Akademiku Nexhat Daci është propozuar për President të Kosovës, nga presidenti aktual Hashim Thaçi.
Mirëpo, një propozim i tillë, po shihet si vazhdimësi e politikave të Thaçit.
Kryetari i Ballit Kombëtar Demokrat për Kosovë, Gazmend Islami thotë se, nuk është mirë të bëhet President Daci, përshkak se ai është njeriu kryesor që e fuqizoi PDK-në, kjo për faktin se, ishte Daci ai që e bëri thyerjen e madhe në LDK.
Islami për gazetën “Bota sot”, pohon se, Daci është përçarës dhe përkrahës i fuqishëm i politikës së Hashim Thaçit.
“Nexhat Daci në karrierën e tij politike, është dëshmuar që është përçarës dhe një përkrahës i fuqishëm i politikës së Hashim Thaçit. Ishte në bashkëdyzim edhe në ndarjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ishte një shtytje që Hashim Thaçi i jepte atij gjatë kohës për përpjekjet e tij për tu bërë kryetar i LDK-së, dhe ndarja e tij dëmtoi LDK-në”, thotë Islami.
Ai thotë se, Daci nuk do ta ketë përkrahjen as të LVV-së e as të AAK-së.
“Mendoj që në asnjë variant nuk është mirë që të përkrahet që Nexhat Daci të bëhet president, dhe nuk besoj që do ta përkrahin as LVV-ja e as AAK-ja dhe kështu që mund të jetë një dëshirë dhe ëndërr e z. Thaçi por në asnjë variant nuk do të ishte i pranueshëm as për partitë opozitare”, pohon ai.
Sipas Islamit, Daci nuk meriton të bëhet president pasi që e bëri thyerjen e madhe në LDK.
“Pra nuk është mirë që Daci të bëhet president sepse është vazhdues i politikave të Hashim Thaçit, dhe nëse merret në retrospektiv dhe shikon kontinuitetin e ngjarjeve politike që kanë ndodhur që nga vdekja e Ibrahim Rugovës, pra shohim qartë se fuqizimin e PDK-së e ka bërë pikërisht Nexhat Daci me thyerjen e madhe që i bëri LDK-së dhe për këtë arsye nuk meriton të jetë President i vendit”, përfundon Gazmend Islami.