Të qartësohet kritika dhe shpifja në ligjin për UÇK-në

Politika

Të qartësohet kritika dhe shpifja në ligjin për UÇK-në

Nga: D.RR Më: 9 gusht 2020 Në ora: 21:01
UÇK

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, së shpejti mund ta kenë para vetes për shqyrtim dhe votim Projektligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Qeveria e Kosovës, më 14 korrik ka mbështetur këtë projektligj, duke e proceduar në kryesinë e Kuvendit të Kosovës.

Projektligji i propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, parasheh përcaktimin e obligimit institucional dhe qytetar për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së. Vlerës e luftës, sipas këtij projektligji, është lufta e armatosur e popullit të Kosovës, e udhëhequr nga UÇK, vetë UÇK-ja si formacion ushtarak i armatosur, veterani i UÇK-së, flamuri, betimi i ushtarit, stema, Shtabi i Përgjithshëm, Drejtoria Politike, Shtabet e zonave operative, arkiva, si dhe Kompleksi memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe komplekset tjera.

Projektligji parasheh respektimin e vlerave të luftës, mbrojtje institucionale, Muzeun e Luftës, Ditën e përkujtimit të luftës për çlirim, dispozitat ndëshkimore, si dhe aktet nënligjore. Në rast se projektligji aktual për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së miratohet në Kuvendin e Kosovë, si ligj do të ketë implikimet buxhetore prej 2 milionë e 250 mijë euro, pa i llogaritur edhe investimet për ndërtimin e Muzeut të Luftës.

Por ish këshilltari i kryeministrit Kurti, Driton Tali për “Bota sot” tha se ky ligj ka nevojë për qartësime në atë se çka quajmë kritikë e çka shpifje.

Image
Driton Tali

“Ligji për Mbrojtjen e Vlerave të UÇK-së, si i tillë, ka paqartësi në shumë aspekte si bie fjala është shumë delikate se çka quajmë kritikë e çka shpifje? Kur themi "se shumica e udhëheqësve kryesorë të asociuar me UÇK janë të korruptuar": a i bie kjo se është kritikë apo shpifje?! Sipas kësaj forme që është shkruar ky ligj, e jep përshtypjen se i bie si "shpifje" për çka "shpifësi" do të dënohet”, tha ai.

Tali mendon se vendi ka nevojë për një ligj që mbron vlerat e UÇK-së, por thekson se nuk kemi nevojë të ngutemi.

“Prandaj duhet edhe më tutje të punohet në këtë ligj për ta qartësuar ashtu që mos t'i lihet hapësirë keqinterpretimeve. Pastaj duhet po ashtu t'i shohim implikimet financiare sepse jemi dëshmitarë të kostos së Ligjit për Veteranët e UÇK'ës. Por a duhet një Ligj për Mbrojtjen e Vlerave të UÇK'ës, natyrisht se po por s'kemi nevojë të ngutemi. Ta bëjmë një konform kërkesa dhe nevojave”, u shpreh Tali për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat