“Zonja e hekurt”, e pamposhtur nga partia e saj - Bota Sot
“Zonja e hekurt”, e pamposhtur nga partia e saj

Politika

“Zonja e hekurt”, e pamposhtur nga partia e saj

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 28 korrik 2020 Në ora: 13:50
Vjosa Osmani në një nga seancat e Kuvendit të Kosovës

“There is a new Sheriff in town” është fjalia e kryetares se Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani e cila deshi t’u tregoj deputetëve të Kuvendit të Kosovës, e sidomos atyre të LDK-së se shefi në institucionin më të lartë shtetëror është ajo dhe se fjala e saj vlen shumë.

“Siç do të thonin miqtë tanë amerikanë “There is a new Sheriff in town” kështu që duheni të mësoheni me një lexim të drejtë, me një lexim të përpiktë, me një lexim që i trajtojnë të gjithë të barabartë por mbi të gjitha, ka shumë këtu që dëshirojnë që rolin tim si kryetare e Kuvendit të shohin si rol tërësisht teknik, ku nuk kam të drejtë të mbaj qëndrime politike. Duhet ta harroni një gjë të tillë sepse nuk ka për të ndodhë kurrë”, kishte thënë Osmani në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës .

Vjosa Osmani pothuajse në çdo seancë ka qenë cak i sulmeve të një pas njëshme sidomos nga deputetët e partisë së LDK-së të cilët në shumicën e rasteve kanë kaluar edhe në fyerje.

Rasti më i “rendë” kishte qenë kur deputeti i LDK-së, Xhavit Ukaj i është vërsulur kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmanit, derisa ajo po drejtonte seancën e Kuvendit, e kjo e fundit ishte detyruar ta ndërpriste seancën.

“Ndërpritet seanca për shkak te paedukatës së një deputeti”, ka deklaruar Vjosa Osmani.

Polemikat e vazhdueshme dhe përplasjet e fyerjet ndaj kryetares se Kuvendit dhe ish kandidates për kryeministre të Kosovës nuk kanë të ndalur e sidomos nga deputetët e LDK-së të cilët janë të paktë që kanë dal në mbështetje të Osmanit edhe përkundër asaj se ajo ishte larguar më votat e tyre nga Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Gazeta “Bota sot” për tre ditë më radhë është mundur të marr një qëndrim nga deputetët e LDK-së, por kjo ka qenë e pamundur pasi që ata nuk kanë dashur t’i komentojnë këto fyerje e akuza.

As nga Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk kanë pranuar të flasin në lidhje me seancat e udhëhequra nga Vjosa Osmani. Këshilltari i Osmanit, Faton Peci nuk ka dashur të flas për ketë.

E njeri ndër deputetët e paktë e LDK-së që vazhdimisht përkrah Vjosa Osmanin, Haxhi Avdyli nuk ka qenë i gatshëm të flas për ketë.

Maloku: Vjosa Osmani është keqpërdorur nga LDK

Image
Albinot Maloku

Politologu Albinot Maloku në lidhje më këtë ka thënë për “Bota Sot” se qasja ndryshe e dikujt nga LDK-ja gjykohet kështu dhe se rasti me kryetaren e Kuvendit është tregues i padurueshmërisë.

“Sulmet dhe përplasjet e Lidhjes Demokratike të Kosovës ndaj kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani janë tregues i padurueshmërisë në vazhdimësi që di të bëjë kjo parti ndaj secilit që ka qasje e mendim ndryshe. Kryetarja Osmani është person politik të cilin partia e ka larguar me metoda aspak demokratike dhe krejtësisht jo transparente. Përplasjet mes tyre tanimë janë të natyrshme dhe nuk mund të konsiderohen të çuditshme. Kryetarja Osmani është keqpërdorur nga LDK dhe kjo nuk do të duhej të ishte e falshme as nga elektorati i cili i ka besuar kësaj partie duke i kërkuar besën me emrin e Vjosa Osmanit në zgjedhjet e fundit” ka thënë Maloku.

Tali: Vjosa ia fitoi votat LDK-së dhe pastaj nga "burrat" e LDK-ës u hodh tutje.

E ish këshilltari i Albin Kurtit, Driton Tali ka thënë se në syrin e qytetarëve të Kosovës Vjosa Osmani po shihet si viktimë dhe kjo është duke e dëmtuar mjaftë shumë LDK-në.

Image
Driton Tali

“Kjo ngatërresa në mes krye parlamentares Osmani dhe LDK-së sipas meje është ka e dëmton LDK-në shumë. Në syrin e opinionit të Kosovës, Vjosa Osmani po shihet si viktimë, sepse ajo gjatë fushatës u përdor (me epitete nga më të mirat si p.sh znj e Hekurt, Merkelka e Kosovës, zonja e shtëpisë etj) për t'u fituar votat dhe pastaj nga "burrat" e LDK-ës u hodh tutje. Një mike e imja, zonjë në moshë të pjekur, një ditë më tha: "a thua Vjosa po të ishte mashkull, me shumë vëllezër, si do të sillej Agim Veliu dhe të tjerët?". Me fjalë tjera edhe elementi gjinor është përfshirë. Andaj, duke i patur parasysh gjitha këto, po them se me këtë grindje humbëse morale është LDK kurse fituese padyshim është Osmani” ka thënë Tali.

Sipas ish këshilltarit të Kurtit, nëse Vjosa Osmani vazhdon të qëndrojë në LDK dhe të ballafaqohet me bërrylat e ndërskamcat, natyrisht se nuk e ka lehtë, mund të ndodh që pas një kohe relative struktura e LDK-së të zgjohet dhe të kërkojë reforma. Logjikisht personi që do të mund t'i bëjë ato reforma, e identifikuar tashmë, është Vjosa Osmani.

“Ose të dali e të krijojë partinë e saj. Edhe kjo është një ndërmarrje shumë e zorshme në shumë nivele. Nevojiten financat por duhet shpenzuar edhe shumë mund në krijimin e resursit njerëzor. Ekziston edhe mundësia e bashkëngjitjes së partive tjera. Ka thashë e thënë se mund t'i bashkëngjitet LVV-së, sigurisht se është e mirëseardhur” ka thënë për “Bota Sot Driton Tali.

Mehmeti: Vjosa ndihet e tradhtuar nga kolegët e saj

Polemikat e vazhdueshme në mes kryetares se Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmanit dhe deputetëve të LDK-së, të cilët gjatë seancave po vazhdojnë të përplasën si asnjëherë tjetër po eskalojnë edhe deri në fyerje të renda. Seancat e Kuvendit nën udhëheqjen e Osmanit janë bërë pothuajse gjithmonë të njëjta dhe në kundërshtim e sidomos nga bashkëpartiakët e Osmanit të cilët pothuajse çdo herë e kundërshtojnë duke kërkuar fjalën apo duke e akuzuar që ajo nuk di të udhëheq në mënyrë të drejtë një seancë Kuvendi.

Në lidhje më këtë dhe qëndrimet e Vjosa Osmanit në Kuvendin e Kosovës, analisti politik Faton Mehmeti ka thënë për “Bota Sot” se polemikat në mes deputetëve të LDK-së dhe kryetares se Kuvendit nuk janë normale e sidomos kur ata vinë nga e njëjta parti.

Image
Faton Mehmeti

“Polemikat e vazhdueshme mes Vjosës dhe deputetëve të LDK nuk janë normale, në sensin që vijnë nga e njëjta parti. Natyrisht se mendimet ndryshe brenda partive janë të mirëseardhura, mirëpo dallimet esenciale nuk janë edhe aq të shëndetshme për funksionim e saj. Besoj se Vjosa ndihet e tradhtuar nga kolegët e saj, pasi në emër të Vjosë LDK është këtu ku është”, ka thënë ai.

Sipas Mehmetit mosmarrëveshjet ne mes Vjosa Osmanit dhe deputetëve të LDK-së janë një luftë që nuk i dihet fundit dhe as epilogu.

“Në anën tjetër, disa deputetë të LDK-së janë të irrituar me kundërshtimet e dhunshme të Vjosës ndaj LDK dhe deputetëve të saj. Kjo është një luftë e që nuk i dihet fundi dhe as epilogu, vetëm se dy gjëra janë që në horizont: ose të shuajnë dallimet mes tyre, ose Vjosa të largohet nga LDK, kështu më nuk shkohet”, ka thënë për “Bota Sot” Faton Mehmeti.

Kelmendi: Vjosa Osmani qëndron në pozitën e Kryetares falë Vetëvendosjes

ImageMuhamet Kelmendi

 

E njohësi i çështjeve juridike Muhamet Kelmendi ka thënë se raportet midis Kryetares se Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani dhe LDK-së, përkatësisht grupit të Isa Mustafës është çështje që nuk ka të bëjë me vijën politike, ndonëse thirren në të por me luftën për pushtet si në Qeveri ashtu edhe ne LDK.

“Në ketë anë kanë ec konfliktet dhe tashmë grupi i Isa Mustafes veç e ka fituar luftën politike brenda ne parti dhe ne Qeveri. Mocioni i mosbesimit ishte kulmi i kësaj çështjeje. Kjo, vazhdoje edhe ne parti, aty ku Vjosa Osmani e humbi pozitën e nënkryetares, duke humbur çdo pozite ne LDK. Ndërsa, qëndrimi ne pozitën e kryetares se Kuvendit është rrjedhoje vetëm e tolerancës se VV. Krejt kjo pse ne normat kushtetuese pozita e kryetarit a kryetares se Kuvendit është e rezervuar për partine e pare fituese ne zgjedhje. Pra, Vjosa Osmani qëndron ne pozitën e Kryetares falë Vetëvendosjes, përndryshe ajo ka humbur çdo lufte politike ne kuadër të LDK-së” ka thënë Muhamet Kelmendi për “Bota Sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat