara nga Gjykata Speciale, konform raportit të senatorit zviceran, Dick Marty. Andaj, fokusi i takimit në mes të udhëheqësve të koalicionit qeverisës, është edhe përgatitja me këtë përballje sfiduese të pas aktakuzave dhe mobilizimi dhe ngjeshja e radhëve, duke dalë të unifikuar si liderë të subjekteve politike dhe si përgjegjës të mbarëvajtjes së institucioneve të vendit”, ka thënë Bajraj.

Ai me tjerash, shton se takimi i i Mustafës me Haradinajn dhe Limajn i mbajtur ditë më parë, ka derivuar edhe një zotim dhe kushtrim për vete, partitë dhe institucionet përfaqësuese të vendit, se pavarësisht kontekstit aktual me Gjykatën Speciale dhe sfidave që sjellë ajo, megjithatë, interesi nacional-shtetëror i Kosovës, do të jetë alfa dhe omega.

“Pavarësisht ‘çmimit’ që duhet të paguajmë në këtë fazë kruciale për fatet e vendit, partitë politike, krerët e tyre dhe veçanërisht të akuzuarit potencial, duhet të dalin mbi vetën, mbi partitë dhe të rezonojnë për të mirën e kombit dhe të atdheut. Dua të besoj, se takimi i i Mustafës me Haradinajn dhe Limajn, ka derivuar një zotim dhe kushtrim për vete, partitë dhe institucionet përfaqësuese të vendit, se pavarësisht kontekstit aktual me Gjykatën Speciale dhe sfidave që sjellë ajo, megjithatë; interesi nacional-shtetëror i Kosovës, do të jetë alfa dhe omega e sjelljes dhe veprimit tonë. Vazhdimi i menjëhershëm i dialogut të Uashingtonit dhe përgatitja teknike në nivel ekspertesh dhe platforma për bisedime me Serbinë, përveç zotimit për vazhdimin e tij, me gjasë ka qenë edhe temë e diskutimit të liderëve të koalicionit qeverisës, Mustafa, Haradinaj dhe Limaj”, ka shtuar Bajraj.

Në fund ai thekson se shansi unik, i dialogut të Uashingtonit, nuk duhet dhe të lëshohet, edhe pse kundërshtarët e lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit të Kosovës, mund të kenë qellim, dështimin e Uashingtonit zyrtar dhe të Republikës së Kosovës. Kurse, ka nënvizuar se Kosova dhe institucionet e saja, pamëdyshje do t’ia dalin mbanë edhe kësaj radhe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat