Gjermania dhe Holanda deklarohen për dialogun Kosovë-Serbi, nuk e përmendin fare Grenellin

Politika

Gjermania dhe Holanda deklarohen për dialogun Kosovë-Serbi, nuk e përmendin fare Grenellin

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 8 gusht 2020 Në ora: 12:29
Negociatat Kosovë-Serbi në Uashington

Gjermania dhe Holanda, kanë shprehur mbështetjen e tyre për dialogun ndërmjet Kosovës e Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Por, ato nuk kanë përmendur rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përkatësisht të ambasadorit amerikan për dialogun Richard Grenell.

Zyrtarë në qeverinë gjermane, i kanë thënë gazetës “Bota sot” se janë për marrëveshje gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme dhe të zbatueshme që lejon realizimin e perspektivës së BE të të dy vendeve.

“Gjermania mbështet dialogun e lehtësuar nga BE ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i cili synon të arrijë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme dhe të zbatueshme që lejon realizimin e perspektivës së BE të të dy vendeve dhe që kontribuon në stabilitetin rajonal”, thuhet në një përgjigje për gazetën nga qeveria gjermane.

Edhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Holandës, janë shprehur të lumtur për rifillimin e dialogut, të lehtësuar nga BE nën drejtimin e të dërguarit të Posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak.

Annemarie Litjens, zëdhënëse e Ministrisë së Punëve të Jashtme Holandeze, ka thënë se marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe pajtimi i sinqertë mes Kosovës dhe Serbinë, janë thelbësore për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

“Holanda i kushton shumë rëndësi normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve dhe është elumtur që sheh që Dialogu Kosovë-Serbi i lehtësuar nga BE ka rifilluar nën drejtimin e Lajçak. Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe pajtimi i sinqertë, janë thelbësore për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe perspektivën evropiane të rajonit”, ka deklaruar Litjens në një prononcim për “Bota sot”.

Raundi i radhës i dialogut mes të dyja vendeve, do të mbahet më 7 shtator në Bruksel./BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat