“Goditje e rëndë”, ja çfarë ndodhë nëse Haradinaj zgjidhet president

Politika

“Goditje e rëndë”, ja çfarë ndodhë nëse Haradinaj zgjidhet president

Nga: BS Më: 21 korrik 2020 Në ora: 19:16
Ramush Haradinaj

Në media së fundi është raportuar për mundësinë e hyrjes së PDK-së në Qeveri, nëse Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit u konfirmohet aktakuza nga Gjykata Speciale.

E Hashim Thaçi ka deklaruar se do të japë dorëheqje nga pozita e presidentit në rast të konfirmimit të aktakuzës nga Specialja.

“Ju siguroj edhe një herë, me drejtësinë nuk do të përballem nga kjo zyrë. Nëse aktakuza konfirmohet, unë menjëherë do të jap dorëheqje si president i juaji dhe do të përballem me akuzat”, kishte thënë Thaçi ditë më parë.

Kurse, sipas raportimeve kreut të AAK-së, Ramush Haradinajt mund t’i ofrohet posti i presidentit të Kosovës. 

Vet Ramush Haradinaj nuk e ka mohuar një gjë të tillë kur është pyetur për këtë mundësi.

“Nuk është koha me qenë lakmitar, por nuk nxjerr kandidaturë. Në rast se ekziston një mundësi, dhe ma kërkojnë të marr një përgjegjësi të tillë, edhe mund ta shqyrtoj” tha Haradinaj, në një intervistë për mediat në Shqipëri.

E një gjë e tillë, sipas analistit politik, Nexhat Haziri nuk i konvenon Kosovës, pasi në periudhën në të cilën po kalon vendi, zgjedhja e Haradinajt president nuk garanton stabilitet politik.

“Nuk besoj se një skenar i tillë siç po raportohet në media, që mund ta ndihmoj Kosovën, në rast se konfirmohet aktakuza ndaj presidentit Thaçi, atëherë kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinajt mund t’i ofrohet posti i presidentit, sidomos në përmirësimin e imazhit të saj në rrafshin ndërkombëtar, por as në atë të brendshëm nuk do të ishte një skenar që do të garantonte stabilitet politik, kthimin e besimit të qytetarëve në institucionet e shtetit dhe në perspektiven e tij”, thotë Haziri për “Bota Sot”. 

Image
Nexhat Haziri

 

Më tej, Haziri thotë se partitë politike duhet të gjejnë një konsensus për zgjedhjen e presidentit të vendit.

“Kosovës në këtë fazë nëpër të cilën po kalon, i duhen njerëz me kredibilitet moral, politik e qytetar, sidomos në postin e presidentit të vendit, e që duhet të jetë person që përfaqëson unitetin qytetar të vendit dhe garanton funksionim demokratik të institucioneve, një njeri që po ashtu do të arrinte për ta ngritur një konsensus politik dhe kombëtar sidomos në procesin e dialogut me Serbinë, për të arritur një marrëveshje përfundimtare e cila do t’i hapte perspektivë vendit në rrugën e integrimeve euro-atlantike, forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar por edhe të zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies së qytetarëve.  Të tillë nuk e shohë z. Haradinaj, dhe mendoj se partitë politike duhet të gjejnë një konsensus për zgjedhjen e presidentit të vendit dhe të ngritën mbi interesa politike e partiake dhe ta mbështesin qeverinë e kryeministrit Hoti”, shton Haziri.

Për fund, Haziri deklaron se zgjedhja eventuale e Ramush Haradinajt në postin e presidentit, do të ishte një regres për shtetin e Kosovës.

“Do të ishte një hap regresiv i Kosovës qoftë në rrafshin ndërkombëtar por edhe në atë të brendshëm, pasi nuk duhet të harruar se edhe z. Haradinaj është i intervistuar nga Gjykata Speciale dhe nuk mund të përjashtohet mundësia që edhe atij t'i ngritët aktakuza. Andaj është koha që skena politike të çlirohet nga  të ashtuquajturit "komandantët" dhe riciklimi i tyre në skenën politike të vendit dhe në institucionet më të larta shtetërore nuk e ndihmon Kosovën e as demokracinë në vend, për shkak të përformancës së tyre politike në pozita të ndryshme në institucionet e vendit, pasojat e kësaj përformance e kanë sjellur vendin deri në dështim të përgjithshëm për shkak të krimit të organizuar, korrupsionit dhe fenomeneve të tjera negative e që kanë dëmtuar substancën e funksionimit të shtetit”, përfundon për “Bota Sot”, analisti politik, Nexhat Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat