“Ramushi po koritet, s`ka gjasa të bëhet president” - Bota Sot
“Ramushi po koritet, s`ka gjasa të bëhet president”

Politika

“Ramushi po koritet, s`ka gjasa të bëhet president”

Albulenë Muji  Nga Albulenë Muji Më 14 gusht 2020 Në ora: 17:32
Ramush Haradinaj

Në korrikun e viti të kaluar, Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit, dhe arsyeja për këtë ishte ftesa nga Gjykata Speciale në Hagë.

“Arsyeja e këtij vendimi është se kam marrë thirrje të paraqitem për t’u marrë në pyetje nga Dhomat e Specializuara në Hagë si i dyshuar”, kështu kishte deklaruar Haradinaj më 17 korrik 2019.

Ndërkaq, një vit më pas, ai ka shprehur hapur pretendimin për postin e presidentit, të cilin aktualisht e ka Hashim Thaçi.

Ekspertët për “Bota sot” e komentojnë këtë veprim të Haradinajt, për të cilën shprehen se nuk dihet se nëse si ka informacione nga Gjykata Speciale.

Haradinaj ka shpëtuar nga spekulimet e mundshme se “ai ka spiunuar Thaçin”

Image
Enver Bytyçi

Profesori Enver Bytyçi, në një prononcim për “Bota sot” është shprehur se nuk është i sigurt nëse Haradinaj e ka ditur se presidenti aktual i vendit do të shkonte në Hagë.

“Ramush Haradinaj prej të mërkurës së kaluar është shpallur publikisht se dëshiron të shkojë në postin e presidentit. Sigurisht që kjo është e drejta e tij dhe gjithkujt tjetër në Kosovë, që mendon dhe beson për ta arritur këtë post. Kushtetutshmërisht është krejt e pranueshme. Ai i plotëson të gjitha kriteret kushtetuese. Unë mendoj se detyrën e kreut të shtetit ai e ka patur në mendje që kur ngriu postin e tij si kryetar i AAK-së para disa muajsh. Nuk jam i sigurt nëse e ka menduar ose ditur se presidenti aktual i vendit do të shkonte në Hagë. Por edhe mund të ketë patur informacione për këtë derisa ai u thirr vitin e kaluar nga Gjykata Speciale për t’u intervistuar. Ai shfrytëzoi të drejtën ligjore për të heshtur, pra për të mos iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit special. Dhe këtë e ka bërë me qëllim që t’u ikë spekulimeve të mundshme se “ai ka spiunuar Thaçin”. Ndoshta pyetjet që i janë drejtuar kishin lidhje me Thaçin e për këtë shkak kishte dijeni se për të do ngrihej një akt-akuzë. Gjithçka është hamendësim, por një lloj logjike funksionon në këto që them”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Për më tepër, profesori ka potencuar se Haradinaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit për të shkruar në Hagë, në cilësinë e dëshmitarit, por nëse ai ka dyshime se mund të thirret përsëri nga Gjykata Speciale, kategorikisht është i obliguar moralisht që të mos kandidojë për këtë post.

“Ai dha dorëheqje nga posti i kryeministrit për të shkuar në Hagë. Kur u kthye tha se ishte thirrur në rolin e dëshmitarit dhe se për të nuk do të kishte akt-akuzë. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë nuk ka asnjë problem nga kjo pikëpamje që të zgjidhet si president. Janë disa kritere politike dhe kushte tjera, të cilat e penalizojnë atë. Kryesore është mbështetja që merr nga partitë parlamentare, për të siguruar votat që duhen për të zgjedhur kryetarin e shtetit. Por nëse ai ka dyshime se mund të thirret përsëri nga Gjykata Speciale, kategorikisht është i obliguar moralisht që të mos kandidojë për këtë post. Sepse, nëse zgjidhet, do t’i duhet të japë dorëheqjen sërishmi dhe nuk është në të mirë që të krijohet vazhdimisht vakum në institucionet e vendit”, potencuar ai për “Bota sot”.

Për më tepër, Bytyçi shprehtë se nuk e dinë nëse është folur për Gjykatën Speciale dhe mundësinë që ai të përballet me akuza të reja, gjatë mbledhjes së strukturave të AAK-së, por këtë aspekt duhet ta sqarojë Haradinaj.

LDK dhe PDK synojnë të bëjnë një pakt të përbashkët postin e Presidentit

“Pavarësisht kësaj, mendoj se zoti Haradinaj nuk e ka atë fuqi politike imponuese sa të detyrojë sidomos tri subjektet politike, LDK-në, PDK-në dhe Listën Srpska për ta votuar si president të vendit. LDK dhe PDK synojnë të bëjnë një pakt të përbashkët për këtë post dhe Lista Srpska i mbështet Hashimin e Isën në pazaret politike që bëjnë, sepse këto pazare janë më afër interesave të Serbisë. Shpresoj se në mbledhjen e së mërkurës së shkuar Haradinaj të ketë shpjeguar për bashkëpartiakët e tij të AAK-së se cilat janë rrethanat favorizuese që mund ta bëjnë atë president të Republikës së Kosovës. Por nuk e di nëse është folur për Gjykatën Speciale dhe mundësinë që ai të përballet me akuza të reja. Këtë aspekt duhet ta sqarojë zoti Haradinaj”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Me tej, profesori ka thekuar se Haradinaj është përballur dy herë me Gjykatën Ndërkombëtare për Krimet, nuk do të përballet kësaj radhe me akuza në Gjykatën Speciale për Kosovën në Hagë.

“Nuk duhet të ndodhë si me Thaçin, i cili e mori detyrën e presidentit të Kosovës, me qëllim ose edhe me qëllim që t’i shpëtojë akuzës së Gjykatës Speciale. Personalisht besoj se Haradinaj, i përballur dy herë me Gjykatën Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi, nuk do të përballet kësaj radhe me akuza në Gjykatën Speciale për Kosovën në Hagë. Megjithatë garancitë janë të nevojshme me qëllim kandidimin për president, jo më për zgjedhjen në këtë post të lartë shtetëror. Në perceptimin tim Kosovës i duhet të bëjë ndryshimin e madh. Largimin e Hashim Thaçit duhet ta shfrytëzojë për ta rinovuar lidershipin shtetëror. Nuk duhet lejuar që institucionet e Kosovës të manipulohen nga interesat e Hashim Thaçit, Isa Mustafës dhe Aleksandër Vuçiq, sepse ai i realizon interesat serbe në Kosovë kryesisht përmes Listës Srpska, e cila është dëshmuar si aleate e ngushtë e Hashimit dhe Isës”, ka përfunduar profesori Bytyçi për “Bota sot”.

“Ramushi veç po koritet se s`ka gjasa të bëhet president”

Image
Faton Mehmeti

Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike, Faton Mehmeti, e quan komike situatën që e ka krijuar Haradinaj, pasi ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit pas ftesës nga Gjykata Speciale, ndërkaq tani pretendon të bëhet president.

 “E gjithë situata është komike, në sensin që Ramushi dha dorëheqje pasi mori ftesë nga Haga, e tani që mund të jetë prapë i akuzuar mëton të bëhet president. Kjo dëshmon se këtyre njerëzve nuk ju intereson fare parimet, as normat demokratike, mbi të gjitha duan pushtetin, paranë dhe të gjitha që kanë të bëjnë më pushtet. Edhe pse Ramushi mëton dhe ëndërron të bëhet president, kjo gjë vështirë të ndodh, derisa të njëjtin post e dëshiron dhe PDK. Derisa PDK është parti më e madhe, dhe i ofron LDK-së më shumë stabilitet në qeveri, natyrisht se: LDK më parë do të zgjedh PDK për ta mbështetur për postin e presidentit, se ndonjë nga AAK, në këtë rast Ramushi. Pra, Ramushi veç po koritet se s`ka gjasa të bëhet president, së paku tani për tani jo”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Mehmeti pretendon se Haradinaj se mund të përdorë strategjinë e njëjtë sikur në rastin e kryeministrit kur dha dorëheqje, në qoftes thirret nga Gjykata Speciale.

“Nuk besoj se z. Haradinaj ka ndonjë informacion, është egoja për pushtet ajo që i bën të humbasin arsyen. Megjithatë është e sigurt se Thaçi ftohet para Ramushit, i cili po mendon të bëhet president, që të duket njeri i sakrificës nëse ftohet prapë nga Haga, meqë rast do të jep dorëheqje. Lufta për famë dhe pushtet është e gjithë kjo që po bën ish kryeministri Haradinaj”, ka përfunduar Mehmeti nga “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat