Profesori ndërkombëtar alarmon rëndë Hashim Thaçin, jep lajmin e mirë për Kosovën

Politika

Profesori ndërkombëtar alarmon rëndë Hashim Thaçin, jep lajmin e mirë për Kosovën

Nga: BS Më: 16 korrik 2020 Në ora: 21:40
Hashim Thaçi

Profesori i njohur ndërkombëtar, doktor Enver Bytyçi në një prononcim për gazetën “Bota Sot”, ka folur lidhur me intervistimin e presidentit Hashim Thaçi nga Gjykata Speciale tash e katër ditë.

Sipas tij, tashmë ka filluar një kohë e keqe për Hashim Thaçin.

“Sot është e katërta ditë që Hashim Thaçi gjendet para prokurorit special dhe pyetet rreth akt-akuzës së ngritur ndaj tij. Ky hetim mund të vazhdojë edhe më tutje në ditët e ardhshme. Por kjo nuk ka më rëndësi. Në 24 orë hetim ai ka pasur mundësi të japë variantin e tij në pyetjet që i janë ngritur. Por është e pamundur që të ketë funksionuar që të justifikojë gjithçka për të cilën akuzohet. Kjo do të thotë se për Hashim Thaçin ka filluar një kohë e keqe, e cila mund ta shumëzojë me zero edhe ndonjë vepër të tij në dobi të Kosovës. Kjo do të thotë se dielli i zotit Thaçi po perëndon dhe nga errësira ku mund të futet nuk do të dalë në dritë. Shumica e udhëheqësve që kanë rend pas lavdisë dhe jo pas interesit të kombit e popullit të vet kanë përfunduar pa lavdi! Lavdia dhe madhështia e njeriut gjendet brenda tij dhe jo te egoja që ai shfaq, jo te përpjekja për të kaluar mbi kufoma, me qëllim që të ngjitet në majë. Mbi kufoma mund të ngjitesh në majë të pushtetit, por kur rrëzohesh, atëherë fraktura është shumë e madhe. Hashim Thaçit i është shkaktuar një frakturë e pariparueshme. Nuk ka mjek që e shëron. Dhe e gjitha kjo ndodh, sepse ai akuzohet edhe për vrasjen e bashkatdhetarëve e bashkkombasve të tij, thjesht për motive politike.  Kjo e bën të paevitueshme disfatën e Hashim Thaçit”, ka thënë Bytyçi. 

Image
Enver Bytyçi

 

Më tej, ai shprehet se Kosova pa Hashim Thaçin do të jetë shumë herë më e mirë dhe më e suksesshme.

“Asnjë lider politik ose i UÇK-së i thirrur në Hagën e gjykimit të krimeve në ish- Jugosllavi nuk është marrë në pyetje hetimore kaq gjatë, kaq shumë orë. Në filozofi, sasia përkthehet në cilësi. D.m.th orët në bankën e akuzës së Thaçit dëshmojnë më shumë për fajësi, sesa për pafajësi. A e dëmton fajësia e Thaçit Kosovën. Unë besoj të kundërtën. Kosova pa Hashim Thaçin do të jetë shumë herë më e mirë, më e suksesshme, më e paqtë, më stabile, më demokratike. Ai në vend të ishte shpresa e Kosovës u shndërrua në pengesën kryesore të saj për zhvillim e përparim, sepse rendja pas pushtetit dhe pasurisë e dëmtoi rëndë shtetësinë. Ndërkaq Hashim Thaçi u khye në rrezik për Kosovën, sepse nuk u kënaq vetëm me grabitjen e pasurive të saj. Ai shkoi shumë larg, te gatishmëria e tij gati biblike për t’ia dhënë Serbisë një pjesë të territorit të saj. Prandaj Kosova praktikisht jo vetëm nuk dëmtohet, por çlirohet prej Hashim Thaçit. Do të doja të kishte një formë tjetër më të butë që ai të ikte në theqafjen e vet. Por në mungesë të asaj forme, për fajin e vetë Hashimit, është mirë që këtë funksion po e kryen Gjykata Speciale”, thekson Bytyçi.

Sipas profesor Bytyçit, fakti që Thaçi po përgjigjet në Hagë dhe Hoti as që flet për këtë, do të thotë se kryeministri dëshiron të shkëputet nga trashëgimia e presidentit.

“Pa Hashim Thaçin Kosova do të ndjehet më me shpresë, do të mund ta kapërcejë gjendjen e rëndë në të cilën gjendet. Vetëm se ajo nuk duhet të prodhojë një Hashim Thaçi tjetër, nga cilado forcë politike që mund të vijë ai. Është fakt se politikanin tipit të Hashim Thaçit ose Edi Ramës e prodhojmë vetë ne shqiptarët. Ndaj duhet bërë kujdes. Të mos presim derisa dikush të na hypë në zverk e pastaj të ankohemi prej tij. Duhet t’ia japim mësimin me kohë. Pashë se një këshilltar i Thaçit kritikonte kryeministrin Hoti pse takohej me Vuçiçin, në kohën kur presidenti ishte në Hagë. Por asnjë prej këshilltarëve të tij nuk e kritikoi shefin e vet, Thaçin, kur zbatoi pike për pikë udhëzimet dhe detyrat e Vuçiç për shkatërrimin e shtetësisë dhe integritetit territorial të Kosovës. Ndërsa fakti që Thaçi po përgjigjet në Hagë dhe Hoti as që flet për këtë, do të thotë se kryeministri dëshiron të shkëputet nga trashëgimia e presidentit”. 

“Për arsyet që thashë më lart zoti Thaçi duhej tashmë të kishte dhënë dorëheqjen. Eshtë e turpshme që ai të shkojë e qëndrojë me dhjetëra orë duke u përgjigjur në pyetjet hetimore të prokurorit të Gjykatës Speciale. I duhet të jemi mirënjohës medias perëndimore që nuk po e shfrytëzon këtë fakt për ta minuar edhe më shumë autoritetin dhe integritetin e Kosovës si shtet, sepse kjo medie nuk po e trajton Hashim Thaçin në Hagë si president të vendit, por thjesht si Hashim Thaçi. Nëse nuk jep dorëheqje sapo të kthehet nga Haga, nëse kthehet, atëherë ai duhet ditur se edhe në ikje dëshiron ta shkatërrojë për llogari të Serbisë shtetësinë dhe imazhin e Kosovës. Mos dorëheqjen nuk e justifikon asgjë. Çdo zvarritje e këtij akti vetëm se dëmton.  Ndërkaq njerëzit e ndershëm, sidomos viktimat e politikave të Thaçit, duhet të fillojnë të distancohen prej tij. Të mos ndikohen prej viktimizimit të tij ose nga retorika për njësimin e fatit të vet me fatin e Kosovës e të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, përfundon për “Bota Sot”, profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat